Si e presin fëmijët fillimin e vitit të ri shkollor
2022-09-15 15:54:06

Foto nga Real news.tv

12 shtatori shënoi ditën e parë të shkollës për arsimin parauniversitar, për vitin e ri 2022-2023. Fillimi i shkollës është një ngjarje e rëndësishme në jetën e fëmijëve, por edhe familjeve të tyre. Dita e parë e shkollës është një libër i bukur, që le shumë mbresa, të cilat mbeten gjatë në kujtesë. Marrëdhëniet midis familjeve dhe shkollës, ndihmojnë shumë në mbështetjen e kalimit me sukses të fëmijëve në shkollë.

Në ditën e parë të shkollës nxënësit e klasave të  para u njohën me mësuesin e tyre të parë, me shokë të rinj, me të cilët do të duhet të jenë bashkë në rrugën e dijes. Një përgjegjësi të rëndësishme për edukimin e fëmijëve tanë e kanë edukatorët. Fillimi i vitit të ri shkollor është një kohë e veçantë edhe për prindërit, të cilën duke u dhënë mbështetje fëmijëve dhe duke patur kontrollin e duhur, patjetër që në fund të vitit dhe rezultatet nuk do të vonojnë të vijnë. Këtë vit janë ulur për herë të parë në banka, rreth 29 mijë fëmijë. Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit, në klasën e parë janë ulur edhe fëmijë të cilët nuk i kanë mbushur ende gjashtë vjeç. Sipas Institutit të Statistikave në institucionet arsimore janë ulur rreth 4% më pak nxënës se  një vit më parë.

Për Grupin Mediatik të Kinës, Rozeta nga qyteti i Korçës, na tregon se vajza  i nisi këtë vit klasën e parë në të njëjtën shkollë ku ka mësuar edhe gjyshi i saj që në vitin 1964 në shkollën,  "Mësonjëtorja e Parë Shqipe" në Korçë.

Rozeta nga Korça: Përshëndetje Radio Ejani! Unë jam një prind nga qyteti i Korçës . Është kënaqësi që të flas për ditën e parë të shkollës së vajzës sime. Ajo filloi klasën e parë në shkollën “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” , me shumë emocione Po e priste me padurim këtë ditë ashtu si ajo edhe ne prindërit e saj. Ndihej e lumtur dhe kurioze për të takuar shokët e shoqet e saj të reja, gjithashtu dhe mësuesen e cila do ju hapë  dyert e rëndësishme të dijes dhe do i bashkëshoqërojë në hapat e tyre të parë. Sytë e vajzës sime shkëlqenin nga lumturia e ditës së parë Dua t’i uroj suksese vajzës time, si dhe të gjithë fëmijëve që ulen në bankat e shkollës për rrugën e gjatë të dijes!

Ndërsa disa fëmijë janë shprehur se: Shkolla është një mënyrë për të mësuar gjëra të reja dhe për të bërë miq të rinj.Njeri prej tyre është Franklin.

Franklin

Franklin: Unë këtë vit nisa klasën e parë. Klasa ime ishte e bukur dhe mësusja ime ishte shumë e mirë. Unë kisha disa shokë në klasën time që i kisha në parashkollor, por u mërzita që në një nga shokët e mi të ngushtë, nuk ishte në klasën time.

Ndërsa Besari është një tjetër nxënës nga Tirana. Si e ka pritur ai nisjen e këtij viti shkollor?

 Besari: Unë jam Besari nga Tirana dhe këtë vit jam në klasën e  tetë. Mezi e  prita këtë fillim të këtij viti shkollor dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë sa më mirë

Një tjetër nxënëse tregon emocionet e saj shkollore për mikrofonin tone. Ajo është Anja nga Tirana.

