Xhon Jesku :Synimi im drejt famës botërore
2022-09-11 16:20:03


Xhon Jesku është një artist i ri me mjaft talent. Ai ka lindur në qytetin e Pogradecit, ku ka marë pjesë në shumë aktivitete për fëmijë, si dhe fitues i festivalit të fëmijëve në qytetit e tij të lindjes në moshën 12 vjeçare. Ka qenë dy herë përfaqësues i Shqipërisë në “International Festival of Language and Culture”. Ka prekur skenën e Eurovision si backvokalist. Xhon Jesku ka mbaruar studimet e larta  në degën e kantos, ka qenë pjesëtar i kastit të operas “Il Trovatore” në TKOB. Është vlerësuar me çmimin “Special Prize” në festivalin ndërkombëtar “Kosova Rising Stars”. Ai ka marë pjesë disa herë në festivalin “Kënga Magjike”, në vitet 2017 me këngë  "Je në mua", në vitin 2018 me këngën "Ty nuk të kam",  dedikuar motrës së tij të ndjerë, si dhe pjesëmarrja e tij në vitin 2021 me këngën "Një tjetër jetë".

Xhon Jesku gjate interpretimit ne Festivalin kulturor Shqiperi -Izrael (Foto nga Instagrami

Xhon Jesku gjate interpretimit ne Festivalin kulturor Shqiperi -Izrael (Foto nga Instagrami)

CMG: Xhon, na trego se si kanë qenë fillimet e tua në muzikë? 

Xhon Jesku: Lidhja ime me muzikën daton që në moshë fare të vogël dhe deri në momentin që u finalizua me studimet në Universitetin e Arteve në degën kanto dhe Master së fundi. 

CMG: Na trego për eventet ku ke marë pjesë, skena e parë që ke prekur, emocionet e para, kënga e parë që ke kënduar dhe deri më sot 

Xhon Jesku: Lidhja ime me muzikën nisi në një moshë të hershme dhe skenat e para kanë qenë të vogla që nga kopshti dhe më pas në festivalet e fëmijëve në qytetin e lindjes, në Pogradec.

CMG: Ti je vlerësuar me çmime që i vogël, por  kush të ka inkurajuar për të vazhduar artin? 

Xhon Jesku: Çmimi im i parë dhe vlerësimi im i parë që më ka mbetur kujtim sot e kësaj dite është festivali i fundit i fëmijëve që është organizuar në qytetin tim, në Pogradec. Aty kam fituar çmimin e parë ku ka qenë një ndër sukseset e mia të para. Ajo ka qënë një vulë ose një përkëdheli në thonjëza e momentit, për të më treguar se duhet të vazhdoja. Kanë qënë të shumtë mësuesit e muzikës apo mësueset e kopshtit të cilat me kanë inkurajuar që në moshë fare të vogël dhe kanë zbuluar talentin tim, aq sa unë tani çuditem e mendoj, si ka mundësi që ato e kanë zbuluar aq herët talentin tim. Më tej ka qënë mësuesja ime e muzikës që ka inkurajuar babain tim para se të më inkurajonte mua, dhe ka bërë një insistim shumë të madh, që unë të vazhdoja studimet në degën e kantos dhe shkollën e muzikës, pasi nuk dihej çfarë drejtimi duhet të merrja. 

CMG: I ke ato materiale të ruajtura?

Xhon Jesku: Ato i mban me fanatizëm mamaja ime në Pogradec dhe nuk mund të bëj dot asnjë lloj kompromisi  që të mi japë, qoftë edhe  një herë, sepse e di që unë mund të humbas ndonjë gjë .Madje edhe dhuratën që e kam marrë në festivalin e fëmijve e ruan ende. 

CMG: Sot pasi ti ke mbaruar Akademinë e Arteve, ke shkuar ta takosh atë mësuese që ka inkurajuar babain tënd që ti të ndjekësh rrugën e artit?

Xhon Jesku: Gjithmonë e kujtoj me emocion dhe kur bie fjala në biseda mes miqsh. Sa herë kaloj në Pogradec ajo e ka shtëpinë në katin e pare  dhe unë i trokas tek dritarja. Bisedojmë bashkë, i tregoj sukseset e mia, qofshin ato të vogla apo të mëdha, i flas se deri ku jemi, çfarë synimi kemi e gjithmonë më pyet se, cila është prespektiva . E falenderoj, e përshendes në këto momente mësuesen e muzikës, Natasha Merko. 

