Ambasadori: Vizita e Xi Jinping-ut do të nisë 30 vjetët e ardhshëm "të artë" të lidhjeve kino-kazakistanase
2022-09-14 16:10:54

foto/VCG

foto/VCG

Vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Kazakistan do të hapë një periudhë tjetër 30 vjetësh "të artë" në marrëdhëniet kino-kazakistanase, tha ambasadori kinez në Kazakistan Zhang Xiao gjatë një interviste ekskluzive me Grupin  Mediatik të Kinës (CMG).

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Kazakistanit, Zhang tha se lidhjet dypalëshe janë ngritur vazhdimisht në nivele më të larta, duke arritur rezultate të reja. Ai shprehu besimin e tij se vizita do të ofrojë një plan, një shtysë dhe një energji të re për lidhjet dypalëshe.
Ambasadori kinez vuri në dukje se zgjedhja nga presidenti Xi e Kazakistanit për vizitën e vet të parë që prej fillimit të pandemisë së COVID-19, pasqyron rëndësinë e madhe që u kushton Kina marrëdhënieve të saj me Kazakistanin dhe nivelin e lartë të partneritetit të përhershëm strategjik gjithëpërfshirës ndërmjet të dy vendeve.
Sipas ambasadorit Zhang, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 17.69 miliardë dollarë në shtatë muajt e parë të këtij viti, me një rritje 18.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në sfondin e pandemisë, zhvillimi i shpejtë dhe i shëndetshëm i marrëdhënieve kino-kazakistanase ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit, u shpreh ai.
Nisma "Një brez, një rrugë" e ka dëshmuar veten si  një rrugë e miqësisë, e begatisë dhe e suksesit me dobi të ndërsjellë për Kinën e Kazakistanin, theksoi Zhang.
Lidhur me bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe Kazakistanit në kuadrin e organizatave shumëpalëshe, ai u shpreh se Kina e Kazakistani janë dy vende anëtare themeluese të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). Gjatë dy dekadave të fundit, të dy vendet kanë ndjekur gjithmonë Shpirtin e Shangait, kanë ruajtur komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë brenda kornizës së OBSh-së, kanë lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve të OBSh-së në fusha të ndryshme dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit, zhvillimit  e begatisë rajonale, tha ambasadori.
Ai vuri në dukje se Kina dhe Kazakistani mbështesin Grupin e Kontaktit OBSh-Afganistan dhe mekanizmat e tjerë në promovimin e zgjidhjes së çështjes afgane dhe bashkëpunimin për të trajuar çështjet e nxehta rajonale.
Zhang theksoi gjithashtu se Kina përkrah në mënyrë aktive Samitin e Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Krijimit të Besimit në Azi, i cili do të organizohet në Kazakistan në fund të këtij viti. Duke i uruar suksese kësaj mbledhjeje, ai shprehu besimin se ajo do t'i japë një hov të ri forcimit të besimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet vendeve aziatike. (Artan)