Eljona Kodra: Gjuha e shpirtit është poezia
2022-09-13 16:58:47

Eljona Kodra i ka dhuruar një pjesë të shpirtit të saj frymëzues qytetit të vet Shkodrës, një libër me fjalë zemre, me emocione shpirti e me shumë dashuri të titulluar "Qerpikët mbetur hapun"  Ky është libri i parë i Eljonës, vajzës shkodrane që prej vitesh jeton në Britaninë e Madhe, vend ku ka dhënë  kontributin e saj.

Ajo flet për librin e parë me poezi dhe për rrugën e saj të artit.
Ndërsa vitet kalojnë Elona rritet profesionalisht në shumë aspekte. Për të jeta është një sfidë e madhe, të cilën duhet të dish ta pranosh e më pas të luftosh për të.

Eljona Kodra  gjatë promovimit të librit të saj (Foto personale)

Eljona Kodra  gjatë promovimit të librit të saj (Foto personale)

CMG : Eljona cilat janë pikat e tua më të forta?

Eljona Kodra: Zakonisht nuk pranoj të flas për veten, duke shquar vlerat e mia apo pikat e dobëta. Por, forca ime e vërtetë është kur realizoj objektivat e mia.

Forcën më të madhe unë e gjej tek vetja dhe një shtysë shumë e madhe janë fëmijët e mi. Dua që të jem shembulli më i mirë për ta.  Të jem një nënë e fortë e më dinjitet për aq sa unë kam mundësi.

CMG: Çfarë ju ka bërë të jeni kaq e fortë përballë jetës?

Elojna Kodra:  Ajo që më bën mua të jem e fortë është vetë sakrifica e prindërve të mi për të më rritur. Dikur ata kanë luftuar për ne dhe unë sot luftoj që ata të ndihen krenarë. Jemi shumë të vegjël dhe të fortë njëkohësisht përballë emocioneve. Unë jetoj ne një vend të largët, por  dashuria e madhe që kam për Shkodrën më trishton. Shpirtin dhe zemrën e kam në atdhe.

Vërtet shpresoj që një ditë të kthehem, të jetoj në vendin tim. Me aq mundësi sa unë kam përpiqem të punoj për vendin tim, te shkruaj për të  dhe ta promovoj me aq mundësi sa kam.

Eljona Kodra (Foto personale)

Eljona Kodra (Foto personale)

CMG: Jeta juaj  nga zero në Mbretërinë e Bashkuar… si e përballuat?

Eljona Kodra: Ka qenë një stres dhe luftë me vete. Gjithçka nisi vërtet nga zero, duke nisur nga gjuha. Jeta familjare ka shumë peshë dhe detyrime të mëdha. Mes sakrificave jam munduar të gjendem në aktivitetin tim profesional. Nuk e kam ndjekur plotësisht karrierën, por jam përpjekur. Fillimisht kam filluar si mësuese online për gjuhën shqipe. Jam munduar ta nxjerr veten diku e të bëj gjërat që të më bëjnë të ndihem mirë. Jam penduar vetëm për diçka, që jam larguar nga Shqipëria.

Mezi pres të kthehem në vendin tim të lindjes sepse ndiej detyrim që të kontribuoj.

CMG: Cili është misioni juaj në jetë?

Eljona Kodra: Të jem misionare e vetes! Dua që çdo gjë që bëj të ketë një mision. Ne jemi njerëz të vegjël në një botë të madhe, të cilës i japim kuptim.

Për mua ka vetëm një mision të kthehem në Shkodër e të jap kontributin vendit tim pasi "Guri i rëndë peshon në vend të vet ".

CMG: Cilat janë arritjet e tua më të mëdha?

Eljona Kodra :  Fitorja më e madhe e imja është që kam fituar gjuhën e shpirtit, që është poezia. Unë vlerësoj fort shpirtin tek njerëzit dhe ata me ngjajnë me poezinë.

Eljona Kodra  në promovim(Foto personalel)

Eljona Kodra  në promovim(Foto personalel)

CMG: Si kanë qenë vitet e fëmijërise për ju?

Eljona Kodra: Pavarësisht që koha ka kaluar unë ndiej një nostalgji të madhe për dashurinë e lagjes, gjyshërve të mi dhe çdo gjëje tjetër. Teknologjia po e vret fëmijërinë sot.

CMG: Cilat kanë qenë zgjedhjet më të vështira në jetën tuaj?

Eljona Kodra: Është zgjedhja më e rëndësishme dhe e vështire. Të ikja nga Shqipëria. Ka qenë një vendim që më la mes dy botëve dhe zemra ime kërkon prapë të kthehet.

CMG: A e vazhdojmë bashkë fjalinë... Më kujtohet kur?

Eljona Kodra: Kur bisedat mes mikeshave nuk kishin fund. Endeshim në temat më të bukura, të cilat të jepnin jetë. Janë kohë që nuk kthehen!

Librat e Eljona Kodrës   (Foto personale)

Librat e Eljona Kodrës   (Foto personale)

CMG: Ju keni kuptuar tek vetja një tjetër pasion që është  libri. Kur e kuptuat që keni talent për të shkruar?

Eljona Kodra: Dëshira ose fillimet e mia kanë  qenë  në moshën 10 vjeçare. Më kujtohet se sa më vlerësonin ndër të gjithë nxënësit sepse unë spikatja për talentin tim në shkrim. Libri im është promovuar në kohë Covidi dhe kam ndenjur pak në heshtje. Nuk kemi pasur mundësi për të bërë takime mes shumë njerëzish.

Por, shumë shpejt vij me një cikël tregimesh emocionuese.

CMG: Eljona ju punoni shumë edhe pse larg Shqipërisë shkruani për të. Cili është mesazhi që jepni për të rinjtë?

Eljona Kodra: Mesazhi është, lexoni shumë nëse doni të kuptoni jetën. Çdo gjë tjetër është fasadë. Arsimohuni dhe ndiqni zemrën!  Vetëm kështu jeta do jete më e bukur. Si nënë, vajzë, motër ju them duajeni jetën.

Intervistoi:Megi Latifi