Xhon Jesku ne skenen e Eurovizionit si back vokalist i Eneda Tarifes  (Foto nga Instagrami)

Xhon Jesku ne skenen e Eurovizionit si back vokalist i Eneda Tarifes  (Foto nga Instagrami)

CMG: Ti ke qenë dhe back- vokalist në një kompeticion të rëndësishëm Europian 

Xhon Jesku: Në vitin 2015 kur unë kam ardhur për të bërë një transferim nga Liceu Artistik i Korçës për në Liceun Artistik të Tiranës, për të marë një formim shumë më të mirë në kryeqytet, e mendoja se diploma ime duhet të lexonte patjetër "Jordan Misja" . Kur erdha atë vit, kujtoja me nostalgji vitet kur ndiqja që i vogël festivalin e Rtsh-së dhe gjithë këngëtarët që prezantuan Shqipërinë në Eurovizion. Festivali për mua konceptohet si një tempull shumë i madh dhe gjithëpërfshirës i artit, kulturës, i muzikës shqiptare. Atë vit e ndoqa live festivalin dhe pikërisht  aty më lindi dëshira që të jem edhe unë pjesë e festivalit. Rastësisht mësova se kërkonin një back vokalist mashkull, i cili duhet të shoqëronte artistin fitues në Eurovizion. Atë vit fitoi këngëtarja, Eneda Tarifa dhe unë fillova ta mësoj mirë këngën e saj, zërat e dyta të asaj kënge dhe u paraqita në audiocion. 

Fati im i mirë që  fitova dhe mendoj se ka qenë një inkurajim shumë i mirë që shkova në Eurovizion. Ishte një punë kolosale, ishin gjithë ata individë që punonin për ngjarjen më të rëndësishme të muzikës europiane, e cila shihet nga miliona shikues. Aty më lindi një tjetër dëshirë, që vazhdon të mbetet ende në sirtar me shpresën që të finalizohet, pra për të shkuar dhe provuar atë skenë magjike, por si solist, bashkë me një barrë shumë të rëndësishme mbi shpatullat e mia, për të përfaqësuar vendin tim. Që nga ai moment i vitit 2016  unë çdo ditë kam qenë duke konceptuar një projekt ide që nga mënyra se si do jetë kënga ime që do përfaqësoj vendin tim në Eurosong, çfarë tematike do të ketë, çfarë do të përfshijë, si do të jem unë në skenë , çfarë do të vesh,etj. 

Xhon Jesku ne Kenga Magjike  (Foto nga Instagrami)

Xhon Jesku ne Kenga Magjike  (Foto nga Instagrami)

CMG: Ky është një projekt i shkruar apo thjesht në mendjen tënde?

Xhon Jesku: Është i shkruar jo vetëm  në letër, por edhe në formën më të mirë që suporton teknologjia në ditët e sotme. Shpresoj që të jetë gati në mos jo këtë vit, vitin e tjetër.

CMG: Ti ke disa pjesëmarrje në festivalin "Kënga Magjike", por jo në festivalin e Rtsh-së, kur është ai i cili dërgon përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion. 

Xhon Jesku: Kur isha në Eurovizion  bëja biseda me delegacionin shqiptar aty dhe po mundohesha të krijoja kontaktet e para, sugjerimet që ata kishin për në Eurovizion, duke menduar se cili kompozitor duhet të bënte këngën time për të marë pjesë në këtë kompeticion ndërkombëtar. E ndërsa diskutoja aty, ndërkohë krijova në mendjen time disa ide se kush mund të ishte kompozitori që do realizonte këngën time. Kur u kthyem në Shqipëri takova kompozitorin Adrian Hila. Në atë kohë ai refuzoi që të merrte pjesë në festivalin e RTSH-së, dhe kështu unë zgjodha të merrja pjesë te "Kënga Magjike", pasi nuk jam fans i videoklipeve. Dua që të ndjej emocionet në një skenë të madhe dhe para një publiku shumë të madh. Më vonë e kuptova pse Adrian Hila nuk donte të merrte pjesë atë vit sepse ishte anëtar jurie i atij fetsivali. 

