Lidhja e amerikanit Brian Linden me Kinën zgjat prej mbi 30 vitesh. Ai kishte ardhur në Kinë për studime në vitet 80’ të shekullit të kaluar dhe sot është pronar i një hoteli në Dali të provincës Yunnan në Kinën Jugperëndimore. Brian Linden ka jetuar në fshatin kinez për shumë vite, duke parë me sytë e tij ndryshimet e mëdha të zonave rurale dhe kuptuar rrugën e zhvillimit të Kinës.
Hoteli i Brian Lindenit quhet “Xilinyuan”, një ish-ndërtesë me oborr e kombësisë Bai të Kinës, me histori të gjatë. Xizhou i Dalisë ku ndodhet hoteli “Xilinyuan” është një fshat i lashtë, i bukur si parajsë buzë liqenit Erhai. Për sytë e Brian Lindenit, Xizhou është fshati më i bukur në botë. “Kam qenë në mbi 100 vende, por në fund zbulova se fshati kinez është vendi më tërheqës për familjen time.” - thotë Brian.
Në vitin 2004 Brian Linden hoqi dorë nga puna e tij, shiti shtëpinë në SHBA dhe u vendos në Xizhou së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë. Pas 4 vitesh ai hapi hotelin, pas transformimit të një shtëpie të vjetër të kombësisë Bai.
Sipas Brian Lindenit, në fshatin kinez ka kudo kulturë tradicionale, peizazhe të bukura dhe marrëdhënie të ngushta njerëzore. Çdo ditë në mëngjes, Brian Linden shkon për të bërë pazar dhe biseduar me fshatarët vendas. Ai i do shumë këta banorë të zellshëm, ndërsa gjatë kontakteve me ta, mund të kuptojë fare lehtë lumturinë e tyre të arritur përmes zhvillimit dhe sipërmarrjes.
Brian Linden thotë se “fshatarët kinezë jetojnë e punojnë me shpirt pozitiv. Fëmijët e tyre marrin arsimin e lartë dhe kanë kërkesa e ëndrra të njëjta si qytetarët.”
Gjatë jetës mbi një dekadë në Xizhou, Brian Linden ka përjetuar ndryshimet e mëdha të fshatit kinez. Në korrik të vitit 2020, 11 konte të varfra në Dali të provincës Yunnan u shkëputën nga varfëria. Brian Linden mendon se ky është një sukses i mahnitshëm, i cili jo vetëm ka përmirësuar infrastrukturën në fshat, ka ngritur nivelin arsimor, por edhe ka forcuar besimin e fshatarëve për zhvillim. “Unë e admiroj shumë qeverinë kineze. Ata kanë trajtuar siç duhet ujërat e zeza, kanë mbrojtur mjedisin ekologjik të liqenit Erhai, kanë ndërtuar hekurudhën me shpejtësi të lartë Kunming-Dali, kanë ndërtuar spitale e shkolla në fshat. Mendoj se politika kineze në ndihmë të të varfërve vlen të mësohet nga vendet e tjera. Përsa i përket trajtimit të ndotjes në liqenin Erhai, qeveria kineze ka bërë përpjekje në këtë fushë për 7 vite, ky është një proces shumë i vështirë, por ajo ka punuar vazhdimisht për të gjetur mënyrën më të mirë për arritjen e objektivit. Nuk ka asnjë vend tjetër që mund të bëjë kaq mirë si Kina.” - shton Brian Linden.
Ai ka shumë plane për të ardhmen, duke shpresuar që hoteli i tij të tërheqë më shumë turistë të huaj që vizitojnë fshatrat kinezë. Brian është i vendosur të tregojë historinë e tij në Kinë së bashku me pamjen reale të këtij vendi, ndërsa do vazhdojë të jetojë këtu për të parë zhvillimin e mëtejshëm të këtij vendi. Brian Linden rrëfen: “Në vitin 1985 erdha për herë të parë në Dali pas 12 orë udhëtimi me autobus nga qyteti Kunming. Më vonë u ndërtua autostrada dhe kjo kohë u shkurtua në 3 orë. Më pas u vu në përdorim hekurudha me shpejtësi të lartë dhe koha e udhëtimit u shkurtua edhe më tej, në 2 orë. Unë mendoj se në të ardhmen, jeta në Kinë do të jetë më e pasur, më e lumtur, prandaj dëshiroj shumë të qëndroj. Pavarësisht se nuk e di se çfarë ndryshimesh do të ketë në Kinë në të ardhmen, mendoj se perspektiva është sigurisht optimiste.” (Fani)