Edukimi i konsumatorëve për kursimin e energjisë elektrike
2022-09-15 10:11:02

Kriza energjitike vazhdon të jetë në fokus të qeverive për të menaxhuar situatën e krijuar. Veç masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare një rol luan edhe edukimi i konsumatorëve për kursimin e saj.

Ilir Bejtja (Foto Gazeta sot)

Ilir Bejtja (Foto Gazeta sot)

Zv/ministri i Energjisë, Ilir Bejtja, në një intervistë për mediat  u bëri apel edhe konsumatorëve që të mos e shpërdorojnë energjinë elektrike.

“Mendoj që menjëherë pas miratimit të tij nga qeveria ai do të bëhet i zbatueshëm. Jemi në kushtet e një emergjence dhe do të futet menjëherë në zbatim. Masat janë disa dhe janë të lidhura kryesisht me thirrjen dhe me masa të marra për edukimin e konsumatorëve që të kursejnë energjinë, ta përdorin atë në mënyrë eficente, të përdorin burime të tjera primare energjie për konsum, jo vetëm energjinë elektrike, të jenë eficentë në ndërtimet e tyre, gjë të cilën ne patjetër do ta kemi në fokus. Kjo  dhe nëpërmjet Agjencisë së Eficencës së Energjisë si dhe masa që lidhen me pjesën tonë të brendshme, vazhdimi i programit të uljes së humbjes së energjisë në rrjet, vazhdimi i programit për luftimin e abuzimeve të konsumit të energjisë në rrjet nga konsumatorë të ndryshëm, qofshin këto familjarë ose jo. Gjithashtu  me shtimin e burimeve të prodhimit të energjisë, të cilët në disa raste marrin më tepër kohë sesa ndërhyrjet e menjëhershme, si dhe një kontroll të vazhdueshëm me njësi taskforce në të ardhmen. Këto masa lidhen dhe me situatën shumë të vështirë hidrike që ne kemi në kaskadën e Drinit ku prurjet vazhdojnë të mbeten të ulëta, vazhdojmë të mbetemi në një stinë të thatë me shpresë që do të kemi ndryshime në të ardhmen dhe në kushte ku pjesa më e madhe e konsumit dhe e nevojës për konsum përballohet nga prodhimi vendas pasi importet janë sa të vështira aq dhe të shtrenjta.”- theksoi zëvendësministri Bejtja.

Kursim (Foto Albanian Post)

Kursim (Foto Albanian Post)

Sa i përket çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare, zv/ministri u shpreh se vazhdojnë të jenë të kripura.

“ I jemi larguar pak çmimeve të çmendura të dy javëve më pare, ku lëviznin nga 700 deri në 900 euro për megavat, tani jemi në kufijtë e 500 eurove por përsëri kjo është shumë e lartë si shifër. Presim që të kemi ndryshim edhe stabilizime në të ardhmen, që lidhen dhe me politikat e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë do të marrin në lidhje me shtimin, riaktivizimin e prodhimit të energjisë nga burimet e dikurshme të karbonit dhe të qymyrit apo naftës.”-shtoi Bejtja.

 

Problemi nuk është vetëm tek çmimi, por edhe tek fakti nësë do të sigurohet sasia e nevojshme. Lidhur me këtë Bejtja nënvizoi se:

 

“Shpresojmë të kemi mirëkuptimin e qytetarëve, të mos jemi në atë kokfortësinë se "S'ka problem se e paguajmë." Fakti është që të gjithë e paguajnë me 9.5 lekë ndërkohë që ne e blejmë në kufijtë e 92 lekëve kaq na kushton, pra 10 herë më shumë. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë që ndihma më e madhe për konsumatorin shqiptar është fakti që çmimi për familjarët nuk ndryshon aspak. Çmimi më i ulët në Evropë, nuk e di për në botë, por çmimi më i ulët në Evropë për konsumatorin familjar dhe po kështu vazhdojmë të mbështesim biznesin e lidhur me tension të mesëm dhe absolutisht nuk ndryshon tarifa për biznesin e lidhur në tension të ulët. Njoftime që i ka bërë dhe Kryeministri dhe Ministrja në vazhdim gjithmonë në komunikimet e tyre publike. Pra, kjo është ndihma sepse të gjithë thonë "Kosova kaq paketë, kjo aq paketë". Të gjithë këta vende e kanë ndryshuar çmimin dhe  kanë marrë këto masa të vendosjes së kufijve në konsum përpara se ne t'i konsideronim, ndërkohë që ne vazhdojmë të mbetemi ambiciozë në furnizimin e energjisë për konsumatorin familjar dhe për biznesin e vogël me të njëjtat tarifa.”- tha për Tv Klan   Zv/ministri i Energjisë, Ilir Bejtja.

 

Ndërkohë masa për kursimin e energjisë do ndërmarrin edhe institucionet shtetërore, ku do caktohet një person për çdo institicion, që do quhet administatori i energjisë, për të garantuar një ulje me 15 % te konsumit që është targeti që duhet arritur. Qeveria bëri publik objektivin për të ulur me 15% të konsumit mujor të energjisë, me parashikimin për të  kursyer 28 milionë euro në vit. Nga 14 shtatori ka nisur  një fushatë ndërgjegjësimi për kursimin e energjisë nëpër shkolla. Për të arritur gjithçka që po ndërmerret, do ringrihet task forca që do ketë si synim uljen e humbjeve në rrjet, kontrollin e gjithë faturave dhe matjeve, monitorimi i punonjësve të OSHEE dhe masat e eficensës së energjisë nëse do zbatohen.