Përkujtohet me një ceremoni homazh ish-ambasadori shqiptar në Kinë Hajdar Muneka
2022-09-16 10:35:59

Rreth pesë muaj pas ndarjes nga jeta të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, Hajdar Muneka, një ceremoni homazh u zhvillua në mjediset e Radiotelevizionit Shqiptar mbrëmjen e së mërkurës, me mbështetjen e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Radiotelevizionit Shqiptar, Grupit Mediatik të Kinës dhe familjes Muneka. 

Në fjalën e saj, ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Arta Dade, vlerësoi kontributin e ambasadorit Muneka në misionin e tij dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ndërsa ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, duke vlerësuar punën e ambasadorit Muneka, kujtoi miqësinë me të dhe e cilësoi si një mik të ngushtë të popullit kinez.

Një mesazh homazh iu drejtua ceremonisë nga drejtuesja e seksionit shqip të Grupit Mediatik të Kinës, Qu Ning (Vera), e cila e vlerësoi ambasadorin Muneka si “makinist” të trenit të miqësisë kino-shqiptare.

Gazetari Gëzim Podgorica njëherësh mik i ambasadorit të ndjerë Muneka, në fjalën e tij kujtoi komunikimin e fundit me të dhe dëshirën e shprehur prej tij për promovimin e librit të tij të ri “Guanxi-leva magjike që lëviz Kinën”.

Z.Zhou Ding, ambasadori kinez në ceremoninë përkujtimore

Z.Zhou Ding, ambasadori kinez në ceremoninë përkujtimore

Ceremonia përkujtimore(Foto:CMG)

Ceremonia përkujtimore(Foto:CMG)

Gazetari dhe shkrimtari Grigor Banushi, një ndër miqtë e kahershëm të ambasadorit Muneka, teksa kujtoi punën e tij si gazetar në “Radio Tirana”, bëri një analizë të librave kushtuar Kinës nga ky sinolog, diplomat e studiues, me një përkushtim të madh ndaj njohjes së këtij vendi të madh nga shqiptarët. Bashkëshortja e ambasadorit Muneka, Donika, solli për të pranishmit momente emocionuese nga jeta e tyre, kujtime nga misionet diplomatike në Kinë dhe lidhjen e ngushtë të tij me këtë vend.

Në ceremoni ishin të pranishëm ish-ministri i Jashtëm shqiptar Paskal Milo, drejtoresha e Institutit “Konfuci” në Tiranë, Zhang Xiaoying, diplomatë, gazetarë, familjarë dhe miq të ambasadorit të ndjerë Hajdar Muneka. Pjesë e mbrëmjes përkujtimore ishte dhe shfaqja e dokumentarit “Vlerë që rritet”, në nderim të jetës dhe veprimtarisë së ambasadorit Muneka, realizuar nga Grupi Mediatik i Kinës dhe Radiotelevizioni Shqiptar, si dhe promovimi i dy librave kushtuar “atdheut të tij të dytë”, Kinës: “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën” dhe “Guanxi-Leva magjike që lëviz Kinën”.

Libri i ri i z. Muneka, Guanxi(Foto:CMG)

Libri i ri i z. Muneka, "Guanxi-Leva magjike që lëviz Kinën"(Foto:CMG)

Hajdar Muneka ishte ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kinë dhe Malajzi, dhe jo resident në Singapor, Korenë e Jugut, Bangladesh, Japoni, Australi, Zelandën e re në vitet 1997-2001.

Falë studimeve universitare në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit ai ishte një njohës shumë i mirë i gjuhës dhe kulturës kineze, duke kontribuar si gazetar dhe studiues i çështjeve aziatike dhe marrëdhënieve shqiptaro-kineze në veçanti. Ai ishte edhe anëtar i Këshillit të Ambasadorëve shqiptarë, ku kontribuoi me eksperiencën tij të gjatë në fushën e diplomacisë.

Ceremonia homazh në nderim të jetës dhe veprimtarisë së ambasadorit Hajdar Muneka u pasqyrua nga mediat shqiptare brenda dhe jashtë vendit. (Eda Merepeza)