Xi Jinping-u takon homologun taxhikistanas Emomali Rahmon
2022-09-15 16:11:01

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të enjten paradite me homologun e tij taxhikistanas Emomali Rahmon. 

Gjatë takimit, Xi vuri në dukje se, qysh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Taxhikistanit, lidhjet dypalëshe janë zhvilluar me hapa të mëdhenj. Kina këmbëngul me vendosmëri në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Taxhikistanit dhe do të jetë gjithmonë një vend fqinj, mik dhe partner i besueshëm i Taxhikistanit. Tani gjendja ndërkombëtare e rajonale po përballet me ndryshime komplekse dhe të dyja palët duhet të vazhdojnë të përkrahin njëra-tjetrën dhe të nxitin arritjen e më shumë rezultateve konkrete në marrëdhëniet mes të dy vendeve, u shpreh kreu i shtetit kinez. 

Xi Jinping-u theksoi më tej se pala kineze është e gatshme të forcojë bashkëpunimin konkret me palën taxhikistanase, të shtojë importin e produkteve bujqësore cilësore nga Taxhikistani, të rritë përmasën dhe nivelin e tregtisë dypalëshe, të nxitë bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës, administrimit të ujit, transportit etj., të eksplorojë zhvillimin e teknologjisë së gjelbër, ekonomisë digjitale dhe inteligjencës artificiale, duke e ndihmuar Taxhikistanin të përmirësojë kapacitetet e tij të transportit tranzit. Pala kineze dëshiron të forcojë bashkëpunimin me vendet e Azisë Qendrore, përfshirë Taxhikistanin, në kuadër të mekanizmit të mbledhjes Kinë + Azi Qendrore (C+C5), duke thelluar bashkëpunimin kundër terrorizmit e duke ruajtur së bashku paqen rajonale. 

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Presidenti i Taxhikistanit Rahmon u shpreh se sivjet është 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike kino-taxhikistanase. Gjatë 30 vjetëve, marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve kanë përparuar me shpejtësi. Taxhikistani i përmbahet me vendosmëri parimit të “Një Kine”, këmbëngul që Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme territoriale e Kinës dhe do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri qëndrimet e Kinës mbi çështjet me interes thelbësor. Kina është jo vetëm një mike e mirë, por edhe një partnere e rëndësishme strategjike e Taxhikistanit, vuri në dukje Emomali Rahmon. Pala taxhikistanase dëshiron të mësojë nga përvojat e Kinës, duke forcuar bashkëpunimin në fushat e ekonomisë e të tregtisë, të bujqësisë, të transportit, të ekonomisë së gjelbër etj., për t'i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë. Taxhikistani është i gatshëm të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me Kinën në kuadrin e OKB-së, të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe të mekanizmit "Kinë + Azi Qendrore", për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë e rajonit. 
Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe mbi situatën në Afganistan, si edhe nënshkruan dokumente bashkëpunimi në fushat e ekonomisë digjitale, zhvillimit të gjelbër dhe transportit.  (Fang Xiaoyu/Artan)