Kryeministri kinez thekson zbatimin e politikave për stabilizimin e ekonomisë
2022-09-13 20:18:42

   Foto/CFP/CGTN: Kryeministri kinez Li Keqiang duke kryesuar një mbledhje të posaçme në Pekin, 8 shtator 2022.

  Foto/CFP/CGTN: Kryeministri kinez Li Keqiang duke kryesuar një mbledhje të posaçme në Pekin, 8 shtator 2022.

Kryeministri kinez Li Keqiang ka theksuar nevojën e përpjekjeve për të siguruar zbatimin e masave politike për të stabilizuar rritjen ekonomike, punësimin dhe çmimet.

Kryeministri Li, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto në një mbledhje të posaçme, pasi dëgjoi raportet nga dy grupe pune lidhur me punën për stabilizimin e ekonomisë.

Grupet e punës janë dërguar nga Këshilli i Shtetit në 16 rajone në nivel province për të mbikëqyrur dhe ofruar shërbime për zonat e ndryshme lidhur me zgjidhjen e vështirësive në zbatimin e politikave.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Han Zheng, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së.

Kina ka miratuar një paketë politikash të forta dhe efektive për stabilizimin e ekonomisë në kohën e duhur, u shpreh Li, duke theksuar nevojën për të siguruar zbatimin e vendosur të këtyre politikave.

Ai vuri në dukje se stabilizimi i ekonomisë varet nga subjektet e tregut dhe kërkoi përpjekje për t’i ndihmuar ato të kapërcejnë vështirësitë, duke zgjeruar investimet efektive, duke krijuar kërkesë për këto subjekte dhe duke rritur besimin e tyre.

Duhen bërë përpjekje për të përshpejtuar zbatimin e projekteve kyçe dhe për të rritur kuotën e instrumenteve financiare të mbështetura te politikat dhe të orientuara drejt zhvillimit bazuar në nevojat lokale, theksoi Li.

Qeveria kineze do të mbështesë nevojat thelbësore të njerëzve për strehim, si dhe kërkesën e tyre për strehim më të mirë, dhe do të përdorë siç duhet paketën e mjeteve politike, duke zbatuar politika specifike për qytetet.

Li Keqiang theksoi rëndësinë e promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të ekonomisë së platformës, duke shtuar se do të përdoren kredi të veçanta për të mbështetur sipërmarrjet e platformës.

Kina do të vazhdojë të zbatojë politika me faza për të zgjeruar konsumin e investimet, duke u kërkuar organeve të qeverisjes vendore dhe departamenteve përkatëse të hartojnë masa konkrete, tha kryeministri.  (Fang Xiaoyu/Artan)