Merita Isufi, një shqiptare e suksesshme në Angli
2022-09-12 12:13:11

Merita Isufi (Foto personale)

Merita Isufi jeton prej 23 vitesh në Angli. E larguar nga Shqipëria në një moshë shumë të re, momentet e para të saj në emigracion ishin plot risi dhe sfida. Këto sfida edhe pasioni për të mësuar e bënë të vazhdonte në rrugën e dijes, duke i dhënë jetë disa ëndrrave përnjëherësh dhe duke u lartësuar në gruan e suksesshme. Ajo ka punuar shumë vite si mësuese në shkollat angleze dhe shqiptare në Londër, Merita e ka ngjitur edhe më lart emrin e saj, duke krijuar platformën ‘’Succesful Mothers’’,  një iniciativë që u mundëson të gjitha nënave të ndajnë me njëra-tjetrën eksperiencën e tyre, sukseset dhe vështirësitë. Pasioni i saj më i madh është që të përcjellë një ndikim pozitiv, të motivojë nënat, që të rrisin standardet e tyre në zhvillimin personal dhe profesional.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Merita tregon eksperiencën e saj jetësore dhe profesionale në Londër si dhe projektet që ka realizuar atje.  

Merita Isufi gjate nje aktiviteti (Foto personale)



CMG: Merita ju falenderoj për këtë intervistë në Radio Ejnai.

Merita Isufi: Shumë faleminderit për ftesën. Është nder për mua të jem sot këtu me ju, dhe përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.

CMG: Sa vite keni që jetoni në Angli dhe si ka qenë integrimi atje?

Merita Isufi: Unë kam 23 vite që jetoj në Angli dhe besoj se integrimi ka shkallët e veta. Do të përmend disa pika që mua besoj më ndihmuan në integrimin këtu në Angli. E para është gjuha, sepse  është themeli që hap dyert në shumë drejtime, prandaj i duhet dhënë prioritet dhe duhet t’i kushtohet një kujdes i veçantë sepse përndryshe do kemi shumë pengesa gjatë rrugës. Unë këtë bëra sepse kur erdha në Angli nuk flisja aspak gjuhën angleze, as përshëndetjet nuk i dija. Erdha me një vajzë të vogël që akoma nuk i kishte mbushur 2 vjeç dhe këtë udhëtim e filluam bashkë duke mësuar njëra-tjetrën dhe e përvetësuam edhe gjuhën.

Gjithashtu eksplorimi është shumë i rëndësishëm, ne kur emigrojmë në një ambient të ri duhet të gjejmë mënyrën sesi të lidhemi me atë vend. Prandaj vizita në muzeume na njeh pak me historinë dhe më ndihmoi shumë që të njihja historinë e Anglisë. Vizita nëpër parqet nacionale të Anglisë jo vetëm që më ndihmoi të njihesha me pozicionin gjeografik dhe vendin e bukur këtu, por ishte dhe një terapi pasi Anglia njihet për parqe shumë të bukura.

Ndërtimi i jetës sociale gjithashtu është shumë i rëndësishëm, takime me komunitetin lokal për të njohur se çfarë është e pranueshme dhe e papranueshme nga shoqëria këtu. Kjo është e domosdoshme që kontakti me jetën sociale aty ku zgjedhim të jetojmë të jetë i vazhdueshëm.  

Mbi të gjitha mbajtja e kontaktit me familjen, shoqërinë është shumë e domosdoshme. Para 23 viteve ky kontakt ishte i organizuar, nuk ishte i përditshëm sepse nuk ishin rrjetet sociale, por duhet të organizonim një bisedë telefonike ndoshta njëherë apo dy herë në javë, kurse sot i kemi telefonat që lidhemi shumë shpejt. Prandaj ky komunikim i organizuar besoj se ka ndihmuar sepse dhe komunikimi i shpeshtë në mënyrën e integrimit nuk besoj se ndihmon shumë, prandaj duhet një balancim. Ndryshimi drastik i ambientit dhe mënyrës së jetësës çojnë në izolim, nëse nuk është kontakti me familjarët.

Merita Isufi me vajzat ne Londer (Foto personale)

CMG: Ka qenë e vështirë për ju si një grua shqiptare jetesa në Angli, dhe si i keni kaluar pengesat në jetë?

