Presidenti i Uzbekistanit: OBSh-ja, një model i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal
2022-09-13 16:09:32

Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) ka perspektivë të mirë për transformim e rritje jo vetëm nëpërmjet plotësimit sasior, por edhe krijimit të vektorëve të rinj strategjikë, thuhet në një artikull të presidentit të Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev me titull “Samiti i OBSh-së në Samarkand - Dialog dhe bashkëpunim në një botë të ndërlidhur”.

Në artikullin e botuar të hënën nga Grupi i Komunikimit Ndërkombëtar Evropë-Azi, në prag të Samitit të 22-të të OBSh-së, vihet në dukje se bashkëpunimi ndërkombëtar efektiv e bën botën më të stabilizuar, më të parashikueshme dhe më të lulëzuar. Kjo është rruga më e zbatueshme, më e mundshme dhe më e afërt për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta në kohën tonë, si dhe një politikë e sigurimit universal kundër sfidave e goditjeve në të ardhmen.

Një skulpturë me logon dhe shpirtin e OBSh-së në qytetin Qingdao të provincës Shandong të Kinës Lindore/ CFP

OBSh-ja është një model i suksesit të bashkëpunimit rajonal

Si një nga organizatat më të reja ndërkombëtare, OBSh-ja ka çelur një rrugë brenda një kohe relativisht të shkurtër për bashkimin e vendeve me kode të ndryshme kulturore dhe qytetërimore, kurse të ndryshme të politikës së jashtme dhe modele të ndryshme të zhvillimit kombëtar, duke u bërë një pjesë e pamungueshme e rendit politik e ekonomik botëror të sotëm, theksoi Mirziyoyev-i.

Ai vuri në dukje se kyçi i suksesit të OBSh-së është statusi i saj i të mosqenit një bllok vendesh, hapja dhe politika e mosvënies në shënjestër të vendeve a organizatave ndërkombëtare të treta, si edhe parimi i  barazisë dhe respektimi i sovranitetit të të gjithë anëtarëve, mospranimi i ndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe parandalimi i kundërvënies politike e i rivalitetit të pashëndetshëm.

Kreu i shtetit i Uzbekistanit pohoi dhe kontributin e fortë të OBSh-së për zhvillimin e vazhdueshëm global, ndërsa PBB-ja e përgjithshme e vendeve anëtare të OBSh-së ka arritur afro një të katërtën e vëllimit të përgjithshëm global, falë një vëllimi të madh burimesh natyrore të papërdorura, si dhe potencialit kolosal njerëzor, intelektual dhe teknologjik.

Ai shprehu dhe shpresën për transformimin dhe rritjen e OBSh-së nëpërmjet plotësimit sasior dhe krijimit të vektorëve të rinj strategjikë.

Pelegrinët përpara Medreses Ulugh Beg në Samarkand të Uzbekistanit/ CFP

Shpirti i Samarkandit: Mishërimi i bashkëpunimit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe miqësisë

Qyteti i lashtë i Samarkandit, perla e Rrugës së Madhe të Mëndafshit, është i gatshëm të presë liderët e 14 vendeve me propozime dhe nisma të reja krijuese për të mirën dhe lulëzimin e OBSh-së dhe të çdo anëtari të saj, sipas artikullit të presidentit të Uzbekistanit.

Gjatë shumë shekujve, ky qytet ka lidhur vendet evropiane me Kinën, duke i integruar Veriun me Jugun, Lindjen me Perëndimin në një nyjë të vetme.

Këto karakteristika unike të Samarkandit, i cili ka sot një infrastrukturë moderne dhe zhvillim dinamik, e bëjnë këtë qytet platformën më të përshtatshme për diskutimet e përbashkëta dhe për gjetjen e përgjigjeve ndaj sfidave rajonale e globale, vuri në dukje Mirziyoyev-i.

Historikisht, bota nga këndvështrimi i Samarkandit ka qenë një e vetme dhe e pandashme, jo e copëzuar. Kjo me të vërtetë është thelbi i dukurisë unike të Shpirtit të Samarkandit, i cili mund të shërbejë si baza e një ndërveprimi ndërkombëtar në formë krejt të re, përfshirë edhe OBSh-në.

Duke vënë në dukje se Shpirti i Samarkandit është projektuar si plotësim i natyrshëm i Shpirtit të Shangait, Mirziyoyev-i shprehu besimin që vendimet e samitit të OBSh-së që do të zhvillohet së shpejti, do të japin një kontribut të zbatueshëm për forcimin e dialogut, të mirëkuptimit të ndërsjellë e bashkëpunimit jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në sferë globale.

Samiti i OBSh-së planifikohet të zhvillohet në Samarkand të Uzbekistanit më 15 e 16 shtator 2022. Tani vendet e  kësaj organizate përfshijnë një të katërtën e sipërfaqes tokësore të planetit, si edhe 40 për qind të popullsisë së tij. (Wang Lei/ Artan)