"Open Cinema", me shfaqje të filmave të ndryshëm në natyrë erdhi edhe këtë vit në edicionin e 6-të të tij. Si një spektakël mes këngëve dhe shfaqjes së filmave të vjetër shqiptarë, por dhe filmave nga kinemaja botërore, mbrëmjes “Open Cinema” nuk i kanë munguar gjatë këtij sezoni emrat e njohur të muzikës dhe kinemasë shqiptare. Ky projekt mbështetet nga Qendra e Kinematorgrafisë Shqiptare, e cila mbulon dhe filmat të financuar nga ana e saj. Kineasti dhe producenti i këtij aktiviteti Skënder Jaçe në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) tregon për risitë e këtij edicioni në qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe zbulon projektet në të ardhmen.
Skender Jace (Facebook)
CMG: Open Cinema erdhi këtë vit në edicionin e saj të gjashtë në disa qytete të Shqipërisë. Cilat ishin risitë që solli ky aktivitet këtë vit?
Skënder Jaçe: Dihet që kinemaja nëpër qytetet e Shqipërisë, sidomos në kohën e verës dhe sezonin turistik është një lloj civilizimi, një lloj kontakti me publikun pasi bëhet jashtë, është mënyrë e hapur ku i jep mundësinë të gjithë njerëzve të shikojnë falas. E veçanta në këtë edicion ishte se ne zgjodhëm filmat e fundit të kinemasë shqiptare të metrazhit të shkurtër që ishin mjaft interesant, por ajo që e bëri akoma më të gjallë aktivitetin ishte fondi i Arkivit Shtetëror të Filmit, i cili solli në vëmendjen e publikut zhvillimet në etapa të ndryshme të historisë në të gjitha qytetet e vendit. Pra në çdo qytet që ishim, ne shfaqnim qytetin që nga vitet 45 dhe deri në vitet e fundit. Ky ishte një lloj ngacmimi për publikun, pasi secili shikonte qytetin sesi ka qenë, shikonte njerëzit e tij, dikush babanë, dikush nënën dhe dikush tjetër motrën. Pra ishte një lloj ngacmimi në ekranin e madh për të gjitha qytetet.
CMG: Ky vit përkoi dhe me 70 vjetorin e Kinostudios dhe ishte një vit ndryshe nga vitet e mëparshme.
Skënder Jaçe: Po, ishte 70 vjetori dhe ne përfituam nga rasti që nga sheshi i çdo qyteti ku zhvillohej aktiviteti, të bënim përshëndetje të veçanta për të gjithë aktorët që janë shuar, regjisorët e mirë që kemi pasur në Kinostudio. Ishte edhe një lloj homazhi në këtë 70 vjetor ku Open Cinema solli mjaft surpriza për publikun, duke kujtuar herë pas here në retrospektiva në ekranin e madh.
Skender Jace gjate nje aktiviteti (Facebook)
CMG: Përveç qyteteve të mëdha të Shqipërisë dhe atyre bregdetare, ju ishit me këtë projekt dhe në qytete të vogla të vendit. Si ishte pjesëmmarja në këto qytete dhe përshtypjet e publikut për aktivitetin?
Skënder Jaçe: Nga qytetet e vogla ne e filluam këtë projekt nga Bilishti, një pritje e jashtëzakonshme ku pedonalja nuk kishte vend në darkë dhe megjithëse një natë ra shi, publiku përsëri nuk largohej nga street, por prisnin që të pushonte shiu dhe të vinin prapë. Ishte një interesim i veçantë për vetë faktin që kinemaja mungonte prej shumë kohësh në këto qytete. Kështu u pritëm dhe në qytetin e Patosit, një publik i shkëlqyer në të trija netët. Edhe në qytetin e Gjirokastrës u pritëm shumë mirë ku kishin ardhur mjaft njerëz.
Pastaj dihet që qytetet bregdetare kanë mundësinë më të madhe pasi aty prekëm edhe shumë turistë, të cilët jepnin një lloj atmosfere kur këndohej kënga shqiptare para ekranit dhe ata kërcenin bashkë me këngëtarët.
CMG: E veçanta e këtij aktiviteti është dhe ndërthurja e transmetimit të filmave në ekranin e madh me muzikën. Cilët këngëtarë ishin pjesëmarrës këtë edicion?
Skënder Jaçe: Prezanca e këngëtarëve e bën më të gjallë aktivitetin, pasi të gjithë këngëtarët e mëdhenj që bënë epokë në festivale të ndryshme të këngës shqiptare kanë qenë dhe pjesëmarrës në filmat shqiptar me kolonën zanore. Kështu që ne kemi emetuar shumë filma shqiptarë, duke i kënduar para ekranit këngëtarë si Irma Libohova që ka qenë prezent, Liljana Kondakçi e cila ka shumë filma me kolonën zanore, Kozma Dushi ishte i ftuar dhe vumë re që publiku i kërkonte dhe i duartrokiste jashtëzakonisht. Dikush ka nostalgji, por me thënë të vërtetën këta këngëtarë nuk kanë kaluar në muzikën tallava, në kuptimin e prishjes së muzikës shqiptare, por qëndrojnë akoma në themelet e këngës shqiptare. Kështu që u pritën mjaft mirë në çdo qytet.
Posteri i Open Cinema ne qytetin e Kukesit (Facebook)
CMG: Që nga nisja e këtij projekti 6 vite më përpara, a mendoni se ka ardhur në rritje si aktivitet?
