Prodhimi i energjisë diellore nga bizneset
2022-09-13 09:17:45

Në kushtet kur edhe Shqipëria, sikundër mbarë bota po preket nga kriza e energjisë elektrike, këshilla e kryeministrit Edi Rama për biznesin ishte ajo e orientimit drejt vetëprodhimit të energjisë diellore.

Energjia-diellore (Foto Euronews)

Energjia-diellore (Foto Euronews)

Përpara përfaqësuesve të dhomave të biznesit foli për një formulë, që sipas Kryeministrit mbron si konsumatorin, ashtu edhe shtetin nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

“Insistoj për të menduar në investimin e energjisë diellore. Është koha për t’i rënë lapsit të gjithë që investimet për të prodhuar energji në fabrikë të pranohen nga shteti si investime, të cilat duhet të përkthehen në shkëmbim energjie në rrjet, kjo nuk mund të ndodhi. Për një arsye shumë të thjeshtë që nuk ndodh në asnjë vend të botës sot. Çdo investim që bëhet nga Shqipëria për të prodhuar një pjesë të energjisë nga dielli është padyshim që në afatmesëm është tërësisht fitimprurës dhe ul ndjeshëm kostot e energjisë për biznesin, ashtu si kundër nga ana tjetër jemi të hapur të konsiderojmë instrumenta incentivues për t’i bërë këto investime. Nuk dëshiroj të hedhim ide të cilat janë të pa kolauduara, por i mirëpresim të gjitha idetë nga cilido që i përket këtij komuniteti për sesi ne mund të lehtësojmë investimet. Pa e harruar shkëmbimin e energjisë kjo është teknikisht e pamundur. Çdo gjë që ka të bëjë me lehtësimin nëse mund të gjenden ne jemi të gatshëm ta bëjmë”, u shpreh kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama (Foto gazeta express)

Kryeministri Edi Rama (Foto gazeta express)

Pas lajmeve aspak të mira nga fusha e energjetikës, optimist ishte zoti Rama kur u ndal tek një tjetër zhvillim në fushën e hidrokarbureve. Kryeministri tha se nëse viti i ardhshëm do na sjellë lajmin që nafta e dhe gazi të zbuluar në Shpirag janë komerciale, atëherë do flasim për një tjetër Shqipëri, fuqi ekonomike në këtë rajon, por kjo është ende e pasigurt. Ai gjithashtu pati një këshillë edhe për dhomat e tregtisë, duke i cilësuar raportet e tyre për klimën e biznesit në Shqipëri joprofesionale.

Në mesin e krizës së energjisë dhe çmimeve, qeveria miratoi një paketë të mbrojtjes sociale, që parashikon indeksim të pensioneve dhe të ndihmës sociale, rritje të pagave ë sektorin publik dhe vendosjen e fashës për pagesën me çmim të tregut të energjisë që shpenzohet mbi 800 kilovat orë në muaj për familjarët.

Kryeministri Edi Rama (Foto Gazeta fjala)

Kryeministri Edi Rama (Foto Gazeta fjala)

Shqipëria ka arritur të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë elektrike. Pas disa dekadash varësie të plotë nga burimet hidrike, vitin e kaluar nisi për herë të parë prodhimi dhe hedhja në rrjet e energjisë nga energjia diellore.

Sipas të informacionit nga Enti Rregullator i Energjisë, vitin e kaluar hynë në prodhim shtatë impiante fotovoltaike, me një kapacitet total të instaluar prej rreth 14 megavat. Së bashku, këto impiante prodhuan vitin e kaluar rreth 22 GWh energji elektrike. Impiantet operative të prodhimit të energjisë diellore janë të vendosura në zonën e Fierit dhe të Lushnjes.

Panele-diellore (Foto bussines mag)

Panele-diellore (Foto bussines mag)

Investimi në kapacitetet e reja të prodhimit të energjisë në dekadën e fundit është mbështetur me politika stimuluese për çmimet. Vitin e kaluar, çmimi i blerjes së energjisë nga impiantet fotovoltaike ishte rreth 71 euro për MWh.

Veç investimeve për impiante të vogla, qeveria shqiptare ka zhvilluar deri tani edhe dy procedura ankandesh për ndërtimin e dy parqeve të mëdhenj fotovoltaikë,  në Akërni dhe në Karavasta. Projektet parashikojnë investime në vlerën e rreth 170 milionë eurove dhe instalimin e një kapacitet prodhues total prej 240 megavatësh.

Risi tjetër në fushën e energjisë diellore pritet të jetë edhe ngritja e impianteve fotovoltaike lundruese, në liqenet e HEC-eve. Dy projekte të tilla po zhvillohen nga kompania Statkraft në liqenin e HEC-it të Banjës dhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në Vaun e Dejës.