Kumbaro: “Stacione parkimi” për turizmin detar
2022-09-14 12:56:02

Foto: RTSH

Për sezonin e ardhshëm turistik, në çdo bashki bregdetare do të ketë stacione të përcaktuara ankorimi për mjetet lundruese me qëllim ekonomik dhe turistik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale njoftoi se grupet e punës tashmë janë në terren dhe aplikimet do të kryhen brenda vjeshtës.

“Me miratimin e VKM-së për përcaktimin e stacioneve të ankorimit të mjeteve lundruese siç janë motorët e ujit, skafet, pedalonët dhe e gjithë gama që përdoret për aktivitet ekonomik turistik, është ngritur grupi i punës dhe po merret me identifikimin e këtyre pikave në çdo bashki bregdetare. VKM-ja për turizmin detar është miratuar në vitin 2020 dhe tashmë kemi të gjitha aktet nënligjore që na nevojiten”, - shkruan Kumbaro.

Ministrja bëri të ditur se aplikimi dhe lidhja e kontratës me subjektet ekonomike që do të menaxhojnë këto stacione parkimi për turizmin detar do të bëhet njëlloj siç lidhen kontratat për stacionet e plazheve dhe do të nisin brenda kësaj vjeshte.

Po ashtu, sipas ministres Kumbaro, operatorët e turizmit detar duhet të pajisen me certifikatë të posaçme nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sepse pa këtë certifikim asnjë operator ekonomik s’do të mundet ta ushtrojë këtë aktivitet. (Elona)