Mario Alla, i riu shqiptar në fushën e robotikës
2022-09-08 09:57:16

Mario Alla është 21 vjeçari i apasionuar pas teknologjisë. Ky pasion i ka lindur që në moshë të vogël. Nëse të gjithë bashkëmoshatarët e tij kishin inteligjencë normale për moshën, ai u evidentua me tipare ekselente në teknologji. “Kodin e parë e kam shkruar kur isha në klasën e 4-të, ishte kodi “batch”. E kam parë në filmin Matrix dhe kisha dëshirë të krijoja shiun me numra si në film,” thotë ai .

Më tej  Mario ka vijuar të kodojë me kureshtjen për të mësuar më shumë. Mario është krijuesi i robotit “Mark”, një “ChatBot” që merr komanda nga një person fizik. Por çfarë është roboti Mark? Mark është një asistent personal, i cili instalohet në kompjuter dhe lidhet me të gjitha pajisjet e shtëpisë apo zyrës suaj. Ai është i aftë që të kryejë çdo veprim që i komandohet përmes një mesazhi të dërguar nga telefoni. Ai mund të fikë dritën madje dhe të këndojë për ty.
Së fundmi, Mario Alla ka punuar për projektin të quajtur “Konecto”, një website i cili bën bashkë të gjithë bizneset e mëdha nëpër botë për të investuar dhe suportuar njëra-tjetrën.
Ai e ka ideuar këtë projekt për të bërë bashkë bizneset nëpër organizime madhore të eventeve ndërkombëtare. Për të shmangur kontaktet e zakonshme që ndodhin nëpërmjet rrjeteve sociale ka zgjedhur një hapësirë ku gjenden të gjitha bizneset bashkë.

CMG : Si ka nisur angazhimi me botën e teknologjisë?

Mario Alla: Babi im ka qenë mësues fizike dhe gjithnjë e kam pasur këtë botë më pranë. Më  pas unë shkova në shkollën “Harry Fultz”, ku mësova mbi elektroniken dhe gjuhën e programimit.

CMG : Ju keni qenë një student i mirë apo një talent i lindur?

Mario Alla : Unë kam qenë një student i mirë pasi nuk besoj fort tek një "gjeni". Çdokush mund të jetë gjeni në fushën e tij, nëse përkushtohet shumë. Nëse gjërat i do shumë i arrin sepse ne lindim të gjithë njësoj.

CMG : Ju udhëtuat drejt Anglisë për studime, si të priti ai shtet?

Mario Alla: Të gjitha fillimet janë të vështira, por mësohesh. Unë pas dy muajsh jam mësuar plotësisht me jetën e Anglisë, pasi në Shqipëri ne nuk kemi pasur as trena që ta dimë se si funksiononin. Më pas çdo gjë mori rrjedhën e vet, jeta mori të natyrshmen e saj.

CMG : Çfarë sjellje kishin me ju pedagogët, duke qenë që kishit talent?

Mario Alla: Shkolla ime ka qenë diverse, nuk ishte raciste. Në Londër ka njerëz nga e gjithë bota dhe shumica e atyre që jetojnë aty nuk paragjykojnë. Unë jam ndierë tepër mirë dhe i mbështetur në kuptimin e plotë të fjalës.

CMG : Cilët kanë qenë librat që të kanë formuar?

Mario Alla : Unë nuk jam njeri që lexoj shumë. Tekstet të cilat më kanë mësuar janë ato frymëzuese dhe motivuese që me fjalë të thjeshta të mësojnë se si duhet të sillesh apo veprosh në fushën e biznesit.

CMG : Cila ka qenë puna juaj e parë?

Mario Alla : Si fillim kam punuar në kompani të ndryshme në fushën e robotikës dhe kryesisht si ndihmës mësues për fëmijët e vegjël. Më pëlqente ajo punë sepse edhe paguesha dhe ndihesha mirë në moshën 18 vjeçare.

CMG : Pse vendosët që të largoheshit nga studimet në Shqipëri?

Mario Alla : Unë kërkoja nga vetja specializime më tepër që të më ndihmonin të përparoja në jetë. Nuk e gjeta degën të cilën dëshiroja në universitetet e Londrës ato të cilat do të theksoja si pika të forta janë literatura bazë. Se pari, ne nuk kemi libra po praktikë. Edhe pak kurikulë sa kemi ndryshojnë në çdo sezon. Mësojmë gjëra të reja. E bukura e saj është që çdo klasë ka nga një klient nga bota reale dhe ne ju gjejmë zgjidhje si ekspertë më pas.

CMG : A e keni pasur të vështirë të ndërtoni projektin " Konecto "

Mario Alla : Ky projekt është ndërtuar për të lidhur njerëzit me njeri-tjetrin. Nëse ty të duhet të kesh kontaktet e duhura qoftë për të komunikuar apo për të ndërtuar marëdhënie në biznes i gjen këtu.

Në biznes gjithnjë do kesh nevojë për klientë të rinj ndaj unë mendova për këtë ide.

Jetojmë në një botë informacioni dhe duhet që të jemi të organizuar sa i përket kontakteve. Këtu lindi ideja për të ndërtuar edhe eventet.

Pra, nëse një klient ka këtë aplikacion do të ketë mundësi të informohet edhe për eventet që do të pasojnë. Bota e biznesit kërkon investim dhe komunikim në network.

CMG : Si ka qenë kontakti me bizneset e mëdha?

Mario Alla: Po është mjaft e vështirë. Ndaj, hynë në punë mentorët. Unë zgjedh mentorë me eksperiencë. Ata na kanë gjetur një event në Londër që të testojmë sa biznese do të bëhen bashkë. Na kanë mbështetur për këtë dhe ka pasur shumë biznesmenë që janë bashkuar tani.

Ne jemi futur në këtë network dhe gjithashtu vijojmë komunikimin me biznesin në çdo vend të botës.

CMG : Ku bën pjesë Shqipëria në këtë aplikacion?

Mario Alla : Po për nga kontaktet Shqipëria zë vend të tretë për nga përfshirja.

Fillimisht personi duhet të futet në website sepse aplikacioni ende po punohet.

Në aplikacion çdo gjë është free për t’u futur dhe bërë pjesë. Ne bashkojmë bizneset me njëra- tjetrën.

CMG: Sa persona jeni që punoni dhe çfarë prisni në të ardhmen në këtë angazhimin tuaj?

Mario Alla: Jemi vetëm tre veta me shpresa për t’u bërë 30 dhe më tepër. E ardhmja i përket biznesit.

Intervistoi :Megi Latifi