Ministrja Ibrahimaj: Rritja vjetore e të ardhurave, 100.4% e planit 8-mujor
2022-09-16 14:10:32

Foto: Facebook Ministria e Financave dhe Ekonomise

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 376 miliardë lekë, ose 100.4 % të planit të 8-mujorit.

Përmes një deklarate zyrtare, ministrja bëri të ditur se krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë, të ardhurat u rritën me 15.9% ose 51.6 miliardë lekë.

Ibrahimaj tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar për të ruajtur të gjithë parametrat fiskalë, si dhe ritmin e rritjes së qëndrueshme të ardhurave.

Në deklaratë thuhet se performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën janar-gusht 2022 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 361.66 miliardë lekë, me një realizim në masën 96.6 për qind të planit të periudhës, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.4 për qind më i lartë ose rreth 5.08 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 8-mujore rezultoi në rreth 14.5 miliardë lekë nga rreth 207 milionë lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 32 miliardë lekë, për periudhën 8-mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit. (Irma)