Rita Ora gjate koncertit te saj ne Tirane ((Foto nga Instagrami)
Qindra qytetarë u mblodhën të mërkurën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të ndjekur koncertin e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora. Mbrëmja nisi me performancën e disa prej zërave më të dashur të publikut shqiptar, si Ronela Hajati, Semi Jaupaj dhe Kida. Atmosfera e vërtetë u ndez kur në skenë doli Rita e shoqëruar nga një grup kërcimtarësh. Rita Ora e veshur me ngjyrat e flamurit dhe shqiponja në mantelin e kuq, u kurua me kujdes nga stilisti shqiptar Valdrin Sahiti.
Rita Ora zgjodhi ta niste koncertin me këngën “Ritual”, për të vijuar me “Body on me”, e shumë prej hiteve të saj botërore. Mbrëmja u shijua jo vetëm nga qindra qytetarë që u mblodhën në shesh por dhe nga vetë Rita Ora e cila u shpreh falenderuese ndaj publikut shqiptar. Rita Ora ka zgjedhur të vishet me ngjyrat kuqezi dhe motivet e flamurit shqiptar për performancën në Tiranë, ndërsa elektrizoi kryeqytetin.