Rimëkëmbja e ekonomisë kineze, një sihariq për botën
2022-09-17 09:36:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas të dhënave të publikuara të premten nga Drejtoria Shtetërore e Statistikave e Kinës, në gusht ekonomia kombëtare vazhdoi prirjen e rimëkëmbjes dhe treguesit kryesorë u përmirësuan në përgjithësi. 

Pothuajse të gjitha mediat e huaja e kanë përshkruar gjendjen e ekonomisë kineze në gusht me shprehjen “më mirë se sa pritej”. Ndër treguesit më tërheqës të gushtit,vëllimi i shitjes me pakicë të mallrave u rrit 5.4 për qind në krahasim me një vit më parë dhe vëllimi i prodhimit industrial me 4.2 për qind. Ndërsa në 8-mujorin e parë të këtij viti, vëllimi i investimeve në pasuritë fikse u rrit 5.8 për qind. Të gjitha këto rezultate i tejkaluan parashikimet e agjencisë Reuters.

Njëkohësisht mediat e huaja kanë vënë re se këto rezultate nuk janë realizuar edhe aq lehtë. Në situatën e ndërlikuar ndërkombëtare, epideminë që përfshiu shumë krahina kineze dhe motin me vapë ekstreme, ekonomia kineze sërish ia arriti që jetë e gjallë dhe e qëndrueshme.

Në një raport të ditëve të fundit të Bankës Botërore vihet në dukje se me rritjen e normës së interesit nga bankat e shumë vendeve të ndryshme për të përballuar inflacionin, ekonomia globale për vitin 2023 është shumë pranë recesionit. E parë në këtë prizëm, rezultatet e arritura nga Kina jo vetëm promovojnë zhvillimin e saj ekonomik, por edhe forcojnë besimin e botës. 

Sipas raportit të bërë nga Drejtoria Shtetërore e Statistikave e Kinës, nga viti 2013 deri në vitin 2021, kontributi mesatar i Kinës për rritjen ekonomike globale i kaloi 30 për qind, duke zënë vendin e parë në botë. Në Panairin e 22-të Ndërkombëtar të Investimeve e të Tregtisë të Kinës të përfunduar pak ditë më parë, u nënshkruan mbi 480 marrëveshje me një vëllim total investimesh prej 342 miliardë juanë (rreth 49 miliardë dollarë).  Kina po i jep ekonomisë botërore besim e energji. (Fani)