Edlira Sulaj: Mbrojtja e traditës është obligimi im
2022-09-15 11:06:54

Kultura, tradita, zakonet janë ato që ruajnë identitetin e një populli. Për ta ruajtur këtë identitet duhet shumë punë dhe kujdes, të cilën më mirë se kushdo e ka bërë artizania Edlira Sulaj, e cila riprodhon dhe krijon veshje popullore shqiptare,  duke i ka ekspozuar brenda dhe jashtë vendit.

Ajo vijon edhe sot me të njëjtin përkushtim që ka pasur në nisjet e saj.

Së fundmi Edlira ka krijuar edhe një "Muze lëvizës",  i cili gjendet në pedonalen e Tiranës dhe fton të gjithë turistët ta vizitojnë për të njohur më tepër traditën shqiptare. Edlira ndan detaje nga jeta e saj profesionale dhe personale duke u shprehur se "Besimi e ka bërë të arrijë majat e suksesit ".

Edlira Sulaj duke treguar një veshje popullore (Foto personale).

Edlira Sulaj duke treguar një veshje popullore (Foto personale).

CMG: Edlira ku zë fill, takimi yt me këtë profesion?

Edlira Sulaj: Unë kam qënë një vajzë e rritur me një nënë, e cila  ishte rrobaqepëse dhe tradita kishte lindur tashmë brenda familjes sonë. Në një familje të tillë ne prej pasionit arritëm që të kemi një traditë të përcjellë ndër breza.

Unë nuk e di se kur ka nisur marrja ime me punët e dorës, sepse duke qënë  një familje që merreshim me to, më duket sikur kam një jetë. Jemi rritur me përgjegjësinë e të qenit vajza të punës unë edhe motrat e mia.

Por koha kaloi dhe rezultoi që kjo të ishte diçka pozitive dhe na përgatiti për jetën.

Sot unë e ndiej që fëmijëria ime ka lënë tek unë gjurmë, të cilat kanë rritur një grua me ëndrra për të punuar dhe për t’u zhvilluar.

CMG: Nëse do të duhej të flisje për veten, si do ta nisje rrëfimin e jetës?

Edlira Sulaj: Do ta nisja kështu " E nisa jetën ndryshe nga shumica ". Nëse në kohën kur unë mbylla arsimin 8-vjeçar, asnjë nxënës nuk e vazhdonte shkollën e lartë, unë e bëra. Ndoshta nuk vijova dot arsimin e lartë për arsye politike familjare, por të paktën mora arsimin e mesëm. Shkollë më vete për mua ka qënë jeta.

Të gjitha sfidat e mëmësisë më treguan që vetë jeta është shkollë dhe si e tillë duhet të dish ta pranosh e të punosh për të. Tani që kthej kokën pas them: " Unë i kam bërë të gjitha këto"?!

CMG: A ke pasur gjithmonë qëllimin për të bërë biznes me veshjet popullore?

Edlira Sulaj: Jo nuk e kam pasur, madje edhe vetë mënyra se si e kam nisur më ka bërë të kuptoj që ka qënë thjesht ngacmim prej pasionit.

Mua më vinte keq që të shihja veshjet tradicionale të dëmtuara dhe përpiqesha në shumë forma që t’i rregulloja ato aq sa mundesha.

Pastaj gjithçka mori formë dhe u kthye në biznes, kur njerëzit krijuan tek unë besimin dhe filluan të sillnin veshje popullore që unë t’i punoja.

Kam ndierë gjithmonë keqardhje për traditëm dhe lënien e saj në harresë. Ndaj e shoh veten sikur i kam hedhur një pikë uji për ta ringjallur traditën.

Edlira Sulaj (Foto personale)

Edlira Sulaj (Foto personale)

CMG : A mendon se të rinjtë janë po aq entuziastë për ta mbrojtur traditën?

