CMG-ja: Tregtia kineze, “ujë gjallërues” për ekonominë botërore
2022-09-09 11:14:14

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Dogana e Përgjithshme e Kinës, në tetë muajt e parë të këtij viti, import-eksporti i Kinës arriti në 27.3 trilionë juanë, 10.1 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndër to, eksporti u rrit me 14.2 % dhe importi me 5.2 %. Në kushtet kur ekonomia botërore po ngadalësohet dhe kërkesa e jashtme është në rënie, rritja e qëndrueshme e tregtisë kineze në 8-mujorin e parë të sivjetshëm është një arritje e vështirë dhe ka treguar gjallërinë e mjaftueshme dhe elasticitetin e fortë të ekonomisë kineze.

 

Kompanitë private janë bërë forca drejtuese e tregtisë së jashtme të Kinës, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Nga janari në gusht, këto kompani shënuan një vlerë import-eksporti prej 13.68 trilionë juanësh, 14.9 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme dhe 4.8 pikë përqindjeje më lart se rritja kombëtare, duke zënë 50.1 % të tregtisë së jashtme të Kinës. Me modelin e ri dhe produktet e reja, kompanitë private kanë treguar gjallërinë e tyre, duke shënuar shifra mjaft pozitive.

 

Krahas biznesit privat, gjallëria e tregtisë kineze vjen edhe nga struktura shumëpolare e tregut, vijon komenti i CMG-së. Në 8-mujorin e parë, import-eksporti i Kinës me partnerët kryesorë tregtarë, si ASEAN-i, BE-ja dhe ShBA-ja, shënuan rritje përkatësisht me 14%, 9.5% e 10.1%. Ndërkohë, import-eksporti i Kinës me vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” u shtua me 20.2 % dhe me 14 vendet anëtare të RCEP-it 7.5%. Tani po shfaqen vazhdimisht përfitimet nga politikat mbështetëse ndaj RCEP-it.

 

Tregtia e jashtme është barometri i ekonomisë kineze. Megjithëse mjedisi i jashtëm është i ndërlikuar, tregtia kineze ka shënuar rritje të qëndrueshme. Kjo tregon që themelet e rritjes afatgjatë të ekonomisë kineze nuk kanë ndryshuar dhe se zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit kanë epërsi të dukshme. Këto epërsi kanë ofruar mbështetje të fuqishme për rritjen e import-eksportit, duke forcuar aftësinë e tregtisë kineze për përballimin e paqartësive. Krahas kësaj, Kina ka ndërmarrë një sërë politikash stabilizuese dhe tregtia kineze ka kushte të mira për ruajtjen e rritjes. Tregtia kineze, me elasticitetin e vet të fortë, është përherë “ujë gjallërues” për ekonominë botërore, e mbyll komentin CMG-ja. (Jiang Lei)