Starton në Shqipëri nisma “Uniforma ime”, për ta bërë sportin më masiv
2022-09-16 12:57:36

 

(Foto Facebook Federata Shqiptare e Futbollit)

Federata Shqiptare e Futbollit ka lançuar projektin “Uniforma ime”, në një event madhështor të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë, ku morën pjesë mbi 8 mijë të rinj dhe dashamirës të futbollit.

Kjo nismë synon të rrisë dhe masivizojë futbollin e moshave të reja në të gjithë territorin e vendit. Nga ky projekt do të përfitojnë uniforma dhe materiale sportive rreth 15 mijë futbollistë, të cilët janë të regjistruar në këtë aktivitet.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se ky projekt është një ndër më të rëndësishmit të realizuar deri tani, pasi i përket futbollit të bazës, atij që është edhe themeli i zhvillimit të futbollit në një vend. Ai theksoi se nuk do të ndalë angazhimi për t’u krijuar të rinjve ambientin perfekt për të luajtur futboll.

Duka vlerësoi edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, UEFA-s e FIFA-n, me të cilat janë realizuar projekte gjigante që kanë transformuar infrastrukturën e futbollit shqiptar.

E pranishme në këtë aktivitet, ministrja e Sportit dhe Arsimit, Evis Kushi, deklaroi se kjo nismë ka disa funksione, pasi ndihmon prindërit duke u ulur shpenzimet familjare dhe i ndërgjegjëson të gjithë për vlerat që ka sporti.

Ajo theksoi se përveç investimeve në infrastrukturën sportive, është punuar për të rritur numrin e orëve të edukimit fizik nëpër shkolla.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe ambasadori i UEFA-s dhe një prej yjeve të futbollit kroat dhe të Milanit, Zvonimir Boban, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, figura të shquara të futbollit shqiptar si edhe personalitete të tjera nga fusha të ndryshme të jetës, thuhet në njoftimin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit. (Irma)