Nga data 3 deri më 10 shtator mbahet në qytetin e Korçës edicioni i 9–të i Festivali Mbarëkombëtar të Komedisë “Koko Fest”. Ky Festival i Komedisë ka prezantuar në garë shtatë grupe teatrale të ndryshme të cilët performuan përpara artdashësve korçarë dhe në mbyllje do të jetë një shfaqje përshëndetëse nga trupa teatrale e qytetit të Korçës, aktorët e së të cilët do të sjellin shfaqjen “Tregtari i Venedikut” me regji nga Qëndrim Rijani. E gjithë Korça është në festë, kudo sheh artistë për të ndjekur “Koko Fest-in”.
Aktorja Zamira Kita, njëherazi edhe Drejtoresha e Qëndës së Teatrit dhe Kulturës nëpërmjet një reportazhi ka prezantuar të gjithë figurat që kanë qenë pjesë e “Koko Fest-it” vit pas viti, duke theksuar se; “Të gjithë artistët në trevat mbarë shqiptare kanë qenë të paktën një ose dy herë në “Koko Fest”. Asnjë artist i njohur që ka kontribuar për artin, kulturën, komedinë, teatrin dhe filmin, nuk i ka munguar “Koko Fest-it”. Interesi ka qenë shumë i madh edhe këtë vit. Kujtojmë se Teatri i Durrësit, çeli siparin e këtij festivali të komedisë me mbrëmje teatrore me komedinë angleze “Të prezantoj babain”, e përshtatur dhe e vënë në skenë nga regjisorja Adelina Muça, duke krijuar një atmosferë intime në Teatrin “Andon Zako Çajupi, nga aktorët Gentjan Zenelaj, Suela Bako, Ervin Doko dhe Alesia Xhemalaj, ku vëmendja vihej tek raportet në çift. Për mediat regjisorja Adelina Muça është shpehur: “Shfaqja është konceptuar rreth e rrotull një tavoline, ku tavolina është ajo që i mbledh të gjithë familjarët, të gjithë njerëzit ku aty diskutojnë gjërat më të rëndësishme gjë që ndodh në shtëpinë e çdo shqiptari. Përsa i përket tradhëtisë dhe tolerancës që ka brenda familjes, toleranca qëndron gjithmonë në familje dhe në marrëdhënien në çift. Edhe pse nuk do të ishte diçka e mirë, por këta janë njerëzit, ky është njerëzimi” ka përfunduar regjisorja Adelina Muça.
Shfaqjet që janë prezantuar në Festivalin “Koko Fest” nuk janë premiera, por ato janë vënë në skenë përgjatë gjithë vitit dhe i përkasin regjisorëve të ndryshëm. Aktorja Zamira Kita, njëherazi edhe Drejtoresha e Qëndës së Teatrit dhe Kulturës ka treguar për median: “Ky “Koko Fest” është një Festival komedie shqipfolës, ku marin pjesë të gjitha trupat e trevave shqiptare, ku kemi zgjedhur komeditë më të bukura që janë vënë në skenë përgjatë një viti”.
Gjithashtu edhe aktori Ndriçim Xhepa ka ndarë emocionet e tij për këtë festival: “Ky festival në vlerat e vërteta organizative dhe pasionin me të cilën kryen Drejtoresha e Teatrit të Festivalit, Zamira Kita, ka prodhime të cilat vijnë si komedi, komedi e zezë, safir, të cilat mbledhin vlerën skenike nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, ku krijohet një festë e këndshme e skenës, njerëzve të skenës, aktorëve dhe regjisorëve” është shprehur Xhepa.
Publiku korçar ka patur mundësinë që të ndjekë shfaqjet teatrale ku pjesë e jurisë kanë qenë artistët e njohur shqiptar si, Mirush Kabashi, Luiza Xhuvani, Yllka Muja, etj. Më 3 shtator Teatri “Aleksandër Moisiu i Durrësit, u paraqit me shfaqjen “Të prezantoj babain”, më 4 shtator Teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni u paraqit me shfaqjen “Provo edhe një herë Sam”, më 5 shtator Teatri “Andon Zako Çajupi” u prezantua me shfaqjen “A flasim për burrat”, ndërsa më 6 shtator Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë u prezantua me shfaqjen “Pak Pakt”, më 7 shtator Teatri “Migjeni” Shkodër, u paraqit me shfaqjen “ Gjaja”, më 8 shtator Teatri “Skampa” i Elbasanit solli në skenë shfaqjen “Jashtë bie borë” dhe më 9 shtator Teatri i Tetovës e mbylli konkurimin me shfaqjen “Borgjezi Fisnik”. Pas shtatë netëve konkurimi, më 10 shtator i lihet hapësira trupës përshëndetëse të Teatrit të Korçës, e cila do të sjellë shfaqjen “Tregtari i Venedikut” me regji nga Qëndrim Rijani. Kjo datë u vendos gjithashtu edhe për ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të gjitha trupat teatrore të cilat kanë marë pjesë në “Koko Fest” 2022, në këtë edicion të 9-të të Korça Komedi Festival.
Përgatiti: Sava Lena