Një imazh i roverit hënor të Kinës "Yutu-2"/ Administrata Kombëtare e Fluturimeve Hapësinore e Kinës
Personeli i kërkimeve shkencore në Tokë i shprehu urimet më të mira roverit hënor të Kinës “Yutu-2”, të emërtuar sipas figurës mitologjike kineze “lepuri prej nefriti”, një simbol i Festës së Mesvjeshtës për adhurimin e Hënës, që sivjet ra të shtunën.
Festa e Mesvjeshtës kremtohet në ditën e 15-të të muajit të tetë sipas kalendarit hënor kinez, kur Hëna është më e plotë dhe më e ndritshme. Kjo është një kohë e rëndësishme për bashkimin familiar të kinezëve.
“Përshëndetje, ‘Yutu-2’! Kemi mësuar nga të dhënat telemetrike se je në gjendje të mirë kohët e fundit, duke shënuar arritje të reja në anën e prapme të Hënës me rezultate të shumta hulumtimi,” tha Han Shaojin, drejtori i kontrollit të “Yutu-2” në Qendrën e Kontrollit të Fluturimeve Hapësinore të Pekinit.
“Jemi sinqerisht të gëzuar për ty. Në të ardhmen, shpresojmë se do të vazhdosh punën e mirë dhe do të krijosh së bashku me ne mrekulli të reja për njerëzimin nga ana e prapme të Hënës.”
Roveri "Yutu-2" kapi një imazh të një shkëmbi në formë lepuri/ CMG
Roveri, një robot me gjashtë rrota dhe me katër motorë drejtues në këndin e secilës prej tyre, me sipërfaqe në formë rrjete, mund të ngjitet në pjerrësi prej 20 gradësh dhe mund të kapërcejë pengesa të larta deri në 200 milimetra.
Jetëgjatësia e projektuar e “Yutu-2” është vetëm tre muaj, por ai ka punuar në Hënë për mbi tre vjet dhe ka përshkruar pamjen unike dhe pjesën e pashkelur në anën e prapme të Hënës, duke zbuluar ndryshimet e dukshme me anën e saj të përparme me dëshmi nga terreni.
Shkëmbi në formë lepuri i kapur nga roveri "Yutu-2"/ CMG
Qysh nga 3 janari 2019, kur u çua në Hënë nga sonda “Chang’e-4” dhe zbriti në kraterin "Von Karman", “Yutu-2” ka udhëtuar 1.3 kilometra në anën e prapme të Hënës.
“Yutu-2” ka bërë shumë fotografi me vlerë të sipërfaqes së Hënës qysh nga ajo kohë, përfshirë një objekt katror misterioz, që shkaktoi një debat të madh midis njerëzve në Tokë mbi atë se çfarë ishte. Kur “Yutu-2” iu afrua më në fund atij objekti, u zbulua se është vetëm një shkëmb në formë lepuri.
Roveri "Yutu-2" ka mbledhur të dhënat e hulumtimit shkencor duke përdorur një kamera panoramike, një radar të depërtimit hënor, një spektrometër imazherie me rreze infra të kuqe dhe një aparat zbulues me atom neutral/ CMG
Roveri ka instalime hulumtimi të shumëfishtë, duke përfshirë një kamera panoramike, një radar të depërtimit hënor, një spektrometër imazherie me rreze infra të kuqe dhe një aparat zbulues me atom neutral, të krijuar në bashkëpunim me Suedinë për studimin e topografisë, përbërjes së mineraleve dhe strukturës së sipërfaqes së cekët të Hënës.
Deri tani, “Yutu-2” ka marrë të dhëna të çmuara mbi kërkimet rreth erës diellore e dheut nga Hëna, shkëmbinjve në formë xheli dhe kratereve të reja e të vogla brenda kraterit "Von Karman" në pellgun Pol Jugor-Aitken.
Të dhënat dhe imazhet e lëvizshme të marra nga “Yutu-2” japin njohuri të hollësishme rreth pikës së zbritjes, duke thelluar njohuritë e njerëzve për formimin dhe evolucionin e Hënës. (Wang Lei/ Artan)