Merita Isufi: Unë do flas nga eksperiencat e mia sepse secili ka eksperiencat e veta. Nuk besoj që kam hasur shumë vështirësi. Unë isha shumë kurioze të mësoja gjëra të reja, nuk neglizhoja që të zgjeroja pikëpamjet e mia. Qëndrimi i vendit pritës këtu ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe pozitiv për integrimin, apo lehtësimin e pengesave. Pengesa e parë që unë u përballa ishte gjuha shqipe, biseda ime e parë që bëra me drejtoreshën e shkollës së vajzës time shumë e këndshme, por mund të them që ishte dhe shumë mbështetëse pasi ajo më hapi mundësi të reja.

Nuk e mendoja ndonjëherë që do të bëja rolin e mësueses këtu në këtë shtet, pasi unë nuk e flisja gjuhën dhe ne si shqiptarë e dimë se si është respektuar pozicioni i mësuesit në Shqipëri, që duhet të jetë rol ekselent tek fëmijët. Kur bisedova me drejtoreshën i thashë që kam studiuar për mësuesi në Shqipëri, por nuk besoj që këtë rol mundem ta bëj këtu. Ajo më pyeti se pse mendoja kështu dhe i thashë që nuk e flas gjuhën.Ajo më tha të shkoja në shkollën e vajzës sime dhe të  lexoja  një libër në gjuhën shqipe. Unë aty fillova dhe ishin fillimet e mia me inkurajimin e saj. Pasi dëgjoi historinë që lexova në klasën e vajzës time, ajo tha që do më jepte disa pika me përshtypjet e saj. Më tha se gjuha e trupit në drejtim me fëmijët ishte shumë korrekte, toni i zërit ishte në rregull, mimika e fytyrës dhe kontakti me sytë po ashtu ishin shumë mirë, pozicioni që mbaja librin ishte shumë mire. Të gjitha këto pika ajo i vuri para gjuhës, ndaj gjuhën e bëri të dukej shumë e vogël.

Drejtoresha e shkollës më tha se mua më mungon vetëm gjuha dhe që nga ai moment më ofroi një klasë ku kishte 21 fëmijë shqiptarë, të cilëve  fillova t’u mësoja gjuhën shqipe. Kështu filloi karriera ime në Angli.

CMG: Sa vite keni që e ushtroni profesionin e mësueses në Angli, dhe si ka qenë kjo eksperiencë për ju?

Merita Isufi: Për 16 vite ky ka qenë aktiviteti im kryesor si edukatore kopështi në shkollat angleze dhe si mësuese e gjuhës shqipe të shtunave në shkollat shqipe. Unë kam dhënë mësim dhe tek shoqata “Nënë Tereza” për vite me radhë dhe kontakti që kam pasur me prindërit dhe fëmijët shqiptarë më ka lënë mbresa shumë të këndshme, sepse interesi i tyre për të mësuar gjuhën ka qenë shumë i madh. Inkurajimi dhe motivimi im ndaj tyre për t’i mësuar gjuhën po ashtu ka qenë me një pasion shumë të madh, sepse edhe në trajnimet në shkollat angleze që kemi bërë gjithnjë na kanë  thënë që të inkurajojmë prindërit që t’u mësojnë fëmijëve gjuhën e nënës, gjuhën e parë që flitet në shtëpi.

Kjo është shumë e rëndësishme sepse gjuhën angleze do e mësojnë dhe nuk do kenë vështirësi për këtë gjuhë. Me këtë motiv unë gjithnjë inkurajoja nxënësit e mi që të mësonin gjuhën, dhe prindërit e tyre që të mbanin kontakte sa më shumë me shkollat shqipe.

Merita Isufi ne nje aktivitet me grate (Foto personale)

CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Angli?

Merita Isufi: Këtu ka disa organizata që ushtrojnë aktivitetet e tyre në zona të ndryshme, përveç gjuhës, kulturës dhe historisë ata bëjnë edhe aktivitete të tjera. Dy herë në vit ne synojmë që këto aktivitete të jenë të përbashkëta në festën e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor, ku festojmë të gjithë së bashku. Kjo nuk arrihet gjithmonë për arsye të ndryshme, pasi edhe organizatorët bëjnë profesione të ndryshme dhe jo gjithmonë e kanë të mundur që në të njëjtën kohë të organizohet një aktivitet dhe shpresoj që në të ardhmen gjithmonë të jemi më të bashkuar.

Këtu në Londër ka shumë organizata, ndërkohë që ka disa qytete të tjera të Anglisë që kërkojnë që dikush të krijojë një organizatë, të mbledhë komunitetin. Unë shpresoj që edhe këto qytete që kanë shqiptarë, dikush të organizojë diçka të re nga fillimi, por ja vlen çdo  sacrifice për impaktin pozitiv që japim në shoqëri Ata do ta kenë shumë vështirë që të vijnë nga qytete të tjera në Londër për të  marrë pjesë në aktivitetet në këtu.

