Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev zhvilluan bisedime të mërkurën në Nur Sudan/ foto nga CGTN
Kina dhe Kazakistani arritën unanimitet të mërkurën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si ekonomia e tregtia, kapacitetet e prodhimit, ndërlidhshmëria dhe përballimi i pandemisë së COVID-19.
Marrëveshja u arrit gjatë bisedimeve ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij kazakistanas Kassym-Jomart Tokayev, pas mbërritjes së kreut të shtetit të Kinës në aeroportin ndërkombëtar "Nursultan Nazarbayev".
Presidenti Xi u nis nga Pekini në mëngjesin e së mërkurës për të marrë pjesë në Samitin e 22-të të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) dhe për vizita zyrtare në Kazakistan e Uzbekistan, me ftesën e Tokayev-it dhe të presidentit të Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev.
Marrëdhëniet e forta si shkëmb ndërmjet Kinës dhe Kazakistanit
Qysh prej vendosjes së lidhjeve diplomatike para 30 vjetëve, marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Kazakistanit kanë kaluar sprovat e ndryshimeve në arenën ndërkombëtare, theksoi Xi.
Sipas tij, të dyja vendet kanë qenë të parat në zgjidhjen e problemit të kufirit, në ndërtimin e tubacioneve ndërkufitare të gazit dhe të naftës, në praktikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në kapacitetet e prodhimit dhe në krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik të përhershëm, duke krijuar shumë "herë të para".
Xi Jinping shtoi që Kina do të jetë gjithmonë partnere dhe mike e besueshme e Kazakistanit.
Duke vënë në dukje se presidenti Xi zgjodhi Kazakistanin për vizitën e vet të parë jashtë vendit qysh nga fillimi i pandemisë së COVID-19, vizitë që përkon edhe me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kazakistanit dhe Kinës, Tokayev-i theksoi se kjo pasqyron plotësisht besimin e ndërsjellë të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve, si dhe partneritetin e gjithanshëm strategjik të përhershëm të nivelit të lartë.
Vizita e presidentit Xi do të bëhet me siguri një gur i ri kilometrik në historinë e marrëdhënieve ndërmjet Kazakistanit dhe Kinës, theksoi ai, duke shtuar se Kazakistani do të vazhdojë të respektojë me vendosmëri politikën e “një Kine” dhe do të jetë një partner e mik i mirë, tek i cili Kina mund të mbështetet në çdo rrethanë.
Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev zhvilluan bisedime të mërkurën në Nur Sudan/ foto nga CGTN
Nxitja e përbashkët e bashkëpunimit dypalësh
Bashkëpunimi Kinë-Kazakistan ka bazë të fortë, potencial të madh dhe perspektivë të gjerë, tha Xi Jinping-u.
Ai bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për ndërtimin e “Një brez, një rrugë” me cilësi të lartë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit novator në fusha si të dhënat e mëdha, inteligjenca artificiale, energjia e gjelbër dhe infrastruktura e gjelbër.
Nga ana e tij, Tokayev-i vuri në dukje se vitin e ardhshëm do të jetë 10-vjetori i propozimit nga presidenti Xi të nismës “Një brez, një rrugë” dhe, me këtë rast, Kazakistani do të vazhdojë përkrahjen ndaj kësaj nisme dhe pjesëmarrjen në të.
Nisma “Një brez, një rrugë” është bërë një motor i rëndësishëm për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, tha ai.
Liderët e të dy vendeve nënshkruan dhe publikuan një deklaratë të përbashkët mbi 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, duke deklaruar objektivin dhe vizionin e ndërtimit të një bashkësie me të ardhme të përbashkët Kinë-Kazakistan me miqësi të qëndrueshme, me besim të ndërsjellë të nivelit të lartë dhe me përballim të përbashkët të vështirësive.
Departamentet përkatëse të të dy vendeve nënshkruan edhe një numër dokumentesh të bashkëpunimit dypalësh në fushat e ekonomisë e tregtisë, ndërlidhjes, financave, veprave ujitëse dhe medieve. Të dyja palët vendosën të krijojnë konsullata përkatësisht në qytetin Xian të Kinës dhe në Aktobe të Kazakistanit. (Wang Lei/ Artan)