Shangai, nis ndërtimi i platformës për metaverse
2022-09-13 17:02:39

Foto:VCG

Foto:VCG

Si një qendër ekonomike e Kinës, Shangai ka organizuar me sukses Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale (WAIC) për pesë vjet më radhë. Gjatë kësaj periudhe, ky metropol kinez ka pasur rezultate të dukshme në zhvillimin dhe kërkimet teknologjike, duke realizuar rritje të madhe në përmasat e sektorëve përkatës. Gjatë zhvillimit të WAIC-ut, Shangai shpalli që do të nisë ndërtimi i platformës me teknologjinë metaverse, me temën “Të bashkohemi për të ndërtuar platformën e re metaverse”. Ky konsiderohet si një hap për përshpejtimin e inovacionit teknologjik.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Formimi i një ekologjie të mirë për zhvillimin teknologjik

 

Në “Planin e veprimit të Shangait për pistën e re metaverse 2022-2025” thuhet që objektivi i Shangait do të jetë që vëllimi i sektorëve që kanë lidhje me metaverse të arrijë në 350 miliardë juanë, duke i nxitur sektorët e softuerëve dhe shërbimeve të informacionit të arrijnë përmasa prej 1.5 trilionë juanësh dhe sektorin e prodhimit të informacionit elektronik të arrijë vlerën e 550 miliardë juanëve.

 

Në ceremoninë e mbylljes të WAIC 2022, u zhvillua ceremonia e nisjes së ndërtimit të platformës metaverse, ku përfshihen qendra e studimeve teknologjike e kompanisë “Kuaishou.com” në Shangai, qendra e teknologjive inteligjente të realitetit virtual “Huanshen Tech” dhe instituti studimor për metaverse “GSdata”.

 

Krahas kësaj, janë nënshkruar kontrata për 25 projekte të inteligjencës artificiale, me investime të përgjithshme prej 15 miliardë juanësh.

 

Drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Shangait, Wu Jincheng, u shpreh: “Nga edicioni i vjetshëm i WAIC-ut deri në edicionin e sivjetshëm, janë nënshkruar gjithsej 166 kontrata, me vlerë të përgjithshme investimesh prej 90.5 miliardë juanësh; është çelur një nënfond prej 1 miliard juanësh dhe është publikuar mjeti mbështetës i inovacionit të kredive me vlerë 10 miliardë juanë. Këto do të ndihmojnë në zhvillimin dhe zgjerimin e sektorëve të rinj përkatës”.

 

Qysh nga edicioni i parë i WAIC-ut në vitin 2018, përmasat e sektorëve të inteligjencës artificiale janë rritur nga 134 miliardë juanë në vitin 2018 në 305.6 miliardë juanë vitin e kaluar. Gjatë kësaj periudhe, Shangai ka pasur arritje të dukshme, si krijimi i platformës kombëtare inovative dhe përparimet në algoritmet dhe mikroçipat inteligjentë. Po ashtu, në Shangai janë demonstruar mbi 100 skenarë aplikimi të teknologjive përkatëse dhe ky qytet udhëheq në shkallë kombëtare për kilometrazhin e automjeteve inteligjente. Shangai ka publikuar edhe programin e parë kombëtar për inteligjencën artificiale gjatë planit të 14-të 5-vjeçar dhe sistemin lokal të standardeve mbi inteligjencën artificiale, duke kryer eksplorimin e parë për legjislacionin lokal në këtë drejtim. Gjithashtu, Shangai ka tërhequr një të tretën e talenteve të inteligjencës artificiale dhe aty po formohet një sistem talentesh shumënivelësh.

 

Drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Shangait  Wu Jincheng u shpreh: “Tani në Shangai është formuar një ekologji e mirë zhvillimi për inteligjencën artificiale, me grumbullimin e sektorëve, inovacionin dinamik, integrimin e elementeve dhe hapjen e ndarjen e përbashkët.”

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Inteligjenca artificiale takohet me metaverse

 

Shangai e ka përcaktuar inteligjencën artificiale si një ndër tre sektorët kryesorë të së ardhmes dhe po eksploron prirjen e integrimit ndërmjet inteligjencës artificiale dhe metaverse, duke u përpjekur për krijimin  e mundësive të reja në këtë drejtim.

 

Gjatë zhvillimit të WAIC 2022, qoftë në Qendrën Ndërkombëtare të Ekspozitave, qoftë në sallën shkencore “Zhangjiang”, mund të shiheshin kudo elementet që lidheshin me temën e sivjetshme të kësaj veprimtarie: “Bota inteligjente, metaverse pa kufi”.

 

Gjatë kësaj konference 3-ditore, në hapjen e saj u shpall skena kryesore për metaverse, ndërsa në mbyllje u nënshkruan kontrata lidhur me fushën e metaverse. Në mbledhjen e zhvillimit industrial që u zhvillua në sallën shkencore “Zhangjiang”, u publikuan “Harta industriale e metaverse 2022” dhe “Sistemi i standardeve të metaverse i Shangait”. Krahas kësaj, zv.drejtori i Departamentit të Teknologjisë të Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës, Ren Aiguang, dhe drejtori i Institutit të Telekomunikacionit të Kinës, Yu Xiaohui, aktivizuan bashkë “Matrix-in e inovacionit metaverse”.

 

“Aplikimet nxisin inovacionin. Kjo është epërsia më e madhe e Kinës për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe metaverse,” u shpreh Ren Aiguang, i cili mendon që për të ardhmen, duhet të përmirësohet mjedisi i zhvillimit nëpërmjet reformave. Ai theksoi që zhvillimi i teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale dhe metaverse, ka nevojë urgjente për risi në sistem dhe sigurisht kërkon forcimin e masave reformuese mbi ndarjen e përbashkët të të dhënave, lëvizjen e talenteve dhe zbatimin e teknologjive të reja, me synim që të krijohet një mjedis që është në të mirë të zhvillimit të vazhdueshëm dhe të shëndetshëm të këtij sektori. (Jiang Lei)