CMG: Ju drejtoni dhe një organizatë në Londër që quhet “Succesful Mothers”. Cili ishte qëllimi i krijimit të kësaj organizate?

Merita Isufi: Unë kam një organizatë të quajtur “Succesful Mothers” dhe është një sakrificë dhe përgjegjësi shumë e madhe për të krijuar një organizatë. Besoj që në fillimet e para kam pasur aktivitete të larmishme dhe vazhdojnë të jenë të tilla, si edukatore, mësuese, po ashtu në prindërimin pozitiv kam qenë në bordin drjetues të shoqatës “Nënë Terezë”. Kam shkruar artikuj në gazetën “The Albanian”, ku kam trajtuar temat e prindërimit pozitiv, sjelljen e fëmijëve, komunikimin me adoleshentët, dygjuhësia dhe tema të tjera të ndryshme.

Pastaj kur mora vendimin të krijoj organizatën, unë u ndjeva e përgjegjëshme se duhet të studioja dhe më shumë sepse këtu do trajtoja tema sociale. Shkova dhe njëherë në universitet, ku u diplomova në shkenca sociale vitin që kaloi. Kjo ishte ndoshta dhe një sfidë tjetër për mua, por që ja vlejti  sepse mora besimin e duhur që këto tema sociale që trajtoj në këtë organizatë të kenë bazë dhe të kenë informacion më bashkohor, me ndryshimet për temat që duhet të trajtojmë.

Këto tema unë mundohem që t’i sjell në platformë dhe t’i organizojmë. Kemi pasur një pjesëmarrje jo vetëm të zonës këtu që është lokale apo kombëtare, por edhe ndërkombëtare nëpërmjet aktiviteteve me Zoom call. Kishte ardhur koha për ta krijuar këtë organizatë  dhe unë duke qenë në lidhje me prindërit dhe familjarët, e kam parë se sa i nevojshëm është krijimi i një hapësire për nënat që të vijnë dhe të diskutojnë me njëra- tjetrën, të ndjanë informacionet dhe ndihmojnë njëra- tjetrën. Kjo organizatë është pritur shumë mirë nga i gjithë komuniteti dhe zona ku unë banoj dhe vazhdojmë aktivitetet që i kemi të planifikuara vjetore tashmë në prindërimin pozitiv.

Succesfull Mothers ne Londer (Foto personale)

CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe për çfarë ju merr malli më shumë për vendlindjen?

Merita Isufi: Unë e vizitoj Shqipërinë çdo vit me shumë dashuri dhe më merr malli për njerëzit e mi në radhë të parë dhe për shoqërinë, por më merr malli dhe për bukuritë natyrore të vendit. Është e vështirë kur vizitoj fshatin e lindjes, që është shpallur park kombëtar me një bukuri natyrore të paimagjinueshme, por  njerëzit janë larguar. Kur shkoj aty gjej shumë pak njerëz dhe kjo më vret. Unë sa herë që vizitoj Shqipërinë synoj të vizitoj disa pika historike bashkë me vajzat e mia.

Unë kam dy vajza që janë rritur këtu në Angli, por gjithnjë i kam mbajtur të lidhura shumë ngushtë me Shqipërinë dhe vendin tim të lindjes. Ato e dashurojnë atë vend dhe do të shkojnë njëherë apo dy herë në vit. Vitin që kaloi ne vizituam Butrintin, qytetin antik në mes të liqenit dhe natyrës, gërmimet arkeologjike të Butrintit që më inspiruan dhe për emrin e personazhit kryesor të librit tim të pare, i cili ka pak ditë që është publikuar në Amazon, “Dea starts School”, pra Dea fillon shkollën. Unë me këtë rast i uroj të gjithë fëmijët që fillojnë shkollën që të kenë një vit sa më të mbarë, por edhe prindërit uroj që të gjejnë sa më shumë libra dhe të ulen të lexojnë me fëmijët, që t’u japin një drejtim sa më të mirë dhe t’u krijojnë mundësinë që ata të shprehin atë që ndjejnë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.

Merita Isufi: Unë uroj që të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani të frymëzohen nga historitë e atdhetarëve nga trojet e ndryshme të Shqipërisë sepse të inspirohemi nga udhëtimi i të tjerëve është dhuratë dhe njohuri për ne.

Intervistoi: Gazmend Agaj