Misioni kozmik Shenzhou nr.14
2022-09-14 21:12:27

Më 2 shtator sipas kohës së Pekinit, pas një ecjeje në hapësirë që zgjati gati gjashtë orë, ekuipazhi i misionit Shenzhou nr.14 i fluturimit kozmik të Kinës kreu me sukses të gjitha detyrat e paracaktuara dhe u kthye shëndoshë e mirë në modulin laboratorik “Wentian”. Gjatë aktiviteteve jashtë stacionit hapësinor u testuan aftësitë e bashkëpunimit midis taikonautëve dhe krahut të vogël mekanik si dhe funksionimi e performanca e kabinës së presionit të modulit laboratorik "Wentian" dhe pajisjeve mbështetëse të lidhura me aktivitetet jashtë.

Ekuipazhi i misionit "Shenzhou nr.14"(Foto:VCG)

Ekuipazhi i misionit "Shenzhou nr.14"(Foto:VCG)

Astronautë  janë duke kryer ecje në hapsirë(Foto:VCG)

Astronautë  janë duke kryer ecje në hapsirë(Foto:VCG)

Kjo është ecja e parë e astronautëve Chen Dong, Liu Yang dhe Cai Xuzhe, por e pesta e këtij lloji, duke shënuar një tjetër hap të vendosur drejt përurimit brenda këtij viti të stacionit hapësinor të Kinës “Tiangong”, e cila fjalë për fjalë në gjuhën shqipe do të thotë “Pallati i qiellit”.

Në orën 10:44 të 5 qershorit po të këtij viti, raketa mbajtëse e tipit “Marshimi i Madh II F” dërgoi anijen kozmike Shenzhou nr.14 bashkë me tre taikonautë në orbitën e paracaktuar. Në orën 17:42 të 5 qershorit anija kozmike u lidh me modulin kryesor Tianhe pas gjashtë përshtatjeve automatike të orbitave. Shenzhou nr.14 është fluturimi i nëntë me ekuipazh i serisë së anijeve kozmike “Shenzhou” dhe misioni i parë me ekuipazh që kur stacioni hapësinor i Kinës hyri në fazën e ndërtimit. 

Gjatë qëndrimit prej gjashtë muajsh në hapësirë astronautët do të verifikojnë lidhjet e moduleve laboratorike Wentian dhe Mengtian, anijes së transportit të mallrave Tianzhou nr.5, anijes kozmike Shenzhou nr.15 me modulin kryesor Tianhe; duke formuar kombinimin e tre laboratorëve dhe të tre anijeve kozmike. Ndërkohë ata do të kryejnë instalimin dhe testimin e pajisjeve brenda e jashtë stacionit hapësinor, do të zhvillojnë eksperimentet e paracaktuara tekniko-shkencore dhe si dhe punët rutinë të mirëmbajtjes teknike.

Siç përmendet më sipër, ky është misioni i parë me ekuipazh gjatë fazës së ndërtimit të stacionit hapësinor të Kinës dhe astronautët sapo kryen ecjen e parë në hapësirë. Përveç këtyre, më shumë “herë të para” priten të shënohen gjatë kryerjes së këtij misioni. Për shembull, astronautët do të presin lidhjen e një tjetër anijeje kozmike. Do të jetë hera e parë që gjashtë astronautë kinezë mblidhen në hapësirë dhe ndërrojnë turnin në stacionin hapësinor të vendit etj.

Astronautët janë duke kryer ecje në hapësirë(Foto:VCG)

Astronautët janë duke kryer ecje në hapësirë(Foto:VCG)

Stacioni hapësinor i Kinës pas përurimit(Foto:VCG)

Stacioni hapësinor i Kinës pas përurimit(Foto:VCG)

Siç mësohet, për të mbaruar ndërtimin e stacionit hapësinor, këtë vit do të ketë në përgjithësi gjashtë misione lëshimi. Dy ndër to me ekuipazh, përkatësisht Shenzhou nr. 14 dhe Shenzhou nr. 15, do të kryhen nga raketa e tipit “Marshimi i Madh II F”. Në tre dekadat e kaluara, raketa e këtij tipi ka dërguar me sukses 14 anije kozmike dhe 2 module laboratorike kozmike, duke përfshirë nëntë fluturime me ekuipazh.

Pas përurimit stacioni hapësinor i Kinës do të futet në fazën e përdorimit dhe të zhvillimit. Projekti i fluturimit kozmik i Kinës ka synuar dhe synon gjithmonë zhvillimin e shkëmbimeve ndërkombëtare me të gjitha vendet dhe rajonet e botës të cilat kanë si qëllim shfrytëzimin paqësor të hapësirës kozmike.

Që nga krijimi i këtij projekti Kina ka pasur një bashkëpunim të gjerë me institucione hapësinore të vendeve të ndryshme, si të Rusisë, Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Italisë etj., apo edhe të organizatave ndërkombëtare si UN-OOSA, ESA etj. Përsa i përket stacionit hapësinor, Kina planifikon të zhvillojë një bashkëpunim më të thellë ndërkombëtar në zgjerimin e funksioneve të stacionit hapësinor, studimin e praktikimin e shkencave hapësinore, fluturimin e përbashkët të astronautëve, shndërrimin e rezultateve të kërkimeve shkencore etj., duke e kthyer stacionin hapësinor të vendit në një laborator hapësinor që favorizon gjithë njerëzimin.

Në fakt, të gjitha kabinetet e eksperimenteve në modulin kryesor dhe laboratorët e stacionit hapësinor të Kinës kanë “gryka”/vrima me standarde ndërkombëtare. Kështu që ato janë në gjendje për zhvillimin e eksperimenteve nga e gjithë bota. Kina që nga viti 2016, përmes bashkëpunimit me UN-OOSA, ka nisur mbledhjen e kërkesave nga vendet anëtare të OKB-së për bashkëpunim ndërkombëtar në stacionin hapësinor Tiangong. Nëntë projekte me pjesëmarrjen e 17 vendeve janë integruar në program, duke përfshirë Zvicrën, Poloninë, Gjermaninë, Italinë, Norvegjinë, Francën, Spanjën, Holandën, Indinë, Rusinë, Belgjikën, Kenian, Japoninë, Arabinë Saudite, Meksikën etj.