Të enjten dhe të premten, në Samarkand të Uzbekistanit do të mbahet mbledhja e 22-të e Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). Ish-zëvendëssekretari i përgjithshëm i OBSh-së, Vladimir Potapianko, tha në një intervistë disa ditë më parë se Organizata e Bashkëpunimit të Shangait është një organizatë mjaft e re dhe me zhvillim të shpejtë, që do të vazhdojë të gjejë pozicionin e saj në një botë që ndryshon me shpejtësi.
"Unë besoj, mbi bazën e vizionit të përbashkët të shpallur nga liderët e vendeve anëtare, të respektit ndaj Shpirtit të Shangait dhe zbatimit të parimeve, detyrave e qëllimeve të formuluara për një kohë të gjatë, OBSh-ja do t'u japë patjetër energji pozitive marrëdhënieve ndërkombëtare dhe do të sjellë përfitime për të gjitha vendet dhe popujt e botës."
Potapenko mendon se kjo mbledhje, që do të mbahet në Samarkand, një qytet historikisht në udhëkryqin e rrugëve tregtare, ka rëndësi të veçantë dhe do të hapë një rrugë të re për zgjidhjen e çështjeve të mprehta politike e ekonomike me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare sot. Në të, OBSh-ja do të publikojë një deklaratë, e cila do të fokusohet në qëndrimet e përbashkëta të vendeve anëtare për çështjet e nxehta të epokës së tanishme, duke i dhënë një shtysë të fortë fazës tjetër të zhvillimit.
Ish-zv.sekretari i përgjithshëm u shpreh gjithashtu që, edhe pse çështjet e sigurisë mbeten kyçe për veprimtaritë e OBSh-së, nuk është e vështirë të shihet se fokusi i saj po kalon gradualisht në bashkëpunimin ekonomik e tregtar, gjë që do të vërtetohet me nënshkrimin e një sërë dokumentesh gjatë Samitit të Samarkandit. Ai vuri në dukje se periudha e fundit e trazirave gjeopolitike, veçanërisht sanksionet kundër Rusisë, i kanë shtyrë vendet e OBSh-së të mendojnë seriozisht se si të mbrojnë marrëdhëniet e tyre tregtare nga kufizimet. Një rrugë është që këto vende të kalojnë gradualisht nga dollari amerikan në monedhat e veta kombëtare në pagesat e tyre të ndërsjella tregtare.
Sipas Potapianko-s, pritet që hapësira e OBSh-së të vazhdojë të zgjerohet, duke promovuar forcimin e autoritetit të kësaj organizate. "Për të arritur këtë qëllim, OBSh-ja duhet të mendojë për marrëdhëniet midis 'familjes së madhe' të kësaj organizate dhe anëtarëve të rinj," u shpreh ai.