Me ftesën e kryetarit të Dumës Shtetërore Ruse Vyacheslav Volodin, Li Zhanshu, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Kombëtar të Kinës (NPC) zhvilloi një vizitë zyrtare miqësore në Rusi nga e mërkura deri të shtunën.
Foto: Xinhua
Li pati takime me presidentin rus Vladimir Putin në qytetin lindor Vladivostok, me homologun Volodin dhe kryetaren e Këshillit të Federatës Ruse, Valentina Matviyenko në Moskë. Ai gjithashtu u takua edhe me liderët e pesë fraksioneve të Dumës Shtetërore.
Gjatë takimit me presidentin rus Putin, ligjvënësi i lartë kinez i përcolli atij përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira nga presidenti kinez Xi Jinping. Ai tha se me drejtimin strategjik dhe përpjekjet personale të presidentit Xi dhe presidentit Putin, partneriteti i gjithanshëm strategjik i bashkërendimit mes Kinës dhe Rusisë për një epokë të re, ka ruajtur një moment të fortë zhvillimi.
Besimi politik reciprok, koordinimi strategjik dhe bashkëpunimi pragmatik mes dy vendeve kanë arritur një nivel të paprecedentë, duke dhënë një shembull të mirë të miqësisë dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella midis dy vendeve të mëdha dhe fqinje me njëra-tjetrën, tha Li. Kina dhe Rusia po kalojnë një fazë të rëndësishme historike zhvillimi dhe rigjallërimi, duke gëzuar një potencial të madh dhe perspektivë të gjerë bashkëpunimi.
Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë me Rusinë për të mbështetur në mënyrë të vendosur njëra-tjetrën në çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës, të zbatojë Iniciativën e Zhvillimit Global dhe Iniciativën e Sigurisë Globale të paraqitur nga Presidenti Xi dhe ta kthejë besimin e ndërsjellë politik të nivelit të lartë në më shumë rezultate pragmatike bashkëpunimi, tha Li.
Ligjvënësi i lartë kinez tha se beson fuqishëm se nën udhëheqjen e Presidentit Xi dhe Presidentit Putin, të dyja palët do t’i çojnë lidhjet dypalëshe në një nivel të ri dhe do të ndjekin rrugën e zhvillimit në përputhje me kushtet e tyre kombëtare, duke arritur qëllimet e tyre të mëdha për zhvillimin përkatës dhe përtëritjen kombëtare.
Presidenti rus i kërkoi ligjvënësit të lartë kinez t’i përcjellë urimet e tij më të mira presidentin kinez Xi. Ai tha se partneriteti i gjithanshëm strategjik i bashkërendimit ruso-kinez për një epokë të re është i veçantë dhe i rëndësishëm dhe se pala ruse është e kënaqur me marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme.
Tregtia midis Rusisë dhe Kinës, veçanërisht në sfondin e pandemisë COVID-19, ka treguar një vrull të fortë rritjeje - tha Putin - duke shprehur besimin e tij se të dy palët do të arrijnë qëllime më të mëdha bashkëpunimi në këtë fushë. Më shumë shkëmbime mes ligjvënësve rusë dhe kinezë do të luajnë një rol pozitiv për të promovuar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, tha Putin. Ai i uroi gjithashtu suksese Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së.
Foto: Xinhua
Gjatë bisedimeve të tij me Volodin dhe Matviyenko, Li tha se të dyja palët duhet të forcojnë shkëmbimet e përvojës mbi qeverisjen dhe legjislacionin kombëtar në luftën kundër ndërhyrjeve të jashtme, sanksioneve dhe juridiksionit të gjatë, etj. Ligjvënësi i lartë kinez e falënderoi palën ruse për mbështetjen e fortë mbi çështjen e Tajvanit. Volodin dhe Matviyenko dënuan edhe një herë vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës, duke thënë se Rusia i përmbahet me vendosmëri politikës së një Kine dhe se Rusia është e gatshme të thellojë bashkëpunim me Kinën mbi bazën e respektit reciprok, barazisë dhe përfitimeve të ndërsjella.
Gjatë bisedimeve të tij me Volodin dhe Matviyenko, Li tha se detyra e rëndësishme e bashkëpunimit midis organeve legjislative të Kinës dhe Rusisë është të promovojë zbatimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve dhe të sigurojë mbrojtje ligjore për një zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor Kombëtar të Kinës do të vazhdojë të thellojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Dumën e Shtetit Rus dhe Këshillin e Federatës, të shfrytëzojë potencialin e mekanizmit për shkëmbime të rregullta, të ruajë momentin e mirë të shkëmbimeve të nivelit të lartë dhe të promovojë shkëmbimet mes grupeve të miqësisë dhe komiteteve speciale, tha Li.
Kryetari i Dumës Shtetërore Ruse tha se organet legjislative të Rusisë dhe Kinës duhet të përmirësojnë më tej bashkëpunimin e tyre, të zgjerojnë modelet dhe të pasurojnë përmbajtjen e bashkëpunimit, si dhe të zbatojnë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy liderët për të kontribuuar në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Foto: Xinhua
Kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse shprehu urime për arritjet e mëdha të popullit kinez nën udhëheqjen e PKK-së. Ajo tha se zhvillimi i thellë i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Kinës u ka dhënë organeve legjislative një detyrë të re dhe se të dyja palët duhet të promovojnë më mënyrë aktive bashkëpunimin në fusha si politika, ekonomia, tregtia, financat dhe rinia, si dhe të përmirësojnë shkëmbimet ndërkombëtare e njerëzore dhe bashkëpunimin kulturor.
Kur u takua me krerët e pesë fraksioneve të Dumës së Shtetit, Li tha se të gjitha grupet kanë demonstruar mbështetjen e tyre për të forcuar bashkëpunimin miqësor me Kinën, duke treguar se zhvillimi i partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkërendimit për një epokë të re ruso-kinez, është konsensus i gjerë i të gjitha palëve dhe njerëzve nga të gjitha sferat e jetës në Rusi. Kina është e gatshme të ruajë kontaktet e ngushta dhe shkëmbimet me të gjitha partitë në Rusi për të konsoliduar themelet e miqësisë dhe bashkëpunimit praktik midis dy vendeve, tha Li.
Foto: Xinhua
Udhëheqësit e pesë fraksioneve të Dumës së Shtetit shprehën gatishmërinë e tyre për të luajtur një rol aktiv në intensifikimin e shkëmbimeve ndërpartiake mes Rusisë dhe Kinës si dhe për t’u përpjekur pa pushim në thellimin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, në të mirë të dy vendeve dhe popujve respektivë.
Gjatë vizitës së ligjvënësit të lartë kinez në Moskë, Li vendosi një kurorë në varrin e Ushtarit të Panjohur dhe vizitoi ish-rezidencën e Vladimir Leninit. (Li Huailiang/Laçi)