Shqipëri-Itali-Mali i Zi, memorandum për shkëmbimin elektronik të të dhënave për transportin detar
2022-09-12 10:45:19

Foto:RTSH

Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi nënshkruan javën e kaluar një memorandum mirëkuptimi për shkëmbimin elektronik të të dhënave për transportin detar, njofton “RTSH”.

Të dhënat do të shkëmbehen elektronikisht përmes platformës SEED, financuar nga Bashkimi Europian.

Sistemi SEED për shkëmbimin elektronik të të dhënave ka një rol vendimtar në zbatimin e Korsive të Gjelbërta CEFTA-TCT në CEFTA, por edhe ndërmjet CEFTA-s dhe Greqisë, që ka funksionuar që nga korriku i këtij viti.

SEED është implementuar që nga viti 2010, më vonë është përmirësuar në SEED+ dhe ka përmirësuar menaxhimin e pikave të kalimit në Ballkanin Perëndimor, ka përmirësuar efikasitetin dhe komunikimet ndërkufitare si dhe procedurat e thjeshtuara dhe të modernizuara.

Tre vendet kanë diskutuar edhe mbi zhvillimin e ardhshëm të nismës Korsitë Blu (Blue Lanes) dhe marrëdhëniet tregtare në zonën e Detit Adriatik.

Nisma Korsitë Blu (Blue Lanes) do të përmirësojë trafikun detar midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, falë sistemit SEED+, Sistemi për Shkëmbimin Elektronik të të Dhënave, i cili është funksional në CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore)

Ky bashkëpunim hap mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të nismave të Korsive të Gjelbërta dhe Blu drejt vendeve të tjera anëtare të BE-së. (Fatosi)