Anjeza Ndoj: Ne e kemi ruajtur traditën e dasmave shqiptare
2022-09-10 13:38:52


Anjeza Ndoj është kengëtare e njohur e muzikës popullore të trevës së veriut, e cila jeton prej disa vitesh në SHBA. Anjeza ka publikuar disa këngë popullore të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku. Para pak kohësh ka nxjerrë dhe një kolazh me këngë dasme, duke ditur se ajo është mjaft e angazhuar në dasmat shqiptare. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Anjeza flet rreth aktivitetit të saj artistik, angazhimit në dasmat shqiptare si dhe projektet muzikore në të ardhmen.

Anjeza Ndoj me kostum popullor (Facebook)

Anjeza Ndoj me kostum popullor (Facebook)

CMG: Anjeza përshëndetje dhe mirë se vjen ne Bio Folk!

Anjeza Ndoj: Faleminderit për ftesën në Bio Folk, një titull shumë i gjetur “Bio”, që përfaqëson diçka të pastër dhe e papërzierë, ku edhe ne kështu kemi qejf që të prezantohemi në Bio Folk.

CMG: Jetoni prej disa vitesh në SHBA, por Shqipërinë e vizitoni për pushime si dhe evente të ndryshme të gëzimeve familjare. Sot ju jeni e ftuar në një dasëm?

Anjeza Ndoj: Ne artistët që jetojmë jashtë jemi pak më të përkëdhelur sepse ne edhe vijmë të performojmë duke kënduar në festat e shqiptarëve, por dhe kalojmë pushimet në atë pjesë të kohës që na mbetet. Unë sot jam në një dasëm tipike dibrane që është zona e veriut, ku do të performoj për të pranishmit.

CMG: Në këtë dasëm dibrane do të performosh edhe këngë të trevave të tjera, përveç këngëve dibrane?

Anjeza Ndoj: Me thënë të drejtën diçka që spikat kohët e fundit, që mua më pëlqen dhe po ndjehem shumë mirë është sepse kam kënduar në dasmat e jugut dhe më kanë kërkuar këngë të veriut. Si gjithmonë kur këndojmë në dasmat e veriut dhe kërkohen këngë të jugut dhe kjo përzierja dhe larmia e këngëve bëhet edhe më e bukur. Pra nuk bëhet vetëm veri dhe jug, por bëhet një përzierje aq e bukur që ndjehemi shumë mirë si këngëtarë sepse ka larmi këngësh.

CMG: Ju ka ndodhur që kur jeni në dasëm t’ju kërkojnë këngë që ju nuk i keni në repertorin tuaj?

Anjeza Ndoj: Në fakt më kanë kërkuar këngë që nuk ndodhen në repertorin tim, por unë kam një gjë që nuk them dot jo, por menjëherë i them po dhe pas pak mund të gjej një mënyrë, e shoh në tekst edhe e gjej mënyrën për ta kënduar. Tani me teknologjinë nxjerrim tekstin nëse unë diçka nuk e di dhe që më kërkohet në një dasëm apo performancë timen. 

Anjeza Ndoj.. (Facebook)

Anjeza Ndoj.. (Facebook)

CMG: Si kombinoheni me pjesëtarët e grupit të orkestrës për repertorin e këngëve që këndoni?

Anjeza Ndoj: Eksperienca ka të bëjë dhe unë kam shumë eksperiencë sepse janë bërë 20 vite që këndoj live, dhe të gjithë kolegët që ndodhen jashtë vendit, por dhe këtu, nuk ka asnjë që unë nuk kam kënduar bashkë me ta. Ekziston një rreth artistësh, që ne rrotullisemi në diasporë dhe Shqipëri dhe sërisht na takon të punojmë me njëri- tjetrin. Ky është një privilegj dhe një plus sepse nuk është e panjohur, ku muzikantët e dinë repertorin tonë, por dhe ne si këngëtarë e dimë repertorin. Gjithashtu edhe kanali Youtube të ndihmon shumë sepse nëse në një dasëm një muzikant e di se do punojë me një  këngëtar tjetër, ai do të hapë Youtube dhe do të shohë mënyrën sesi këndon apo çfarë repertori ka, dhe kështu që është i përgatitur.

CMG: Pjesa më e madhe e këngëve që këndohen nëpër dasma janë këngë tradicionale shqiptare?

Anjeza Ndoj: Kjo është e bukura e dasmave shqiptare sepse të gjitha bëhen sipas traditës dhe këtë e them me plot bindje që janë dasmat më të bukura në botë. Ne e kemi ruajtur traditën, por kemi futur dhe pak modernen por dominon tradicionalja. Tani janë futur dhe tupanat dhe më e bukura është se tupanat kanë vazhduar edhe në jug dhe ka shumë dasma që duan tupanat. Kjo larmi dhe harmoni e këngëve veri-jug më pëlqen shumë.

