Kina, Rusia dhe Mongolia do të zgjerojnë planin e korridorit ekonomik
2022-09-16 11:49:43


Kina, Rusia dhe Mongolia kanë konfirmuar zgjatjen me pesë vjet të "Vijave bazë të planit të zhvillimit për krijimin e Korridorit Ekonomik Kinë-Mongoli-Rusi", u njoftua në një takim trepalësh të enjten në qytetin uzbekistanas të Samarkandit.

Të tre vendet nisën zyrtarisht studimin e zbatueshmërisë për përmirësimin dhe zhvillimin e linjës qendrore hekurudhore të Korridorit Ekonomik Kinë-Mongoli-Rusi dhe arritën konsensus për të zhvilluar projektin në seksionin mongol të gazsjellësit Kinë-Rusi.

Në takimin trepalësh, i gjashti i këtij lloji, ishin të pranishëm presidenti kinez Xi Jinping, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti mongol Ukhnaa Khurelsukh. Të tre udhëheqësit ndodhen në Uzbekistan për të marrë pjesë në  mbledhjen e 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Presidenti Xi tha se Kina, Rusia dhe Mongolia kanë pranuar ndërtimin e korridorit ekonomik që lidh të tre vendet, duke  zbatuar programe për të thelluar bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, shkëmbimeve kulturore-njerëzore e turizmit, dhe duke e bërë atë një platformë shkëmbimesh me cilësi të lartë për talentet.

Në ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për tregtinë ndërkufitare ndërmjet tre vendeve, Kina mirëpret më shumë institucione financiare nga Rusia e Mongolia për t'u bashkuar me Sistemin e Pagesave Ndërbankare Ndërkufitare në RMB, tha Xi.

Ai gjithashtu nënvizoi hovin dhe qëndrueshmërinë e fortë të bashkëpunimit midis Kinës, Rusisë e Mongolisë, duke vënë në dukje se, pavarësisht ndikimit të pandemisë së COVID-19, bashkëpunimi trepalësh nuk ka ndalur kurrë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha nga ana e tij se bashkëpunimi trepalësh ka dhënë fryte konkrete dhe se të tre vendet duhet ta kuptojnë e ta mbështesin më tej njëri-tjetrin si fqinjë të përjetshëm.

Ndërkohë, presidenti mongol Ukhnaa Khurelsukh theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën është përparësia kryesore e Mongolisë.

“Vendi ynë synon të forcojë më tej bashkëpunimin politik dhe ekonomik me dobi të përbashkët me fqinjët e tij në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik, si edhe të zbatojë programe e projekte të përbashkëta që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit tonë," u shpreh ai. (Çang Çuo)