Në etiketën e veshjeve tona, apo në rrobat e varura nëpër vitrina, ne e vlerësojmë shumë një rrobë mëndafshi dhe krenohemi me të. Një veshje mëndafshi, edhe pas shumë e shumë shekujsh, vijon të përfaqësojë status, elegancë, sharm dhe stil. Prej shekujsh mëndafshi mbështjell elegancën e botës, ndërsa ka një histori për tu rrëfyer.
Rruga e Mëndafshit/ VCG
Kultura e mëndafshit në vendin tonë ka nisur të zhvillohet në të njëjtën kohë kur kjo kulturë filloi të përhapet në Evropë, kur sundonte perandori Justinian. Mëndafshi i ardhur nga Kina e largët solli qytetërimin në Evropë nëpërmjet së famshmes “Rruga e Mëndafshit”. Duke qenë se ne jemi një vend ndërmjetës dhe kushtet klimatike i kemi jashtëzakonisht të favorshme, pa dyshim që këtu te ne është kultivuar – të paktën kështu mendohet – qysh në shekullin e gjashtë. Duke pasur kushte klimatike të favorshme për zhvillimin e manit ajo u përhap në zona të buta të Shqipërisë së mesme si: Shkodër, Tiranë, Elbasan, Krujë, Lezhë, Drisht, Pult, etj. Kultivimi i kësaj kulture që zinte hapësirë në oborret familjare, bëri që të zhvillohet dhe zejtaria e vogël e përpunimit të fijeve dhe tezgjahët me dorë të cilët përdoreshin për veshjet e grave.
Në Shqipëri Shkodra u bë qendra e prodhimit të tij, duke u shndërruar në një traditë të hershme, në një histori shekujsh, që bashkon me fijet e veta të mëndafshta, një nga ritualet më tradicionale, atë të prodhimit të mëndafshit. Shkodra ishte kryeqendra e prodhimit të materialit më të kërkuar në treg. Çdo shtëpi në fshatrat përreth Shkodrës mbillte mana për të rritur krimbat e mëndafshit.
Dhe kaq shumë hapësirë zuri dhe rëndësi mori, sa në Europën e mesjetës, fijet e mëndafshit shqiptar njiheshin me emrin Seta Scutarina, ku seta do të thotë mëndafsh, ndërsa scutarina vjen nga Scutari që është emri i vjetër Shkodrë. Kjo, pasi Shkodra ka qenë kultivuesja kryesore e fijeve të mëndafshit. Ekzistojnë fakte që mëndafshi ka qenë i zhvilluar në Shkodër sepse femrat që herët janë veshur me copa të holla dhe të qëndisura me fije mëndafshi, ndonëse zhvillimin më të madh e mori në mesjetë. Kemi dhe një fakt tjetër që në Shkodër ekziston një mbiemër Kazazi, i cili në arabisht do të thotë mëndafshtar. Asaj kohe, shtëpitë nw Shkodwr ndërtoheshin në mënyrë të tillë që trarët mbanin vegjët dhe gratë punonin me to.
Pemët frutore e manit / foto nga VCG
Gjithashtu, për shkak të tokës së përshtatshme nisën të mbilleshin pemët frutore të manit të bardhë, në të cilin lehtësisht mund të kultivohej krimbi i mëndafshit. Gjatë asaj periudhe të hershme, kultivimi i krimbave të mëndafshit ishte në lulëzim. Gratë nisën të krijonin traditën e prodhimit të mëndafshit dhe të endjes së tij. Duke qenë se trevat shqiptare ndodheshin në rrugët e krahinat midis lindjes dhe perëndimit, këto treva u shndërruan në urë kalimi për kulturën e prodhimit dhe punimit të mëndafshit.
Dikur mëndafshi shqiptar ishte më i famshmi e më i preferuari për dhuratat fine e të shtrenjta të familjejeve aristokrate në Venedik e Raguzë e më tej në gjithë Europën.