Anja

Anja: Unë quhem Anja dhe  këtë vit jam në klasën e tretë. Jam shumë e kënaqur që filloi ky vit i ri shkollor dhe po pres që të mësoj shumë. Më kishte marë malli për shokët dhe shoqet e klasës. Lënda ime e preferuar është matematika dhe i premtoj prindërve se do të mësoj gjithmonë.

Derani thotë se këtë vit meson në klasën e parë dhe ndjehet  shumë i lumtur që do të takojë shokët.

Ajseli i ka të qarta idetë për këtë vit shkollor.

Ajseli

Ajseli: E prita me padurim shkollën, më kishte marë malli për shokët dhe shoqet e klasës, por dua që këtë vit shkollor të kaloj sa më mirë. Rezultatet e mia në mësime shpresoj që të jenë vetëm dhjeta dhe prindërit t’i gëzoj sa më shumë. Librat këtë vit më duken pak të vështira, por duke mësuar shpresoj që t’i kem më të thjeshta

Fëmijët zhvillohen me ritme të ndryshme dhe mësojnë aftësi në mënyra të ndryshme. Fëmijët nuk janë të gjithë të përsosur, por ka shumë mundësi që fëmija juaj të përpiqet qoftë edhe në një lëndë që ai ka të preferuar  dhe në ato momente do të jetë e dobishme për ta, që të dinë se nuk kanë pse të jenë më të mirët në gjithçka, por duhet të përpiqen me më të mirën. Nuk ka nevojë për krahasime, thjesht prindërit duhet të bëjnë çmos që fëmija t’ja dalë në mësime.

Këtë vit në arsimin parauniversitar janë regjistruar rreth 450 mijë nxënës, një rënie e ndjeshme krahasuar me një vit më parë, kur ishin të regjistruar  454 mijë nxënës, dhe një prej këtyre shkaqeve është edhe emigracioni.

Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Elvisi nga Tirana tregon se  prej 3 vitesh jeton me famijen në Gjermani. Ai thotë se e bëri këtë zgjedhje për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij.

Elvisi

Elvisi:  Unë jam Elvisi dhe jetoj prej 4 vjetësh në Gjermani me familjen. Edhe në Gjermani ka nisur shkolla këtë javë. Djali i vogël është në klasën  e dytë, ndërsa djali i madh nisi klasën e pestë, që në Gjermani e quajnë “gjimnaz”. Të dy ishin shumë të lumtur që nisi shkolla, djali i vogël mezi po priste të takonte shokët e tij, ndërsa djali i madh të njihte shokët e rinj. Ndryshe nga Shqipëria, në Gjermani në shkollë nuk ka shumë nxënës në klasë dhe secili nxënës merr vëmendjen e duhur, ku i bie rradha për t’u pyetur më shumë nga mësuesi.

Në Shqipëri ndoshta nuk janë kushtet si këtu, por niveli i mësuesve në Shqipëri është shumë i mirë. Këtë e tregon fakti që nxënësit shqiptarë kudo ku shkojnë janë më të mirët, më të dalluarit. Kjo tregon se bazat në Shqipëri kanë qenë shumë të mira. Jemi këtu për një jetë më të mirë dhe fëmijët të marrin edukatën e duhur, të kenë një jetë edhe më të mirë se ne. Me këtë rast i uroj të gjithë fëmijëve shqiptarë kudo ku ndodhen, suksese dhe të arrijnë sa më lart  e të na ndëerojnë. Do përmendja së fundi një shprehje të bukur që më pëlqen shumë; “Lopata do jetë gjithmonë më e rëndë se lapsi”, prandaj mësoni që ta bëni jetën tuaj më të lehtë, e më të mirë. Suksese!

I urojmë  të gjithë nxënësve dhe arsimtarëve një vit të mbarë shkollor! Uroj që fëmijët tanë të jenë qytetarë të përgjegjshëm të së nesërmes.  Suksese të gjithë nxënësve në rrugëtimin drejt dijes në këtë vit të ri  shkollor 2022 – 2023!.  

Intervistoi: Sava Lena