Javët kulturore ndërkombëtare në Shqipëri
2022-09-13 16:40:18

JKN (Javët Kulturore Ndërkombëtare) 2022 është një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës. E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, e shtrirë përgjatë gjithë vitit, JKN është vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve, dedikuar bashkëpunimit kulturor.

Nëpërmjet këtij projekti njihen më mirë dhe forcohen marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë, si dhe rrisim ofertën e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. Për Grupin Mediatik të Kinës Anxhela Lepuri shprehet se JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare multikulturore dhe multidisiplinore.

Anxhela Lepuri (Foto personale)

Anxhela Lepuri (Foto personale)

“Shqipëria mirëpret botën. Kjo është motoja e javëve kulturore që po zhvillohen në Shqipëri, që prej prillit të 2022 dhe do të vazhdojnë deri në dhjetor të këtij viti. Këto janë me iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës në kuadër të kremtimit të Tiranës si Kryeqytet i rinisë. Janë ftuar shtete të akredituara në Republikën e Shqipërisë për të marrë pjesë’’u shpreh Lepuri.

Falë programit dinamik e gjithëpërfshirës, JKN ka krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme, duke shpërndarë mesazhe të forta paqeje dhe pranimi të njëri-tjetrit.

“Qëllimi i Javëve Kulturore Ndërkombëtare është të krijojë dialog dhe nën ombrellën e kulturës të krijojë një hapësirë për dialogun e biznesit dhe të diplomacisë, pra jo vetëm kulturë dhe të ndërveprimeve midis grupeve për të nxitur industrinë kreative. Një hapësirë që krijohet me qëllimin që Shqipëria të shpalosë vlerat e saj të pritjes dhe të gjithë mundësinë që ka për të zhvilluar nisma të ndryshme në fushën e artit, teknologjisë, sportit etj”, shton ajo.

Javët kulturore ndërkombëtare (Foto jkn.al )

Javët kulturore ndërkombëtare (Foto jkn.al )

Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka krijuar një atmosferë tepër pozitive për qytetarët, duke i përfshirë të gjithë në organizimin e eventeve të shumta përgjatë javëve.

Shqipëria, ky vend i vogël me reliev të bukur me pasuri të shumta natyrore gjatë Javëve  Kulturore Ndërkombëtare do të bëhet një skemë e hapur për të gjitha shtetet pjesmarrëse dhe jo vetëm. Duke pasur si fokus target grupe të ndryshme, fëmijë, të rritur dhe moshën e tretë”, tha Lepuri. 

Rrugëtimi i këtij projekti do të vijojë deri në fund të këtij viti, duke sjellë në vend shumë shtete të reja dhe kulturën e tyre.

Javët kulturore ndërkombëtare (Foto jkn.al)

Javët kulturore ndërkombëtare (Foto jkn.al)

“Projekti do të vijojë deri në dhjetor të këtij viti dhe ideja është që të zhvillohet në ditët në vazhdim. Jemi në javën e dytë të javëve ndërkombëtare. Nisëm në shtator me atë Britanike dhe tashmë vijon Java Suedeze, gjithashtu do të vijojë me disa shtete si Japonia, Gjermania, Kina etj. Do të përmbyllet me javën kombëtare e cila do të jetë një javë e përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës e cila do të jetë më gjatë në ditë”, thekson ajo

Anxhela Lepuri shprehet se opinioni i njerëzve ka qenë prezent dhe të gjithë kanë shfaqur interes rreth  këtij projekti.

Javët kulturore ndërkombëtare (Foto JKN.,al )

Javët kulturore ndërkombëtare (Foto JKN.,al )

“Kemi pasur një feedback nga qytetarët, pasi kemi vazhdimisht persona që na ndjekin në rrjete sociale dhe mezi presin të shohin kalendarin. Shumica e javëve përkuan me sezonin turistik, pra ka pasur edhe turistë të huaj të cilët janë ndalur në shesh për të parë performancat.” 

Rrugët e kryeqytetit kanë marrë jetë duke pasur prezent edhe flamujt shumë ngjyrësh të shteteve të ndryshme. Kjo gjë ka tërhequr më shumë vëmendjen e qytetarëve po ashtu edhe të turistëve, që vizitojnë Shqipërinë.