Tregtia elektronike plotëson kërkesat dhe shijet e klientëve
2022-09-14 09:57:16

Të dhënat nga Zyra Shtetërore e Postës treguan se nga janari në korrik, 60.8 miliardë pako u shpërndanë në Kinë, një rritje prej 4.3 për qind në bazë vjetore. Të ardhurat e biznesit të sektorit arritën në 588 miliardë juanë, 3.7 për qind më shumë nga viti në vit. Përmes tregtisë elektronike, konsumatori mund të përmbushë kërkesat me mallra që s’mund t’i gjejë në afërsi të vendbanimeve të tyre, por edhe si një mënyrë më komode të blerjeve.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Tregtia elektronike plotëson kërkesat dhe shijet e klientëve

 

Rritja e shitjeve ndikohet edhe prej rrjetit të avancuar të dërgesave që i çon prodhimet e fermës më afër njerëzve.

Banorja e Chongqing, Fan Xiaojin, ende kujton shijen delikate kur provoi jizong, një kërpudhë nga provinca Yunnan, për herë të parë më shumë se 15 vjet më parë.

“Shoqja ime e kolegjit nga Yunnan e solli nga shtëpia dhe e ndau me ne. Ishte e marinuar me vaj e kripë dhe e ruajtur në një shishe qelqi. Edhe pse dukej thjesht si perime turshi, një kafshatë më dërgoi në parajsë”,- tha 38-vjeçarja, duke shtuar se nuk kishte për ta harruar kurrë atë shije.

“Nuk kishte mundësi për ta blerë në Chongqing në atë kohë, kështu që gjithmonë i kërkoja shoqes sime të më sillte një kavanoz kur ajo shkonte në shtëpi dhe e shijoja çdo kafshatë të saj”,- kujton Fan.

Jizong  është një kërpudhë e ngrënshme e rritur në Yunnan që prishet lehtë dhe është e vështirë të ruhet.

“Nuk është ende një ushqim popullor që mund ta gjej në çdo dyqan ushqimor në Chongqing, por tani mund ta blej lehtësisht në internet dhe ta marr në më pak se një javë”,- tha ajo.

Ky është një shembull se si tregtia elektronike dhe shpërndarja e porosive po nxisin konsumin dhe po promovojnë zhvillimin ekonomik në Kinë.

Të dhënat nga Zyra Shtetërore e Postës treguan se nga janari në korrik, 60.8 miliardë pako u shpërndanë në Kinë, një rritje prej 4.3 për qind në bazë vjetore. Të ardhurat e biznesit të sektorit arritën në 588 miliardë juanë (85.7 miliardë dollarë), 3.7 për qind më shumë nga viti në vit.

“Në gjysmën e parë të vitit, industria kapërceu ndikimin e pandemisë dhe faktorëve të tjerë, dhe shifrat e dorëzimit të pakove janë rimëkëmbur me shpejtësi pas një rënie të shkurtër, duke pasur rritje pozitive dhe duke treguar rezistencë të mirë”,- tha Wang Yuehan,  studiuese në qendrën e zhvillimit dhe kërkimit të Zyrës së Postës.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se vëllimi mesatar ditor i biznesit është rikuperuar në më shumë se 300 milionë artikuj të trajtuar, duke tejkaluar nivelin e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, shitjet me pakicë në internet të mallrave fizike të Kinës ishin 5.45 trilionë juanë në gjysmën e parë të vitit 2022, një rritje prej 5.6 për qind nga viti në vit.

Shitjet me pakicë “online” të mallrave fizike zënë 25.9 për qind të totalit të shitjeve me pakicë të mallrave të konsumit.

Shitjet me pakicë në internet, të mbështetura nga shërbimet e dërgesës së porosive, përbënin më shumë se një të katërtën e shitjeve totale me pakicë, tha Liu Jiang, studiues nga qendra.

Zgjerimi i rrjetit të logjistikës në zonat rurale jo vetëm që ka rritur konsumin, por ka rritur edhe shitjet e prodhimeve bujqësore.

Vitin e kaluar, 37 miliardë pako u mblodhën dhe u dorëzuan në zonat rurale në Kinë. Nga janari deri në qershor janë dërguar 21.9 miliardë pako nga dhe në zonat rurale. Shitjet “online” të prodhimeve bujqësore ishin më shumë se 290 miliardë juanë, një rritje prej 12.4 për qind nga viti në vit.

Prodhimet e freskëta bujqësore që shpesh shiten në dyqane në zonën lokale, të tilla si kërpudhat nga Yunnan, qershitë nga provinca Shandong   dhe “lychees” nga provinca Hainan, tani mund të blihen përmes tregtisë elektronike dhe të dërgohen nëpër shtëpitë e klientëve përmes sistemit të dorëzimit të pakove.

 

 

 

“Zhvillimi i shpejtë i sektorit të dërgesave të pakove ka përfituar nga ekonomia e qëndrueshme e Kinës. Sektori, i cili ka ndihmuar në prodhimin industrial dhe ka përmirësuar jetesën e njerëzve, ka nxitur ekonominë”,- tha Zhao Guojun, drejtor i Qendrës Kërkimore të Zhvillimit Postar të Universitetit të Postës dhe Telekomunikacionit të Pekinit.

 

Sektori ka luajtur gjithashtu një rol vendimtar në sigurimin e jetesës së njerëzve dhe prodhimin industrial gjatë epidemisë.

Kina ka rreth 4 milionë të punësuar në këtë sektor.

“Miliona vende pune të krijuara nga sektori kanë kontribuar në stabilitetin social”,- tha Zhao.