Xhaçka: Fuqizimi i grave, shtyllë qendrore e politikës sonë të jashtme
2022-09-14 14:36:17

Foto: VCG

 Nga konferenca “Formësimi i Politikës së Jashtme Feministe”, mbajtur në Berlin, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se Shqipëria është e përkushtuar në agjendën e grave në rang kombëtar dhe ndërkombëtar së bashku me partnerët.

Në fjalën e saj, Xhaçka tha se politika e jashtme feministe është një platformë e rëndësishme që synon të zgjerojë dhe forcojë rrjetin e avokatëve të barazisë gjinore, citon “ATSH”.

Xhaçka u shpreh shumë e kënaqur që përtej sfidave me të cilat po përballemi, kjo agjendë nuk është lënë mënjanë.

“Përfaqësimi i grave në tryezë mbetet prioritet kryesor, veçanërisht në këto kohë”,- theksoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka shtoi se përfaqësimi i grave nuk është një çështje për më vonë. Në Shqipëri e kuptuam vonë këtë, kur e pamë se çfarë ndryshimi bënte përfshirja e grave në nivelet vendimmarrëse,- tha ajo. Xhaçka nënvizoi se Shqipëria ka aktualisht një nga përqindjet më të larta të ministreve gra në botë. 60% e të gjitha posteve të nivelit të mesëm dhe të lartë në administratën publike mbahen nga gratë.

“Ka akoma shumë punë për të bërë, por impakti është i dukshëm. Kjo përvojë e jona na shtyu ta bënim fuqizimin e grave një shtyllë qendrore të politikës sonë të jashtme”,- tha Xhaçka. (Elona)