Skënder Jaçe: Natyrisht që ka krijuar shtratin e saj, ka ardhur në rritje aktiviteti Open Cinema dhe ajo që na bëri përshtypje është se vjet kishim 5 vjetorin dhe nxorëm një klip “Eja në Open Cinema” të cilin e këndon Irma Libohova, e shkrirë me të gjithë artistët e botës por edhe me artistët shqiptarë. Vumë re në qytetet që e kishim shfaqur e prisnin me padurim dhe publiku e këndonte këngën para shfaqjes së filmit bashkë me klipin që transmetohej në ekran. Pra sivjet kishte një ngritje në spektatorë, por dhe një lloj pritje pasi u edukuan dhe u mësuan që në këtë muaj, vitin tjetër Open Cinema do të jetë pranë tyre, kështu që u përcoll mjaft mirë.
CMG: Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës dhe aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, ku disa prej tyre ishin protagonistë të filmave që u shfaqën në ekran dhe publiku takohej me aktorët, duke bërë dhe foto.
Skënder Jaçe: Ne shfrytëzuam rastin se sa mbaroi restaurimi i kopjes së filmit “Vdekja e kalit”, një film që ka bërë shumë bujë në ato vite kur ka dalë dhe kishim kastin e aktorëve që luajnë në atë film me kopjen e restauruar. Kishim me vete aktorë si Timo Flloko, Raimonda Bulku, Fitim Makashi dhe mjaft të tjerë. Gjithashtu kishim dhe regjisorin e filmit Saimir Kumbaro, i cili solli në vëmendje realizimin e filmit dhe vështirësitë që ka ndjerë ai, pasi dihet që ky film është realizuar në vitet kur demokracia akoma nuk kishte hyrë, Kinostudio kishte filluar krizën e saj. Këto krijuan një lloj kurioziteti tek publiku dhe aq më tepër që spektatorët kërkonin të bënin ndonjë fotografi me aktorët pjesëmarrës.
CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e aktorëve pjesëmarrës për aktivitetin?
Skënder Jaçe: Ne në qytetin e Beratit një mbrëmjë ia kishim kushtuar regjisores së njohur Xhanfize Keko, pasi ajo ka bërë dy filma shumë të bukur që kanë mbetur në fondin e artë të kinemasë. Me këtë rast erdhi regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj bashkë me skenaristen e filmit Natasha Lako dhe ata e prekën këtë gjatë diskutimit para ekranit, ku thanë se shikonin një rritje jashtëzakonisht të madhe sivjet në qytete.
Aktoret e filmave shqiptare ne Open Cinema (facebook)
Kjo do të thotë që Open Cinema po e bën efektin e saj në vite dhe me këtë dua të them se ky aktivitet po vjen në rritje. Ky është një format që e përdor gjithë bota dhe natyrisht edhe shqiptarët nuk mund të përjashtohen nga ky lloj aktiviteti në stinën e verës, i cili sjell një oaz shlodhës, një freski jo vetëm me filmat, këngëtarët, aktorët, por dhe me surpriza që ne dimë t’i kordinojmë bukur gjatë projeksioneve të ndryshme në çdo mbrëmje.
CMG: Cilat kanë qenë vështirësitë dhe sfidat për organizimin e një aktiviteti të tillë në qytete të ndryshme të vendit?
Skënder Jaçe: Të flasësh për filmin është luks në këtë kohë që jetojmë dhe kërkon fonde. Ne jemi dy veta me një sipërmarrje gjigante, kur dihet që jashtë ka stafe që punojnë nga 10-15 veta, kurse ne për mos ta lënë të vakët përsëri tërheqim me vete shumë këngëtarë dhe aktorë, që përkthehen në shpenzime. Me gjithë vështirësitë, filmi është si ai krimbi ku ne nuk na rrihet, jemi mësuar me këtë, kështu që me pak sforco por i harrojmë të gjitha kur shikojmë ekranin ngritur dhe njerëzit rreth ekranit, të cilët mbushin sheshet në çdo qytet.
CMG: Edhe këtë viti ky projekt u mbyll me sukses, por cilat janë projektet e tjera në vazhdim?
Skënder Jaçe: Mos të harrojmë që kemi sezonin e dimrit para dhe natyrisht kinemaja dhe në dimër është një gjë mjaft e bukur sepse mblidhen njerëzit nëpër salla dhe diskutojnë. Ne kemi në objektiv “Javën e Filmit Europian”, që duam ta zhvillojmë në 3-4 qytete. Kemi dhe premiera të reja të cilat janë restauruar, si filmi “Tana” i regjisorit të njohur Kristaq Dhamo i cili është ndarë nga jeta, mirëpo e ka lënë amanet që filmi të shfaqet në Korçë, ku ai ka pasur edhe shumë xhirime. Kështu që filmi do të shfaqet në qytete të Shqipërisë. Gjithashtu kemi filmin e regjisorit të njohur Saimir Kumbaro “Koncert në vitin 1936”, i cili është restauruar, ka dalë një kopje shumë e mirë dhe arkivi ka bërë një punë shumë të bukur me filmin, që do ta promovojmë në disa qytete. Pra dhe në sezonin dimëror jemi të mbuluar me aktivitet, lëvizje gjithmonë me filmin.
Intervistoi: Gazmend Agaj