Kina paraqet dëshmi të reja të krimeve të luftës agresive japoneze
2022-09-18 16:12:16

Të dielën në orën 09.18 të mëngjesit, vajtuan sirenat në Muzeun Historik të Incidentit të 18 Shtatorit në Shenyang të provincës Liaoning të Kinës Verilindore, ndërsa në gjithë vendin u përkujtua 91-vjetori i Incidentit të 18 Shtatorit.

Pikërisht në 18 shtator të vitit 1931, trupat japoneze hodhën në erë një pjesë të hekurudhës në Shenyang dhe i akuzuan trupat kineze për këtë. Duke përdorur shpërthimin si pretekst, forcat japoneze sulmuan garnizonin "Beidaying" dhe e bombarduan Shenyang po atë natë, duke nisur pushtimin e plotë të Kinës Verilindore. 

Gjatë këtij muaji arkivat e provincës Liaoning zbuluan mbi 400 dokumente në lidhje me Hekurudhën e Mançurisë Jugore, organizata më e madhe e krijuar nga qeveria japoneze në atë kohë. Dëshmitë zbuluan të gjitha llojet e krimeve, nga ato politike e ushtarake, tek ato ekonomike e kulturore. Në një farë mënyre, punonjësit e hekurudhës ishin pushtues pa uniforma ushtarake.

Përkujtimet shërbejnë si një kujtesë për popullin kinez që të mbajë parasysh ditët e errëta. Historia ka treguar në mënyrë të përsëritur se pushtimet dhe luftërat janë rrallë të suksesshme, dhe megjithëse dëshmitë mund të mbulohen, drejtësia përfundimisht mbizotëron. (Fani)