Xi Jinping-u merr Medaljen "Miqësia Supreme" nga presidenti i Uzbekistanit
2022-09-15 21:19:22

Presidenti kinez Xi Jinping mori Medaljen "Miqësia Supreme" nga presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev në Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave të Samarkandit.

Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e dhënies së medaljes, Mirziyoev tha: “Sot është një ditë me rëndësi të madhe historike. Është një nder i madh për mua që t'i akordoj presidentit Xi Jinping nderimin më të lartë për të huajt të Uzbekistanit - Medaljen ‘Miqësia Supreme’. Presidenti Xi Jinping ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e miqësisë uzbekistano-kineze, në konsolidimin e besimit të ndërsjellë dhe në thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Populli uzbekistanas ka respekt të lartë për presidentin Xi Jinping”.

Presidenti Mirziyoev u shpreh më tej se, nën kujdesin dhe udhëheqjen e presidentit Xi, marrëdhëniet uzbekistanase-kineze janë bërë më të pjekura dhe më dinamike, duke arritur në nivele të larta si kurrë më parë. “Deklarata e nënshkruar e sotme do të ngrejë marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet të dy vendeve në një nivel të ri të lartë në epokën e re, duke vazhduar të sjellë përfitime për popujt e dy vendeve,” theksoi ai. 

Nga ana e tij, presidenti Xi Jinping u shpreh: “Presidenti Mirziyoyev më dha Medaljen ‘Miqësia Supreme’, gjë që pasqyron plotësisht rëndësinë e madhe që Uzbekistani u kushton marrëdhënieve me Kinën dhe miqësinë e thellë të popullit uzbekistanas për popullin kinez. Navoi, një poet i famshëm uzbekistanas, ka thënë: ‘Nuk ka asgjë më të bukur se të jetosh në miqësi’. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Uzbekistanit 30 vjet më parë hapi një kapitull të ri në miqësinë ndërmjet dy popujve. Marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet dy vendeve kanë arritur një zhvillim të shpejtë dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të frytshme, duke promovuar në mënyrë efektive zhvillimin dhe përtëritjen e të dy vendeve, si edhe duke i dhënë energji pozitive ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Azinë Qendrore dhe në botë në përgjithësi.”

Medalja "Miqësia Supreme" është nderimi më i lartë për të huajt i Uzbekistanit, i cili synon të vlerësojë ata që kanë dhënë kontribut të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me Uzbekistanin, zgjidhjen e çështjeve të nxehta ndërkombëtare e rajonale dhe dhënien e kontributit të veçantë në zhvillimin kombëtar të Uzbekistanit. Kjo është hera e parë që jepet Medalja "Miqësia Supreme".   (Fang Xiaoyu/Artan)