Rama: Nafta falas, shpërndahen kartat për 27.000 fermerë
2022-09-17 11:55:44

Procesi i rimbursimit me kartat e naftës falas për fermerët po vijon në të gjithë territorin shqiptar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi përmes një njoftimi zyrtar se tashmë ka nisur shpërndarja e kartave për fermerët për naftën falas për punime të mekanizuara në bujqësi, me fondin shtesë të buxhetit prej 500 milionë lekë, nga paketa e rezistencës sociale.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se brenda shtatorit do të mbështeten edhe 9000 fermerë të tjerë.

Skema e naftës pa taksa për bujqësinë nisi në fillim të këtij viti, me një buxhet prej 950 milionë lekë. Me paketën e rezistencës sociale, kësaj skeme iu u shtua fondi edhe me 500 milionë lekë të tjera.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri të ditur për mbështetjen e bujqësisë me naftë pa taksa, ka pasur një kërkesë prej 49 mijë fermerësh aplikantë, shifër kjo që është regjistruar për herë të parë në këto nivele. (Irma)