Çmimi i energjisë dhe ndryshimet nga 1 tetori
2022-09-14 09:50:38

Nga data 1 tetor familjet do të paguajnë çmimin e energjisë elektrike me 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat mbi 800 KWH që shpenzojnë. Familjet që shpenzojnë deri në 800 KWH do të vijojnë ta paguajnë energjinë elektrike njëlloj si sot me 9.5 lekë. Çmimi 42 lekë për kilovat do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor dhe më pas do të rishikohet në varësi të situatës. Çmimi do të aplikohet 35 lekë për kwh, për çdo kiliovat mbi fashën e caktuar 800 dhe 7 lekë tarifa e transmetimit dhe shpërndarjes.

Matja e energjisë elektrike(Foto Albanian Construction Portal)

Matja e energjisë elektrike(Foto Albanian Construction Portal)

Detajet lidhur me pagesën e energjisë elektrike janë prezantuar edhe nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

“Ndërkohë që sipas gjithë llogarive tona efektet e fashës 800 KWH, pra duke vendosur fashën 800 KWH nga data 1 tetor, në 15 muajt e ardhshëm, pra nga 1 tetori i 2022-shit deri në dhjetor të 2023-shit ne do të kursejmë 100 milionë euro. Gjithashtu parashikohet që të kemi një ulje me 2.5% të konsumit të përgjithshëm të energjisë. Diçka që i intereson të gjithë abonentëve, sidomos atyre që përdorin mbi 800 KWH do të jetë çmimi që do të aplikojmë në të ardhmen. Pra çdo kilovat/orë mbi 800 KWH, pra nga 801 KWH e sipër, çmimi që do të aplikohet është 35 lekë për KWH plus 7 lekë tarifat e transmetimit dhe shpërnadrjes, një total prej 42 lekë. Ndërkohë që duhet ta krahasojmë me çmimin që ne aplikojmë dhe çmimin që nuk e kemi ndryshuar, pra atë çmim që qeveria shqiptare ka mbrojtur që është nga 0 - 800 KWH dhe mbetet i pandryshuar 9.5 lekë.”- thekson Balluku.

Ministrja Belinda Balluku (Foto Facebook )

Ministrja Belinda Balluku (Foto Facebook )

Ministrja ka theksuar edhe rëndësinë e kursimit.

“Çelsi për të pasur sukses në përballimin e kësaj krize të re, të kësaj sfide me të cilën po përballet e gjithë bota, është padyshim kursimi. E kemi thënë disa herë, e kemi përsëritur, kemi nisur një fushatë prej disa javësh, por sigurisht është vërtetë e vështirë ndoshta për t’u perceptuar kur fatura vazhdon dhe vjen me të njëjtin cmim. Për sa kohë abonenti ka këtë mbrojtje që është ofruar nga qeveria shqiptare përmes paketës sociale, ndoshta ka të pamundur të kuptojë se cfarë në të vërtetë po ndodh. Nga ana tjetër edhe fakti që ne nuk kemi aplikuar dhe nuk do të aplikojmë në Republikën e Shqipërisë ndërprerje energjitike, sërish e bën të vështirë perceptimin e kësaj krize. Por ka ardhur momenti që të gjithë bashkë të kontribuojmë për të kursyer.”- shton Balluku.

Ndërsa do të realizohet edhe një projekt pilot nga  Agjencia e Eficencës së Energjisë për të ndërtuar impiantet e tyre të ngrohjes së ujit ku qeveria përveç thirrjes për kursim do të kontribuojë përsa i përket dhe një subvencioni të rëndësishëm.

“Një familje shqiptare konsumon nga 20-30% të energjisë për ngrohjen e ujit. Për këtë arsye ne kemi vendosur përmes Agjencisë së Eficencës së Energjisë që të nisim një projekt, i cili do të nisë me 2000 abonentë dhe më pas sipas ecurisë së këtij projekti që unë jam e sigurtë që do të jetë një projekt i cili do të gjejë zbatim menjëherë dhe qytetarët do të kenë mundësi që të aplikojnë për këtë në mënyrë transparente ne do të vazhdojmë edhe pas 31 marsit me fazën e dytë të projektit. Ky projekt konsiston në mbështetjen financiare 70% të kostos për vendosjen e paneleve diellore në taracat e pallateve dhe si rrjedhojë ngrohjen e ujit që konsiston në një ulje të konsumit energjitik nga 20-30%. Ky do të jetë një process, i cili do të fillojë në 1 tetor, me garën e parë që i drejtohet prodhuesve dhe instaluesve për të marrë çmimin më të mirë të tyre dhe për të bërë një listë të shkurtër me entitetet të cilët do të ofrojnë këtë shërbim. Më pas në 1 nëntor Agjencia e Eficencës së Energjisë do të hapë një platformë ku të gjithë qytetarët do të aplikjnë për të marrë këtë grant dhe për të ndërtuar impiantet e tyre të ngrohjes së ujit. Gjithashtu taskforca do të monitorojë nëse i gjithë procesi pra nga marrja e grantit deri në instalimin dhe prodhimin e energjisë është bërë ashtu sic duhet Në rast se ky proces do të jetë i susksesshëm në 31 mars ne do të lancojmë paketën e dytë edhe me më shumë familje” sqaron ministrja.

Fasha energjisë(Foto ministria energjise)

Fasha energjisë(Foto ministria energjise)

Ekspertët tashmë kanë bërë edhe përllogaritje të efektit pozitiv nëse kursejmë.  Nëse ne kursejmë 1% të konsumit total të energjisë, kjo do të ishte ekuivalente me 28 milionë euro në vit, thotë Balluku.

“Duhet thënë gjithashtu që kemi vendosur të nisim nga vetja për të dhënë shembullin më të mirë. Institucionet publike konsumojnë 5% të konsumit total në vendin tonë, për këtë arsye një ulje me 15% e konsumit mujor është targeti që ne duam të arrijmë. 1% ulje e kosnumit total vjetor në sistemin energjitik, ashtu sic përmenda dh emë lart është ekuivalente e 28 milionë eurove, për këtë arsye për të gjitha institucionet shtetërore ne do të kërkojmë emërimin pra brenda stafit, gjetjen e një personi i cili ka sensitivitet dhe do ta marrë këtë detyre për ta kryer ashtu sic duhet që do të quhet Administratori i Energjisë që duhet të kujdeset për të arritur targetin që do të ketë çdo ndërmarrje, çdo institucion për të ulur konsumin energjitik me 15% të faturave aktuale. “- tha Balluku

Duke vendosur këtë fashë mbi 800 kilovatore nga 1 tetori deri në dhjetor të vitit 2023 ministrja u shpreh se do kursejmë 100 milionë euro. Aktualisht një familje shqiptare që harxhon maksimumin e 800 kWh, e paguan 9.5 lekë kilovatin ( pra makismumi 7 mijë e 600 lekë në muaj ). Ndërkohë nëse një familje do të harxhojë 801 kWh do të paguajë 7 mijë e 600 lekë për 800 kWh (çmimin normal), ndërsa 1 kWh do ta paguajë me 42 lekë. (Per çdo kWh që harxhon mbi këtë limit).