Rama thirrje bizneseve: Prodhoni energji diellore, ofrojmë mbështetje në investim
2022-09-11 17:13:30

Gjatë një takimi me dhomat e biznesit, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje bizneseve që të nisin prodhimin e energjisë diellore, pasi është fitimprurës dhe ul ndjeshëm kostot e energjisë për biznesin. 

Rama siguroi mbështetje në investimin e biznesit për të prodhuar vetë konsumin e energjisë nga dielli, bën të ditur “RTSH”.

“Dëshiroj të theksoj nevojën që të nxisim kalimin e konsumit energjetik nga burime energjie diellore dhe biznesi mund ta paraprijë. Është koha për t’i rënë lapsit të gjithë që investimet për të prodhuar energji në fabrikë të pranohen nga shteti si investime që duhet të përkthehen në shkëmbim energjie në rrjet. Çdo investim që bëhet në një vend si Shqipëria për të prodhuar konsumin e energjisë vetë nga dielli është fitimprurës dhe ul ndjeshëm kostot e energjisë për biznesin”,- tha Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare tha se do të krijohen kushtet në bashkëpunim edhe me bizneset që të ketë më shumë burime njerëzore të kualifikuara në informatike, digjitalizim dhe IT.

“Do të ndërmarrim një proces intensiv kontaktesh me kompanitë për të informuar me krijimin e kushteve në Shqipëri për të zhvilluar përmes kurseve që ekzistojnë, në mënyrë që biznesi të ketë shumë më tepër burime njerëzore të kulifikuara në informatike, digjitalizim dhe IT. Është e domosodoshme që kompanitë të marrin pjesë duke financuar ato burime njerëzore që duan për vete. Kërkesat e kompanive për më shumë burime njerëzore të kulfikuara në IT janë të shumta dhe janë në rritje. Të gjitha kompanive, kujt më shpejt dhe kujt më vonë, i lind kjo nevojë”,- tha kryeministri Rama. (Irma)