Anjeza Ndoj me veshje popullore (Facebook)

Anjeza Ndoj me veshje popullore (Facebook)

CMG: Treva e veriut ka si instrument tradicional çiftelinë. Keni kënduar ndonjëherë me çifteli në dasëm?

Anjeza Ndoj: Patjetër, sidomos dasmat e veriut kanë një traditë që janë sofra, dhe para shumë viteve njerëzit nuk jetonin me teknologjinë e fundit dhe këndimi ishte live me një çifteli në sofër. Kurse tani pasi kryhet repertori i dasmës dhe njerëzit kënaqen me vallet tona, në fund të dasmës është si traditë në veri, ku i zoti i shtëpisë thotë kemi sofrën, dhe ne vazhdojmë këndojmë këngët e vjetra patriotike dhe folklorike që janë tipike me çifteli. Kjo pjesë është qershia mbi tortë e dasmës.

CMG: Keni pasur raste që në gëzimet familjare të vishni dhe kostumin popullor tradicional?

Anjeza Ndoj: Në përgjithësi fustanet e mia kanë një ngjyrë të kuqe dhe të zezë, dhe në moment mund të improvizoj diçka, ku marr një jelek apo një qeleshe dhe bëhet veshja popullore. 

CMG: Anjeza flasim për repertorin tuaj popullor, ku keni shumë këngë të publikuara në kanalin YouTube, dhe njëra prej tyre titullohet “Vendet e mia”. 

Anjeza Ndoj: Unë kam publikuar shumë këngë në kanalin YouTube dhe tashmë janë pjesë e repertorit tim. Kënga “Vendet e mia” lindi si ide sepse vendet e mia është nostalgji për vendin ku ke lindur dhe kam origjinën sepse në përgjithësi vitet kryesore i kam kaluar në Tiranë, pastaj në SHBA. Ndërsa prindërit e mi, gjyshërit, paraardhësit e mi kanë lindur dhe janë pjesë e atij vendi atje dhe unë kam sjellë diçka për vendlindjen ku është pritur shumë mirë. Ka pasur dhe shumë nga jugu që mua më shkruajnë, duke më përgëzuar sepse thonë që i kam sjellë pas në kohë, në vitet që unë kam kaluar në rrethin e Pukës ku jam rritur.

CMG: Kur ktheheni në Pukë  për pushime ose evente artistike, keni mall dhe nostalgji?

Anjeza Ndoj: Kam shumë mall sepse unë në Pukë kam kaluar fëmijërinë dhe siç dihet pjesa më e bukur e njeriut është fëmijëria. Unë këtë pjesë e ruaj si diamant sepse e kam shumë të çmuar dhe ndjehem shumë mirë atje.

CMG: Sa vite keni që jetoni në SHBA?

Anjeza Ndoj: Kam rreth 9 vite.

CMG: Vini shpesh në Shqipëri?

Anjeza Ndoj me kengetaren Fatmira Brecani (Facebook)

Anjeza Ndoj me kengetaren Fatmira Brecani (Facebook)

Anjeza Ndoj: Unë kam ardhur çdo verë, përveç një viti që nuk kam ardhur në kohën e pandemisë, ndërsa vitet e tjera kam ardhur çdo verë, ku rri dy deri në tre muaj në varësi të angazhimeve që kam këtu.

CMG: Ju dhe në SHBA jeni pjesëmarrëse në festat e shqiptarëve. Nga ndryshojnë festat me shqiptarët  atje me festat e organizuara në Shqipëri?

Anjeza Ndoj: Ndryshimi është se në Shqipëri nuk ka orar, ndërsa në SHBA ka një orar të saktë që festa fillon në këtë orë dhe mbaron në një orë të caktuar. Ndërkohë që këtu në Shqipëri njerëzit kërkojnë të këndosh më shumë këngë dhe bëjnë më shumë qejf, ose mbase është dhe kjo pjesa që njerëzit vijnë nga diaspora dhe presin me padurim të kënaqen me njerëzit e tyre, me dasma dhe gëzime.

CMG: Para pak kohësh ishit në një koncert në Pukë bashkë me disa këngëtarë të njohur të muzikës popullore. Flasim për këtë aktivitet në vendlindjen tuaj.

