Ndër vite kjo këngë është kënduar në Shkodër, Korçë dhe Gjakovë, e madje ka patur dilema për origjinën e saj. Por, në të vërtetë kënga e ka një autor dhe ky është kompozitori Pjerin Ashiku.
Kompozitori Pjerin Ashiku dhe faksimile e tekstit te kenges - foto shkodraweb.info
Dikur, luhej në mbrëmjet e vallëzimit që organizoheshin në gjimnaz, në lulishtet popullore ndërsa gjatë verës ciftet pinin birrë, në dasmat tradicionale që gjithmonë gjenin një hapësirë që kabanë me klarinetë ta ndërprisnin dhe të fusnin "Lulja e majit", ajo luhej gjithmonë dhe këndohej nën buzë, si një premtim për dashuri dhe besnikëri të përjetshme. Njerëzit shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të embël, akujt e zemrës shkrimin dhe gjithçka bëhej më romantike dhe nostalgjike njëkohësisht. Nuk e teprojmë nëse themi se kjo këngë magjike u bë hymn i dashurive të asaj kohe. Ajo kishte marrë zemrat e të gjithëve dhe sidomos të shkodranëve. Po cila është historia e saj?
Ku lindi ajo dhe si u përhap me aq shpejtësi në të gjithë vendin?
Kafja e madhe, vend simbol i qytetit, pozicionuar ne Pjace - foto Flickr (kosta korçari)
Kënga lindi në Pijacën e Shkodrës, shëtitoren që përbën krenarinë e këtij qyteti, tempull i qytetarëve të saj, të cilët ndërtuan fatet e tyre në Pijacën e famshme. Pasi Pijaca ishte rruga ku hidheshin shikimet e para dhe shkëndijat e të rinjve ndizeshin. Në këtë Pjacë kanë lindur mijra këngë nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë. Aty, në Pijacë jetonte edhe kompozitori Pjerin Ashiku që përnatë dilte para atij që të gjithë e njihnin si "Dyqani i valutës", duke përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Si përherë, në krah të tij qëndronin dy aktorë brilantë të humorit shkodran, Tano Banushi dhe Bik Pepa. Aty ai pa një vajzë që për kompozitorin, kishte një vend shumë të rëndësishëm, aq sa ai i kushtoi një këngë.
Po kush ishte ky njeri që nxorri këtë këngë perlë e cila i ka rezistuar kohës për gjysmëshekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar?
Pjerin Ashiku lindi më 1926 në qytetin e Shkodrës, në një familje të vjetër dhe me tradita shkodrane. Familja e tij bënte pjesë në ato familje që kanë kultivuar kulturën në Shkodër. Kur ishte ende i vogël, i dhurojnë një kitarë dhe një fizarmonikë, të parat që kishin ardhur në Shkodër. Që në rini aktivizohet me orkestrën muzikore. Duke pa se ishte talent në muzikë, prindërit e fusin me marrë mësime muzike në violinë, por shumë shpejt u dallua si talent i lindur e shumë premtues në kitarë e fizarmonikë, instrumenta të cilat gjatë gjithë jetës do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore.
Shpejt u bë mik me artistët e qytetit, instrumentistë, kompozitorë, poetë dhe aktor. Por, për nevoja ekonomike ndërpret tërë aktivitetet muzikore dhe punon si punëtor në fabrikë duke drejtuar edhe trupën e Estradës, ku caktohet drejtues i saj. . Me krijimin e Estradës së Shkodrës caktohet me orkestrën e saj.
Foto ilustruese.Grupi instrumental i Teatrit Migjeni ne Shkoder- foto Teatri Migjeni
Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të paharrueshme që këndohen edhe sot, mbështetur kryesisht në motive popullore shkodrane. Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashikut përfshin 140 këngë, e shumë parodi e intermexo muzikore. Këngët e tij janë kënduar me sukses në Dekadat e Majit si përshembull këngët “Një zog i vogël” dhe “Ermira” , ai ishte autor i këngëve si “Trotuari i qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Miri i vogël”, “Kukulla”, “Valbona”, etj. Shuë prej këngëve nuk iu njihej autorësia, megjithëse ishin këngë të Pjerin Ashikut. Ata bëheshin përnjëherësh të dashura për publikun dhe këndoheshin kudo. E tillë është kënga "Lulja e majit" e cila nisi si histori personale e dashurisë dhe përfundoi rrugëve të Korçës si serenatë. Duhet pranuar me gojë plot se Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lulja e Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe shqiptare. Kënga mban të shënuar vitin 1954.
Ka vite që muzikanti i talentuar shkodran është larguar nga kjo jetë, por ka lënë pas një krijimtari të jashtëzakonshme artistike. Duke dëgjuar këngën e tij të interpretuar nga këngëtarë të ndryshëm në vite por ndryshe nga versioni origjinal, Pjerin Ashiku në ditë e fundit kur ishte i shtrirë në shtrat dhe Tonin Tërshana i shkoi për vizitë i la amanet që ta këndonte ne versionin origjinal.
“Lulja e majit” është më e bukura këngë e Pjerin Ashikut dhe ndër më të bukurat këngë të muzikës shqiptare. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe të shoqërojnë gjatë gjithë Pjacës së qytetit të Shkodrës, si hije të ëmbla.