Xi mbërrin në Uzbekistan për një vizitë shtetërore dhe për samitin e OBSh-së
2022-09-15 11:26:50

Presidenti kinez Xi Jinping mbërriti të mërkurën në Uzbekistan për një vizitë shtetërore.

Xi do të marrë pjesë gjithashtu në mbledhjen e 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) në qytetin Samarkand të Uzbekistanit.

Ai u prit nga presidenti uzbekistanas Shavkat Mirziyoyev dhe zyrtarë të tjerë, duke përfshirë kryeministrin Abdulla Aripov dhe ministrin e Jashtëm Abdulaziz Kamilov.

Në një deklaratë me shkrim, Xi theksoi se miqësia ndërmjet Kinës e Uzbekistanit ka një histori mbi  2000-vjeçare dhe është ende plot energji dhe gjallëri.

Partneriteti i gjithanshëm strategjik Kinë-Uzbekistan ka ecur në rrugën e zhvillimit të shpejtë, tha ai, duke shtuar se do të zhvillojë diskutime të thella me Mirziyoyev-in lidhur me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Presidenti kinez shtoi se ai e mirëpret pjesëmarrjen në Samitin e OBSh-së në Samarkand dhe dëshiron të punojë me të gjitha palët për të çuar përpara Frymën e Shangait, për të thelluar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë dhe për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të OBSh-së. (Çang Çuo)