Presidenti Begaj: Sulmi kibernetik, dëshmi e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon
2022-09-13 11:44:14

Foto:RTSH

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka shprehur shqetësimin mbi rrezikun që i kanoset rajonit nga aktorë të tretë.

I pranishëm në Brdo të Sllovenisë, ku po mbahet samiti i Procesit të Brdo-Brijunit, presidenti Begaj u ndal te sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë.

Ai tha se kjo është dëshmi e kërcënimit real që paraqesin aktorë të tretë për rajonin. “Një aktivitet i tillë keqdashës është dëshmi e padiskutueshme dhe e bazuar në faktet e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon. Kjo ishte goditja e fundit e një liste arsyesh, përse Shqipëria ndërmori veprimin ekstrem të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin”,- tha presidenti Begaj.

Sipas presidentit shqiptar, nevojiten vendime të guximshme për të ruajtur stabilitetin. Ai tha se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen, njofton “RTSH”.

Në Brdo të Sllovenisë po mbahet samiti i Procesit Brdo-Brijunit, ku në fokus të diskutimeve do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE.

Të pranishëm janë presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ai i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, i Kroacisë Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç. (Fatosi)