Xi Jinping-u merr pjesë në bisedimet në shkallë të vogël të samitit të OBSh-së
2022-09-16 20:07:21

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping ishte të pranishëm të premten në bisedimet në shkallë të vogël të samitit të 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh).

Mbledhja u kryesua nga presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev. Udhëheqësit e vendeve anëtare të OBSh-së, si presidenti rus Vladimir Putin, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i Kirgizistanit Sadyr Zaparov, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon, kryeministri indian Narendra Modi dhe kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif morën pjesë dhe shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale që lidhen me situatën politike e ekonomike rajonale.

Në fjalën e tij, Xi Jinping-u vlerësoi lart përpjekjet aktive dhe kontributin e rëndësishëm të Uzbekistanit në përgatitjen e Samitit të Samarkandit e të veprimtarive të tjera dhe në promovimin e zhvillimit të OBSh-së si vendi kryesues i radhës i organizatës.

Presidenti Xi vuri në dukje se gjatë 20 vjetëve që nga themelimi i saj, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait ka mbajtur gjithmonë lart Shpirtit e Shangait dhe ka eksploruar gradualisht me sukses një lloj të ri të rrugës së rritjes së organizatave ndërkombëtare, duke grumbulluar dhe krijuar një varg përvojash frymëzuese e të rëndësishme. Ai u bëri thirrje vendeve anëtarë që të ruajnë drejtimin e duhur të zhvillimit të OBSh-së, të thellojnë bashkëpunimin në çdo fushë dhe të krijojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e çdo vendi anëtar. Ai paraqiti katër propozime.

Së pari, të këmbëngulet në Shpirtin e Shangait dhe të konsolidohen uniteti dhe bashkëpunimi. Përballë ndryshimeve komplekse të mjedisit të jashtëm, të gjitha vendet duhet të përkrahin njëri-tjetrin për interesat kryesore dhe çështjet thelbësore.

Së dyti, të respektohet pavarësia strategjike dhe të ruhet stabiliteti rajonal. Është e nevojshme të ndiqet koncepti i sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Duke u mbështetur në nevojat e sigurisë kombëtare e rajonale, duhet të forcohet konsensusi për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe të bashkëpunohet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Së treti, të forcohet aktivisht lehtësimi i tregtisë e investimeve, të ruhet funksionimi i lirshëm i zinxhirit industrial e zinxhirit të furnizimit dhe të realizohet zhvillimi i integruar i ekonomisë rajonale. Po ashtu, duhet të ndërtohet së bashku “Një brez, një rrugë” dhe të ndërlidhet me strategjitë e zhvillimit të të tëra vendeve anëtare.

Së katërti, të këmbëngulet në nxitjen e procesit të zgjerimit të anëtarësisë së OBSh-së për ta zgjeruar këtë organizatë, si edhe duhet të shtohet forca e saj për ruajtjen e drejtësisë ndërkombëtare. 

Xi Jinping-u theksoi se Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës do të mbahet së shpejti, për të hartuar në mënyrë të gjithanshme një plan për zhvillimin e Kinës në fazën e ardhshme. Pavarësisht se si do të ndryshojë situata ndërkombëtare, Kina do t'i përmbahet gjithmonë zhvillimit paqësor, të hapur, bashkëpunues e të përbashkët, do ta vlerësojë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait si një përparësi në diplomacinë e vet  dhe do të ndihmojë në zhvillimin e vendeve rajonale, duke krijuar përfitime për popujt e të gjitha vendeve.  (Fang Xiaoyu/Artan)