Ministri Peleshi: Aderimi i Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare, rrit sigurinë detare
2022-09-13 13:02:31

Foto: RTSH

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se aderimi i Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim, ka të bëjnë me rritjen e sigurisë në hapësirën detare shqiptare.

Duke folur në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim”, ministri Peleshi theksoi se Konventa ka për qëllim harmonizimin e sistemit të ndihmës në lundrimin detar, ofrimin e asistencës teknike dhe krijimin e kapaciteteve për rritjen e standardeve të sigurisë lundrimore të secilit vend anëtar.

Ndër avantazhet kryesore të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë Konventë, ministri Peleshi përmendi, ndihmën për arritjen e standardeve të sigurisë hidrolundrimore. Kjo do të bëjë të mundur shtimin e trafikut për qëllime turistike dhe tregtare në bregdetin shqiptar, duke e përfshirë Shqipërinë në hartën e vendeve të sigurta dhe me standarde në Evropë dhe rajonin e Detit Mesdhe.

Kuota vjetore e anëtarësimit në këtë organizatë është 17.760 euro në vit. (Fatosi)