Dokumente arkivorë dëshmojnë se Shqipëria ka pasur prodhim të bollshëm të mëndafshit dhe eksport të vazhduar. Më 1860 në Shkodër u ngrit edhe manifaktura për prodhimin e mëndafshit me disa makina të thjeshta. Një dokument që i referohet vitit 1861, dëshmon eksportin drejt porteve të Italisë dhe Francës. Ndër të tjera dokumenti dëshmon se tregtarët që vinin çdo vit kryesisht nga Italia për të bërë blerje të konsiderueshme të krimbave të mëndafshit në Shkodër dhe në brendësi të Rumelisë, ishin mjaft të kënaqur me prodhimin dhe cilësinë e mëndafshit. Tradita e punimit zejtar të mëndafshit u ruajt deri në shek. XX. Në Shkodër, rreth viteve 30 ka pasur dy pushishte të prodhimit të tekstileve dhe të mëndafshit, të cilat më vonë, në vitin 1947 kaluan në pronësi të shtetit. Por tradita e mëndafshit vazhdoi në Shkodër, pasi në vitin 1971 u krijua fabrika e parë e përpunimit dhe thurjes së mëndafshit. Shumica e punonjësve aty ishin gra dhe vajza. Ata prodhonin tekstile me fill mëndafshi natyror e artificial, duke ruajtur traditën e të parëve.
Sot ndër rajonet më të rëndësishme të prodhimit dhe të punimit të mëndafshit është zona e Zadrimës. Kjo zonë njihet jo vetëm për mbarështimin e krimbit të mëndafshit, por edhe për prodhimin e pëlhurave tradicionale me ngjyra të ndezura, punuar me durim dhe pasion nga gratë e zonës.
Mjeshtëria e endjes në tezgjah në Shqipëri është një traditë femërore ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Për ta mbajtur atë të gjallë me pasion dhe përkushtim, në këtë zonë ka disa familje që e ushtrojnë zanatin dhe kanë ngritur të ardhmen e tyre mbi këtë profesion. Ende sot gratë e veriut vijojnë të ruajnë fort traditën duke u kujdesur për kultivimin e krimbit të mëndafshit në oborret e shtëpive të tyre, duke e përdorur atë për krijimin e pëlhurave të holla të qëndisura me fije mëndafshi.
Imazhi i Marko Polos/ VCG
Dhe në fund do të kujtojmë historinë e mëndafshit, si erdhi ai në Europë përmes Marko Polos. Marco Polo, tregtari i famshëm italian që eksploroi për herë të parë Azinë duke krijuar atë që më vonë do të njihej si “Rruga e Mëndafshit”, besohet se ka udhëtuar përmes Azisë në kulmin e perandorisë mongole dhe udhëtimin e tij të parë e kreu kur ishte vetëm 17 vjeç rreth vitit 1271. Ai shoqërohej nga babai e xhaxhai, tregtarë që kishin dalë dhe më herët në largësi të reja për të krijuar lidhje tregtare.
Në udhëtimin e parë të Markos, treshja ndoqi rrugëtimin që më pas do të quhej “Rruga e Mndafshit” e cila lidh Perëndimin me Lindjen, jo vetëm për këmbimet tregtare të mallrave, por dhe të ideve, filozofive, besimeve fetare e kulturave. Termi "Rruga e Mëndafshit" u krijua vetëm disa qindra vjet më vonë, në shekullin e 19-të nga gjeografi e histori gjerman Ferdinand von Richthofen.
Gjithashtu gjithnjë e më tepër po pranohet se Polo nuk ishte i pari perëndimor që vizitoi Kinën. Por ai ishte i pari që eksploronte zonat e panjohura nga Perëndimi në Azi, dhe la informacione të shumta e të detajuara për t’u ndjekur më pas nga kolegët e tij tregtarë e eksplorues.
E gjithë kjo pjesë e rëndësishme eksploruese është përshkruar në librin e tij "Udhëtimet", ku mes të tjerash flitet edhe për tregtinë dhe takimet me njerëz.
Por, nga libri del që megjithëse mëndafshi ishte malli kryesor i tregtisë që vinte nga Kina, produkte të suksesshme ishin gjithashtu feja budiste e cila u përhap në juglindje, në Lindje dhe në Azinë qendrore falë Rrugës së Mëndafshit.
Neritana Kraja