Edlira Sulaj :  Unë mund të ndaj eksperiencën time për të cilën më lejoni t'iu them se kam  mësuar shumë vajza, të cilat kanë mësuar se si të trajtojnë një veshje popullore. Çdo veshje ka nevojë për trajtim sepse është një histori nga pas. Mund të kemi pasur probleme të ndryshme, por gjithmonë kalimtare. Gjithmonë kemi gjetur gjuhën e përbashkët që  të mbrojmë traditën. Ato janë udhëtare të rrugëtimit tonë  në këtë biznes.

CMG: Tradita. Al, çfarë e dallon nga bizneset e tjera në këtë sektor?

Edlira Sulaj: Mënyrëa se si e trajtojmë edhe klientin, por edhe veshjen na dallon.

Unë përpiqem gjithmonë që të zbuloj se nga më vijnë veshjet, pra origjina dhe rrënjët e tyre. Edhe qyteti edhe fshati lexohet nga veshjet, të paktën dikur kështu ka qënë. Me riprodhimin e veshjeve unë mund të mos jem gruaja më e pasur në Shqipëri, por shpirtërisht jam shumë e plotë.

Rikthimi në gjendjen fillestare i veshjeve tradicionale është obligimi ynë.

Gjithashtu obligim është që ta ruajmë me përcjelljen e trajnimeve tek të rinjte. Krahas vlerave historike që këto veshje kanë në një të ardhme kanë vlerë financiare.

Muzeu levises (Foto personale)

Muzeu levises (Foto personale)

CMG: A është ky biznes që ka të ardhura?

Edlira Sulaj: Ky nuk është lloji i biznesit që mund të cilësohet si me të ardhura të larta, por është lloji i biznesit që nëse ke durim mund t'ia dalësh që të kesh një biznes, i cili të siguron të ardhurat e duhura për të jetuar.

Në fakt, unë kam punuar edhe 16-orë dhe ka qënë një punë shumë e lodhshme për mua. Por, nëse dua t’i them diçka të rinjve do të ishte që ata duhet të sakrifikojnë për të ardhmen e historisë dhe trashëgimisë së vendit.

CMG: Ju së fundmi keni krijuar edhe një “Muze Lëvizës, si lindi kjo ide?

Edlira Sulaj: Kjo ide lindi nga dëshira për t’i pasur sa më afër turistët. Ndoshta nuk kishim pranë nesh çdo qytet, por ne mund të ndërtonim një muze lëvizës, i cili shkon në çdo qytet. Impakti që ka lënë ky muze lëvizës është tepër i madh.

E them me shumë bindje që i ka tejkaluar pritshmëritë që kisha për mënyrën si mund të pritej nga publiku. Ne po ju tregojmë të gjithëve se si është tradita jonë.

Turistët vijnë aty bëjnë fotografi, këndojnë dhe ndihen shumë mirë.

Kam qëndruar dhe deri në dy të natës në atë muze lëvizës, sepse kemi dëshirën e mirë për t’i treguar të huajve sa tradita të bukura kemi.

Edhe njerëzit që më njohin më thonë se ky muze është gjëja më e bukur që ata kanë parë.

Kostumet popullore (Foto personale)

Kostumet popullore (Foto personale)

CMG: Kush ka qënë njeriu që të ka mbështetur më tepër në rrugëtimin tënd?

Edlira Sulaj:  Njeriu që më ka mbështetur dhe që unë kam gjetur, njohur dhe vlerësuar edhe më tepër se veten time, ka qënë dhe do vijojë të jetë bashkëshorti im. Ka qënë njeriu që ka vendosur të gjitha balancat në jetën time.

Unë pavarësisht të gjithave ndihem fajtore që ju kam vjedhur kohë atyre për t'iu dedikuar këtij biznesi, por fatmirësisht kam qënë e rrethuar nga njerëz të cilët e kanë kuptuar pasionin tim. Familja ime dhe bashkëshorti im më besuan në çdo hap. Në sajë të këtij besimi unë jam sot një grua e realizuar.

CMG:  Edlira, a keni një mesazh për të rinjtë?

Edlira Sulaj: E mira vjen duke punuar, ajo nuk përplaset tek ti, por vjen vetëm duke punuar.

Intervistoi:Megi Latifi