Xhon Jesku me delegacionin e Shqiperise ne Eurovizion (Foto nga Instagrami)

Xhon Jesku me delegacionin e Shqiperise ne Eurovizion (Foto nga Instagrami)

CMG: Xhon, ti ke studiuar për kanto, je një tenor i ri me shumë dëshira për të ecuar përpara jo  vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.  Cilën do ti më shumë, muzikë klasike apo muzikën e lehtë dhe ku do fokusohesh në të ardhmen? 

Xhon Jesku: Unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjes pikërisht në këtë moment, por di të them me plot bindje që unë e dua artin fort, dua muzikën në tërësi, dua skenën. Nuk mund ta them dot me bindje që tani kam pjekurinë përfundimtare vokale, gjë që muzika klasike e ka si kusht ta kesh. Unë jam marë me festivale dhe evenimente  të ndryshme artistike si brenda  edhe jashtë vendit. E dua kaq shumë skenën dhe nuk mund të bëj një kompromis të tipit, "s’po dal  kaq vite në skenë". Jam i mendimit që po të më jepej mundësia, edhe çdo ditë mund të rrija në skenë të këndoja. Kam marë pjesë në shumë evenimente apo audicione, të cilat i përkasin muzikës, pop. Në të ardhmen, duke qenë se muzika klasike fillon që në fëmijërinë e hershme, mua prindërit më kanë edukuar veshin me muzikë klasike dhe kjo është meritë e prindërve të mi. Ka qenë një lidhje shumë e  ngushtë që në fëmijërinë e hershme, kështu që nuk mund të dal jashtë kornizave të saj dhe nuk mundem dot që unë ta braktis atë apo ajo mua. Në një të ardhme kur të jem vërtetë gati dhe kur të jem mjaftueshëm i përgatitur, apo i pjekur vokalisht në mënyrë përfundimtare, sigurisht që do të merrem patjetër me muzikën klasike, pasi e dua shumë.

CMG: Paralelisht me muzikën e lehtë dhe atë klasike ti po angazhohesh gjithashtu me disa evente jashtë vendit. Cilat janë ato evente brenda dhe jashtë Shqipërisë? 

Xhon Jesku: Duke qenë se gjatë periudhës së studimeve të mia në Universitetin e Arteve, krahas shumë aktiviteteve dhe koncerteve të ndryshme, pjesë e kastit ku isha dhe unë, ka qenë shumë e nderuara maestro Suzana Turku, e jam mirënjohës që isha përballë saj, që më ka angazhuar gjatë gjithë këtyre viteve. Në koncerte mjaft të rëndësishme ku ajo ka mbajtur firmën e dirigjentes së këtyre aktiviteteve  dhe jam shumë mirënjohës që jeta ime artistike ka qenë e mbushur me aktivitete  të ndryshme gjatë gjithë viteve të studimeve, nga të cilat kam mësuar shumë përgjatë asaj kohe. Krahas bashkëpunimeve që kam pasur në institucionin e Teatrit të Operas dhe Baletit me shkollën tonë, kemi realizuar shfaqje të ndryshme, nga të cilat do të veçoja si eksperiencën më të bukur dhe më të dobishmen, e cila ka shërbyer shumë në formimin tim artistik gjatë kohës studentore në vitin 2019. 

Na ftuan një grup studentësh për të qenë pjesë e kastit të premierës  “Il trovatore”. Ishte hera e parë që unë gjendesha në një skenë  dhe sigurisht nuk kisha një rol kryesor, isha pjesë e një kori të madh, por prapë nuk mundesha dot t’i fshihja emocionet e të qënurit në një skenë, me një kast aq të mrekullueshëm artistësh nga Teatri i Operas dhe Baletit. Përjetova emocione që vetëm ajo lloj muzike, zhanëri e gjinie di t’i transmetojë, dhe gjithashtu t’i përçojë si tek publiku në sallë ashtu edhe tek ne që këndonim në skenë. Kam pasur dhe bashkëpunime te tjera në raste të veçanta si në, inagurimin  e Teatrit të Operas dhe Baletit me një sërë koncertesh të tjera. Kam pasur një jetë artistike mjaft aktive.

