Pjesëmarrja në samitin e OBSh-së, veprimtaria më e rëndësishme diplomatike e presidentit Xi në prag të Kongresit të PKK-së
2022-09-13 20:02:12

foto/VCG

foto/VCG

Në konferëncën për shtypin të mbajtur të hënën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning informoi mbi pjesëmarrjen e presidentit Xi Jinping në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) dhe vizitat që do të zhvillojë ai në Kazakistan dhe Uzbekistan. Ajo u shpreh se kjo është një veprimtaria më e rëndësishme diplomatike e kreut të shtetit kinez para mbajtjes së Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, duke pasqyruar plotësisht rëndësinë e madhe që i kushton Kina OBSh-së dhe marrëdhënieve me Kazakistanin dhe Uzbekistanin.

 Siç njoftohet, nga e mërkura deri të premten, presidenti kinez Xi Jinping do të marrë pjesë në mbledhjen e 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, që do të mbahet në Samarkand të Uzbekistanit. Po ashtu, me ftesë të presidentit të Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev dhe të presidentit të Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, Xi Jinping-u do të zhvillojë vizita shtetërore në këto dy vende.

 “Në kontekstin e ndryshimeve të situatës ndërkombëtare dhe të përsëritjes së pandemisë, roli i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në ruajtjen e sigurisë e të stabilitetit rajonal dhe në promovimin e zhvillimit dhe të lulëzimit të të gjitha vendeve është bërë më i spikatur. Në samitin e ardhshëm, presidenti Xi do të fokusohet, së bashku me liderët e vendeve të tjera, në shkëmbimin e mendimeve mbi çështjet e rëndësishme ndërkombëtare e rajonale dhe arritjen e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit, për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit të gjithanshëm brenda strukturës së OBSh-së. Ne besojmë se OBSh-ja do të vazndojë të çojë përpara Shpirtin e Shangait, duke mos harruar synimin fillestar dhe duke ecur përpara, për të pasur arritje më të mëdha në rrugëtimin e ri të zhvillimit në dekadën e tretë dhe për të dhënë kontribut më të madh për forcimin e paqes botërore dhe rajonale”, u shpreh Mao Ning.

Sipas saj, Kazakistani dhe Uzbekistani janë vende fqinje mike dhe partnere të bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik të Kinës, si edhe vende të rëndësishme përgjatë “Një brez, një rrugë”. Qysh nga vendosja e marrëdhënive diplomatike Kinë-Uzbekistan dhe Kinë-Kazakistan 30 vjet më parë, këto vende e kanë respektuar njëri-tjetrin, kanë qenë vende fqinje mike, kanë kaluar vështirësitë së bashku, kanë arritur përfitime të ndërsjella dhe kanë nxitur arritjen e rezultateve e të lartësive të reja në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Vizitat e presidentit Xi shënojnë një fazë të re zhvillimi për marrëdhëniet kino-kazakistanase dhe kino-uzbekistanase.

 “Gjatë këtyre vizitave, presidenti Xi do të zhvillojë bisedime me homologët e tij të Kazakistanit dhe Uzbekistanit, për të shkëmbyer mendime mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët. Besohet gjerësisht se këto vizita do të hartojnë plane të reja, do të përcaktojnë objektiva të rinj  dhe do t’i japin impulse të reja zhvillimit të marrëdhënieve të Kinës me Kazakistanin dhe Uzbekistanin,” shtoi Mao.   (Fang Xiaoyu/Artan)