Pas 8 vitesh, 22 raunde bisedimesh formale dhe qindra konsultimesh jozyrtare, Marrëveshja e Treguesve Gjeografikë Kinë-BE u nënshkrua zyrtarisht më 14 shtator 2020.
Sipas përkufizimit nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, një tregues gjeografik është një shenjë e përdorur për të treguar një produkt i cili ka një origjinë specifike gjeografike dhe cilësi ose reputacion të caktuar për shkak të asaj origjine. Për shembull Maotai, rakia më e njohur kineze, është përfshirë në këtë marrëveshje të treguesve gjeografikë Kinë-BE.
Foto: VCG
Në dyvjetorin e nënshkrimit, alkooli, çaji, produktet bujqësore, ushqimet dhe produktet e tjera, të përfshira në Marrëveshjen e Treguesve Gjeografikë Kinë-BE, janë bërë gradualisht të njohura për më shumë konsumatorë në Kinë dhe BE, duke fituar më shumë vlerësime dhe porosi si dhe duke pasuruar tregjet e të dy palëve.
Kina dhe BE-ja kanë kryer në mënyrë aktive shkëmbime dhe bashkëpunime për të promovuar bashkërisht zbatimin e marrëveshjes. Për shembull, misioni kinez në BE dhe Komisioni Evropian zhvilluan së bashku një takim online mbi përvojën e promovimit të produkteve me tregues gjeografikë, duke ftuar autoritetet kompetente, zyrtarët vendas dhe ekspertët e të dyja palëve për të zhvilluar diskutime të thella.
Sipas Marrëveshjes së Treguesve Gjeografikë Kinë-BE, më shumë se 500 produke janë njohur reciprokisht nga Kina dhe BE-ja. Kjo marrëveshje ka rëndësi për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe zhvillimin ekonomik. Rreth 100 tregues gjeografikë nga Kina dhe Evropa në grupin e parë “të listuar" do të mbrohen nga të drejtat e pronësisë intelektuale që nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Ndërsa procedurat e mbrojtjes për grupin e dytë me 175 tregues gjeografikë do të përfundojnë brenda 4 vitesh, duke ndihmuar më shumë produkte unike dhe me cilësi të lartë të hyjnë në tregjet e njëri-tjetrit dhe sjellë mundësi të reja për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar Kinë-BE.
Kur marrëveshja hyri në fuqi, Zhang Ming, kreu i atëhershëm i misionit kinez në BE, tha se ajo siguronte një mbrojtje dhe promovim gjithëpërfshirës dhe efektiv për produktet me tregues gjeografikë dhe me cilësi të lartë nga Kina dhe BE për t’u futur në tregjet respektive. Gjithashtu ajo ofronte më shumë mundësi për pupujt e Kinës dhe BE-së për një jetë më të mirë.
Sipas Zhang, “produktet e treguesve gjeografikë në Kinë dhe BE janë kryesisht bujqësore. Aktualisht zhvillimi bujqësor dhe rural i Kinës dhe i BE-së ka hyrë në një epokë të re dhe zhvillimi i qëndrueshëm bujqësor është qëllimi i përbashkët i të dyja palëve. Besohet se me përpjekjet e përbashkëta, Marrëveshja e Treguesve Gjeografikë Kinë-BE do të zbatohet edhe më tej në mënyrë efektive”.
Foto: VCG
Në prill 2022, Shen Changyu, drejtori i Drejtorisë Shtetërore të Pronësisë Intelektuale të Kinës, mbajti një konferencë shtypi në Zyrën Shtetërore të Informacionit, duke deklaruar se “Marrëveshja e Treguesve Gjeografikë Kinë-BE është e para gjithëpërfshirëse dhe e nivelit të lartë e këtij lloji, e nënshkruar nga Kina me palët e huaja, që mbulojnë 275 tregues gjeografikë të Kinës dhe BE-së. Kjo është një arritje historike e thellimit të bashkëpunimit në fushën e pronësisë intelektuale mes Kinës dhe BE-së dhe ka një rëndësi të madhe për forcimin e marrëdhënieve të tyre ekonomiko-tregtare”.
