Javën që lamë pas një ngjarje e rëndësishme kulturore rimori formën e saj pas disa vitesh mungesë “DIFF”, “Durrës International Film Festival”. Ishte mbrëmja e 6 shtatorit, e cila solli në Durrës një prej kolosëve të kinemasë dhe filmit autor në botë, regjisorin izraelit Ari Folman, fitues i “Golden Globe” dhe nominuar për “Oscar”. Ai prezantoi në Durrës filmin dokumentar “Vals me Bashirin”.
Foto nga Qendra Kulturore A.Moisiu
Drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Durrës, regjisorja Anila Varfi, solli javën e kaluar edicionin e 8-të të këij festivali. Një punë e ideuar dhe e realizuar me mjaft dashuri, e kuruar me kujdes deri në detaje.
Për RTSH Anila Varfi është shprehur:
“Këtë vit u dha një sinjal se “Durrës International Film Festival” në edicionin e ardhshëm në vitin 2023 do të vijë në gjithë plotësinë e tij. Në qytetin e Durrësit në skenën e Amfiteatrit Romak, u prezantua një ndër filmat autorët më të njohur internacional, si "Waltz with Bashir", por dhe mbërritja në qytetin e Durrësit e kandidatit të filmit “Oscar” Ari Folman, ndërsa filmi "The Congress" u shfaq në qytetin e Tiranës në kinema Millenium. Gjenialiteti i një njeriu, i cili ka sjellë, konfliktet dhe atë çfarë ndodh në territorin e Bejrutit. Në këtë film kuptojmë se nga lufta nuk ka fitues, por ka vetëm humbës, si dhe pasojat që sjell lufta e gjithçka tjetër. Ai është një nga autorët më të njohur ndërkombëtarë. Kjo është një tjetër mënyrë sjelljeje e asaj që industria e filmit arrin që ta mekanizojë dhe ta kthejë individin në një makineri, që më pas nuk e dinë se ku e çojnë pritshmëritë. Me shpresën që të kemi bashkëpunime, i mbetet kohës për të zbuluar gjithçka. Përsa i takon asaj që historia shqiptare, në lidhje me miqësinë, që ne dimë të presim, dimë të jemi besnik, ato që do të ishin vlerat tona. Prekëm sërish magjinë që ka Amfiteatri romak i Durrësit, publiku të gjejë magjinë e kinemasë, por edhe të plurosemi me paksa magji të asaj madhështie që ka pasur dikur Iliria dhe asaj çfarë do donim për t’i rivlerësuar si arketipe të këtij vendi, për ti jetësuar sërish në mënyra dhe forma të ndryshme. Durrësi është quajtur si taverna e Adriatikut dhe është vërtetë një brilant në bregdetin shqiptar që ka shumë histori të lashtë në të, që duhet mbajtur, duhet vlerësuar, duhet konservuar ajo çka është e shkuara jonë, për tu ndjerë edhe ne në plotësinë tonë e së tërës, si popull, si njerëz, si karakteristikat që ne kemi, vështirësitë që kemi pasur në jetë, por edhe vitalitetin që kemi si popull” ka theksuar Varfi.
Regjisori Ari Folman (Foto nga Qendra Kulturore A.Moisiu)
“DIFF” Durrës International Film Festival ka marrë vëmendjen përgjatë viteve, duke ftuar mjaft personalitete të kinematografisë botërore. Mbrëmja e 6 shtatorit solli një prej kolosëve të filmit autor në botë Ari Folman, fitues për “Golden Globe” dhe nominuar për “Oskar” . Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler është shprehur për mediat;
“Isha pak skeptik në fillim, kur Anila më tha, se donte të sillte, Ari Folman në Shqipëri. Por ja ku jemi sot, dhe bashkëpunimi ynë do të vijojë” tha ai.
Fillimisht Ari Folman firmosi pllakën që do të zejë vend para Teatrit “Aleksandër Moisiu” në krah të firmave të emrave të tjerë të mëdhenj të kinemasë botërore, që kanë marrë pjesë në edicionet e mëparshme të këtij festivali në Durrës si, Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Marco Bellocchio, Paolo Sorrentino, etj.
Më pas në ekranin e madh të vendosur nën yje, në arenën e Amfiteatrit Antik u shfaq filmi dokumentar, unik në botë për nga mënyra e realizimit “Vals me Bashirin”. Ndërsa Ari Folman prezantonte këtë film dhe arsyen pse zgjodhi teknikën e animimit për ta realizuar atë, mbi arenën e Amfiteatrit jehoi thirrja e ezanit të mbrëmjes dhe regjisori i madh u shpreh:
“Është fantastike, kaq autentike të shohësh këtë film nën këta tinguj. Filmi bazohet në një përvojë personale. Të gjitha luftrat kanë një fund tragjik. Zgjodha teknikën e animimimit, si mënyrën më të mirë për t’a përcjellë, sepse filmat ne i përjetojmë si një ëndërr. Nuk mund t’ju them si zakonisht ,shijojeni këtë film, por shpresoj të kaloni përmes një procesi emocional teksa shihni atë”, tha ai.
Në vitin 2008 regjisori i njohur izraelit, Ari Folman, me filmin dokumentar “Waltz with Bashir”, me një format unik në botë fitoi shumë çmime si: Golden Globe for Best Foreign Film, 6 Israel Academy Awards si dhe shumë çmime të tjera. Ndër arritjet e shumta të filmit “Waltz with Bashir” është dhe nominimi për “Oscar” në “Academy Award”. Në vitin 2013 Folman realizoi filmin “The Congress”, një film hibrid midis animimit me live action, ku në rolet kryesore janë Robin Wright dhe Harvey Keitel. Ky film u shpall fitues si Filmi më i Mirë Europian (European Academy Awards). Në vitin 2021 Ari Folman realizoi filmin “Where is Anne Frank”.
Përgatiti: Sava Lena