Xhon Jesku (Foto  Instagrami)

Xhon Jesku (Foto  Instagrami)

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?

Xhon Jesku: Kam disa koncerte në Gjermani, por edhe në shumë shtete të ndryshmë të Europës. Kam në plan që të shfaq veten time në “Talent Show” të ndryshëm, jashtë vendit, për të shpalosur talentin tim. Jam natyrë që nuk dua të më ngelet asgjë pishman në jetë. Madje kur kam qenë i vogël jam rritur me festivalet e Rtsh-së dhe modelet e artistëve të ndryshëm, të cilët asokohe i njihja virtualisht dhe  tani kam pasur mundësinë që t’i takoj dhe shkëmbej me to biseda e emocione. Kam shumë plane të afërta, ndër të cilat dy aktivitete dhe  është  kënaqësi e madhe për mua që të rikthehem në një eveniment muzikor , aty ku unë kam qenë kur isha  fëmijë dhe përfaqësova Shqipërinë në “International Festival of Language and Culture” në Turqi e Gjermani në vitet 2012-2013. Është i njëjti event ku do të shkoj tani, vetëm se ky event do të jetë me këngëtarët që kanë qenë dikur fëmijë, e tashmë janë  rritur. Do jetë shumë bukur që  të mblidhemi edhe një herë të gjithë së bashku.

CMG: Tashmë edhe më të rritur profesionalisht. 

Xhon Jesku: Patjetër që do të jetë një moment nostalgjik dhe mezi po pres të shkoj aty dhe të merrem me përgatitjen e materialeve që do të këndoj në një qytet të Gjermanisë dhe në Danimarkë. Edhe nëse do të isha një këngëtar shumë i madh dhe i njohur, do të më ngelej padyshim pishman nëse s’do të merrja pjesë në një “Talent show” të muzikës pop, qoftë në “The Voice” apo në “American’s Got Talent”.

CMG: Në cilin shtet do doje të konkurroje dhe kë ke dëshirë që të kesh mentorin tënd?

Xhon Jesku:  Dua të bëj një sërë audicionesh, jam duke plotësuar formatin që kërkohet në këto audicione. Ditët e fundit kam dëgjuar disa materiale të kënduara mjeshtërisht nga këngëtarja, Rita Ora. Kanë qenë në dimensione krejt ndryshe nga çfarë e kemi dëgjuar shpesh në radio apo youtube, të cilat kur i kam dëgjuar në skenën e “X Factor”  kur ajo ka qenë në rolin e mentores dhe  këndonte në duet me konkurenten e saj, me të vërtet që jam mrekulluar. Përfundimisht ajo ka aftësi vokale të tmerrshme, mahnitëse, shumë të mira.

Xhon Jesku back vokalist ne festivalin e Rtsh-se  (Foto nga Instagrami)

Xhon Jesku back vokalist ne festivalin e Rtsh-se  (Foto nga Instagrami)

CMG: Do doje ta kishe mentoren tënde?

Xhon Jesku:  Absolutisht po! Mendoj se nuk mund të arrij deri atje sepse nuk jam aq mirë me vetëbesimin, por  pse jo, do tentoj.

CMG: Kur njeriu ka synimin e qartë, talentin, dhe dëshirën për të realizuar qëllimin e tij, patjetër që në fund do t’ja arrijë. Unë të uroj shumë suksese!

Xhon Jesku: Unë shpresoj që në intervistën tjetër, të jem në hapa më të avancuara. 

CMG: Shpresoj që të realizojmë bashkë intervistë, edhe atëherë kur të kesh mbi supe një famë ndërkombëtare, e të qëndrosh me këmbë në tokë  

Xhon Jesku: (Qesh)  Pa diskutim. Edhe kur unë nuk kisha asgjë nga ato që mund të numëroj  çfarë kam arritur sot, gjëra të vogla e thënë modestisht, por që nuk ka ndikuar në ndryshimin e parimeve apo karakterit tim si individ. Dhe sigurisht që do mësoj që gjatë gjithë kohës të jem me këmbë në tokë, mirënjohës, e të vlerësoj edhe detajet më të vogla. 


Intervistoi: Sava Lena