foto nga CFP
Një armë “e fshehtë dhe që mund të përshtatet" u përdor nga qendra amerikane e zbulimit, Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA), për nisjen e një sulmi kibernetik kundër sistemit të postës elektronike të Universitetit Politeknik Veriperëndimor në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, i cili njihet për studimet në aviacion, fluturimet hapësinore dhe lundrimin detar, mësoi gazeta kineze “Global Times”nga një burim të martën.
Të hënën e kaluar, një grup teknik kinez shpalli se nxjerrja e shumë mostrave të virusëve trojanë nga terminalet e internetit të Universitetit Politeknik Veriperëndimor, me ndihmën e partnerëve evropianë dhe aziatikojugorë, identifikoi në mënyrë fillestare se sulmi kibernetik kundrejt këtij universiteti u krye nga njësia operacionale TAO (me kodin S32), pranë Zyrës së Zbulimit të të Dhënave (me kodin S3) të Departamentit të Informacionit (me kodin S) të NSA-së së ShBA-së.
Kundër Universitetit Politeknik Veriperëndimor, TAO-ja ka përdorur 41 lloje armësh për vjedhjen e të dhënave thelbësore teknologjike, përfshirë konfigurimin e pajisjeve kyçe të rrjetit, të dhënat e administrimit të rrjetit dhe të dhënat thelbësore operative. Grupi teknik zbuloi se mbi 1100 lidhje elektronike sulmi janë vendosur brenda universitetit dhe mbi 90 sekuenca urdhrash operacionale kanë vjedhur shumë dokumente të konfigurimit të pajisjeve të rrjetit, si dhe logaritme dhe dokumente të tjera kryçe.
Një analizë më e thellë e kryer nga Qendra Kombëtare e Reagimit Emergjent për Viruset Kompjuterike e Kinës dhe nga laboratori “Qi An Pangu” me seli në Pekin, tregon se kjo armë e "nuhatjes kibernetike", që njihet si “pirje çaji”, është një nga fajtorët e drejtpërdrejtë për vjedhjen e një numri të madh të dhënash delikate.
Në shkurt të këtij viti, ekspertët nga laboratori “Qi An Pangu” i thanë gazetës “Global Times” se kanë zbuluar një grup piratësh kompjuterikë të nivelit të lartë pranë NSA të ShBA-së, i cili ka përdorur një armë kibernetike me emrin “Telescreen” për mbi një dekadë, duke depërtuar në Kinë, Rusi, Japoni, Gjermani, Spanjë e Itali dhe duke përfshirë 287 institucione të rëndësishme si objektiva.
Zbulohet se “Telescreen” është përdorur bashkërisht me “pirjen e çajit” për nisjen e sulmit kundër sistemit të postës elektronike të Universitetit Politeknik Veriperëndimor, tha burimi.
Sipas tij, ekspertët kinezë zbuluan gjithashtu gjurmë të sulmeve të “pirjes së çajit” në rrjetin e institucioneve të tjera, gjë që tregon se arma ka gjasë të madhe të jetë përdorur nga TAO për sulme kibernetike masive kundër Kinës.
Krahas kësaj, sipas një raporti kërkimor me titull: “Dragnet-i amerikan: Dëbimi i nxitur nga të dhënat në shekullin e 21-të", që u publikua në maj nga Qendra mbi Ligjin e Privatësisë dhe Teknologjisë pranë Universitetit Georgetown, pas hetimeve dyvjeçare, kjo qendër zbuloi se, në emër të antiterrorizmit, Agjencia për Imigracionin dhe Doganat (ICE) e ShBA-së ka kapërcyer vijën e kuqe morale dhe ligjore në ndërtimin e një dragnet-i mbikëqyrës ndaj pjesës dërrmuese të amerikanëve, duke u shmangur nga kontrolli i Kongresit dhe ligji i privatësisë.
Kjo tregon se mundësia e pakufizuar e qeverisë amerikane për mbikëqyrjen e të dhënave është zgjeruar nga departamentet “e rregullta” ligzbatuese, si NSA, CIA, FBI dhe policia, në agjencitë administrative, si ICE.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning e nxiti ShBA-në të ndalojë menjëherë veprimet e gabuara, duke thënë se siguria kibernetike është një problem i përbashkët për të gjitha vendet në botë.
"Kina i ka kërkuar nëpërmjet kanaleve të ndryshme ShBA-së ta shpjegojë këtë sulm kibernetik me qëllim të keq dhe të ndalojë menjëherë veprimet e paligjshme. Por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete nga ShBA-ja," tha Mao. (Wang Lei/ Artan)