Anjeza Ndoj: Në koncertin e organizuar në Pukë, unë isha bashkë me këngëtarët e njohur Gëzim Nika, Bujar Qamili si dhe disa këngëtarë të tjerë të zonave tona. Kjo festë u organizua për herë të parë për të promovuar turizmin, prodhimet e vendit kryesisht të veriut. Kjo festë është mbi të gjitha një promovim i vendit, i prodhimtarisë, i turizmit malor dhe pse jo i artistave që bashkojnë të gjithë shqiptarët e diasporës. Tashmë dihet që shqiptarët janë të shpërndarë dhe ka një pikë që i bashkon që është vera.

CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e materialeve muzikore?

Anjeza Ndoj: Kam shumë bashkëpunëtorë. Orkestruesit i kam në Shqipëri dhe Kosovë. Kam bashkëpunuar me Luan Dagistanin i cili është një artist shkodran, gjithashtu kam bashkëpunuar me një mjeshtër të folklorit Behar Neli. Në Kosovë kam bashkëpunuar me disa producentë, kështu që janë të shumtë. 

CMG: Para sezonit të dasmave ju publikuat dhe një kolazh me këngë dasmash ku dhe videoklipin e keni realizuar në Shqipëri.

Anjeza Ndoj: Në fakt kjo erdhi për arsye që unë jetoj larg, dhe klipet e këngëve realizohen në Shqipëri. Ky kolazh do ishte realizuar pak më përpara, por unë ashtu e gjeta mundësinë sepse dihet largësia dhe angazhimet e mia si nënë bënë që ta realizoja tani. Kam disa materiale të tjera muzikore që do të dalin pas dy muajve. Kështu që përveç punës kam bërë shumë projekte dhe shumë pak pushime.

CMG: Këtë vit keni pushuar gjatë verës në Shqipëri?

Anjeza Ndoj: Kam pushuar tre ditë të Gjiri Lalzit dhe një javë nga jugu. 

CMG: Çfarë është familja për Anjezën dhe si e menaxhoni kohën për të gjitha angazhimet?

Anjeza Ndoj: Unë mendoj se kjo është më e bukura e një njeriu që arrin t’i realizojë të gjitha. Angazhimet tona janë të ndërthurura, ku dasma, koha e trafikut, veshja, grimi, lodhje duke kënduar live, por në fund fare kur shkon e përqafon atë krijesën tënde sikur të ikën lodhja dhe thua faleminderit Zot i bëra të gjitha dhe tani kam një relaks në krah, që është vajza ime. 

CMG: Vajza juaj e ka pasion muzikën?

Anjeza Ndoj: Unë nuk jam nga ato prindërit fanatikë që ajo të bëhet ashtu siç them unë, por do t’i jap mundësinë aq sa mundem dhe ajo do të zgjedhi vetë. Vajza akoma nuk ka mbushur 5 vjeçe dhe e kam angazhuar në një videoklip sepse e pashë që e kishte me shumë dëshirë, madje këndonte me mua. Unë e shoh që ka vesh muzike, e tërheq pianoja dhe këndimi. Kështu që ajo do të zgjedhë atë që të dojë vetë, atë gjë që dëshiron ta bëjë me dëshirë dhe jo e detyruar nga prindërit.

CMG: Rrallë ka artistë që e ruajnë muzikën popullore të pastër, ndërkohë që ju e keni ruajtur me fanatizëm muzikën popullore të veriut. Ka qenë e vështirë për ju ta ruani të pastër muzikën dhe të jeni e suksesshme në tregun muzikor?

Anjeza Ndoj: Në fakt ruajtja e pastërtisë së muzikës besoj se është trashëgimi, sepse unë e dua muzikën e pastër dhe nuk dua ta përziej. Mund të jetë me elemente moderne, por duhet të ruhet linja shumë e pastër sepse ajo është më e bukura. Kështu që unë kam bërë zgjedhjen time që ta ruaj të pastër muzikën.

CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?

Anjeza Ndoj: Për koncertet këtu në Shqipëri akoma nuk e di, por do të jem e angazhuar në koncerte në Kaliforni dhe Arizona, sepse koncertet e pavarësisë rezervohen 6 muaj përpara. Ndërsa përsa i përket projekteve kam shumë dhe unë tani kam kanalin tim YouTube dhe çdo muaj ose dy muaj maksimumi do kem një projekt të ri, kështu që do t’i le surprizë për publikun.

Anjeza Ndoj ne interviste per CMG

Anjeza Ndoj ne interviste per CMG

CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit.

Anjeza Ndoj: Unë i përshëndës të gjithë dëgjuesit e Bio Folk, një emision që i jep kaq rëndësi muzikës së bukur dhe të pastër shqiptare, ju ftoj ta dëgjoni. Faleminderit juve që më zgjodhët për të dhënë një intervistë dhe për të shprehur diçka nga vetja ime. Ju premtoj projekte të bukura dhe të mira. 

Intervistoi: Gazmend Agaj