Shen Changyu tha gjithashtu se “Kina dhe BE-ja janë partnerë të rëndësishëm tregtarë, të dy palët kanë burime të pasura të treguesve gjeografikë dhe hapësira e bashkëpunimit është shumë e gjerë. Drejtoria Shtetërore e Pronësisë Intelektuale do të vazhdojë të punojë me departamentet përkatëse për të forcuar më tej bashkëpunimin mes Kinës dhe BE-së në fushën e treguesve gjeografikë, për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE dhe për të ofruar më shumë opsione për një jetë më të mirë nga popujt e dy hapësirave”.
Tang Chao, kreu i degës së distributorit finlandez për rakinë kineze Moutai, tha se “pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, konsumatorët vendas kishin më shumë gjasa të njihnin cilësinë dhe vlerën e markës së Moutai-t. Kjo mundësi rriti ndikimin e pijeve kineze në tregun vendas dhe ndihmoi Moutai-n të hynte më mirë në tregun finlandez, duke u promovuar për më shumë tregtarë”.
Foto: VCG
Ekziston gjithashtu një njohje në rritje e vlerës së marrëveshjes nga të gjitha sferat e jetës në Evropë. Ata besojnë se marrëveshja do t'i mundësojë BE-së dhe Kinës të mbrojnë më mirë produktet e ndryshme me tregues gjeografikë. Hyrja në fuqi dhe zbatimi i marrëveshjes është një përfitim i madh për industritë përkatëse. Ajo është e favorshme për promovimin e produkteve të njohura evropiane në tregun kinez dhe anasjelltas për produktet autentike kineze në vendet e BE-së, duke rritur shkëmbimet ekonomike dhe tregtare mes dy palëve.
John Clarke, drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Departamentit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Evropian, tha se “gjatë 10 viteve të fundit kam pasur nderin të drejtoj negociatat e marrëveshjes, e para që hyri në fuqi midis BE-së dhe Kinës. Gjatë këtyre negociatave unë dhe kolegët kinezë krijuam marrëdhënie të sinqerta, miqësore dhe të besueshme, duke bërë që të kuptoj më mirë Kinën dhe të zbuloj kulturën e saj shumë të pasur ushqimore”.
Ai tha gjithashtu se “BE-ja dhe Kina kanë një bashkëpunim shumë të rëndësishëm në tregtinë agro-ushqimore me tregues gjeografikë, duke shpresuar se kjo marrëveshje do të forcojë më tej lidhjet dypalëshe në këtë fushë. Në vitin 2020 vëllimi i tregtisë agroushqimore BE-Kinë tejkaloi 17.5 miliardë euro dhe Kina ishte destinacioni i tretë më i madh për BE-në. Pandemia ka treguar se mbajtja e zinxhirëve të furnizimit global të hapur mund të ndihmojë në garantimin e sigurisë ushqimore. BE ka standardet më të rrepta sanitare dhe fitosanitare në botë, duke garantuar sigurinë e eksporteve tona agro-ushqimore. Është e rëndësishme që tregtia globale agro-ushqimore të mos pengohet nga barrierat e paarsyeshme tregtare, si tani, ashtu edhe në epokën pas pandemisë”.
Valerie Metrich-Hecquet, drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme për Performancën Ekonomike dhe Mjedisore të Ndërmarrjeve në ministrinë franceze të Bujqësisë dhe Ushqimit u shpreh se “produktet kineze në Marrëveshjen e Treguesve Gjeografikë do të njihen më tej nga konsumatorët evropianë, duke e bërë më të lehtë marrjen e mbrojtjes më të fortë në këtë hapësirë. Për BE-në, konsumatorët kinezë janë gjithashtu të lumtur të zbulojnë produkte të reja dhe më të mira europiane. Kina ka publikuar gjerësisht nënshkrimin e marrëveshjes për t'i dhënë publikut një kuptim më të mirë të treguesve gjeografikë”. (Çang Çuo)