Boronica bio, fermerët shqiptarë në tregjet e huaja
2022-09-08 10:23:04

Cilësia e lartë dhe shija unike e boronicave bio kanë bindur tashmë tregjet e huaja, të cilat kanë rritur kërkesën për të boronicat e grumbulluara në Shqipëri. Kjo gjithashtu ka nxitur fermerët që të merren me këtë kulturë. Aktualisht boronica e bjeshkëve të Tropojës dhe boronica e bjeshkëve të Kukësit janë rregjistruar si patenta kombëtare, si produkte unike të prodhuara në Shqipëri, duke marrë kështu markën e cilësisë për shkak të vlerave unike që kanë, duke u rritur në mënyrë rastësore dhe bio nga nëna natyre. Ardian Çitozi është një nga fermerët që me kompaninë e tij “Lea 2011” prej vitesh eksporton  boronicë bio. Çitozi thotë se potencialet e  Shqipërisë janë të mëdha për kultivimin e kësaj bime dhe se kompani shqiptare gëzojnë certifikime.

Boronica  Tropoje(Foto Facebook)

Boronica  Tropoje(Foto Facebook)

“Potencialet e Shqipërisë për të grumbulluar dhe eksportuar boronica janë shumë të mëdha sidomos në zonën e bjeshkëve të Tropojës, por edhe atyre të Kukësit dhe deri në kufi me Dibrën. Këto janë zona ku grumbullohet në mënyrë të jashtëzakonshme ky produkt, i cili tashmë nga firma jonë është i certifikuar me bio nga ALB Inspekti, të cilët janë të mbështetur nga BIO Inspekt i Zvicrës. Me inspektorët kemi shkuar në mal dhe kanë kontaktuar dhe me fermerët dhe pasi janë bindur që ky produkt është me të vërtetë bio, na është dhënë certifikata bio, jo vetëm për boronicën, por edhe për manaferrën e këtyre zonave, e cila grumbullohet jashtë mase shumë. “- thotë Çitozi.

Ardian Çitozi (Foto gazeta Shekulli)

Ardian Çitozi (Foto gazeta Shekulli)

Ai tregon pak nga puna e tij sezonale për eksportet drejt Evropës.

“Me boronicën shqiptare kemi rreth 7 vite që merremi, ndërsa eksportet kanë filluar me Italinë, me boronicën e freskët. Është një boronicë, të cilën ne e marrim nga fermerët dhe e sjellim në magazinën tonë. Kemi një makineri e cila na e pastron me ajër edhe nëse i ka mbetur ndonjë gjethe ajo e heq komplet dhe i fusim një letër speciale nga poshtë e cila thith lagështinë. Arkat për eksport që ne përdorim për konsumin njerëzor janë prej druri, ndërsa për ato të industrisë janë plastike. Arkat futen pastaj në frigorifer me temperature 0 gradë, e cila nuk e lejon që të fermentohet. Transportin në drejtim të Evropës e kemi bërë me kamiona frigoriferikë me 0 gradë.”- shprehet Çitozi.

Fatmirësisht prodhimi këtë vit ka qënë optimal për fermerët. Cilësia e lartë e boronicës shqiptare ka tërhequr interesin e shumë vendeve.

 

Ambalazhimi i boronicave (Foto facebook)

Ambalazhimi i boronicave (Foto facebook)

“Prodhimi sivjet ka qenë shumë i kënaqshëm në krahasim me 2 vitet e kaluara dhe fermerët kanë grumbulluar mjaft sepse ka pasur dhe interes. Interesi është shumë i madh për produktin shqiptar, sepse është i një cilësie të lartë. Ne për momentin po eksportojmë boronicën e klasit të dytë, që është me gjithë gjethe. Ne e eksportojmë në Serbi ku klienti ynë pasi e than me -70 gradë e eskporton në Zelandë të Re, në Australi dhe në SHBA. Ka treg të jashtëzakonshëm, kërkesë shumë të madhe, sepse e kanë kërkuar me certifikatë bio. E kemi bërë ashtu siç e kanë kërkuar sepse ne i plotësojmë këto kushte dhe janë mahnitur nga cilësia e produktit tonë sepse kur e ka krahasuar me shtetet e tjera me të cilët ne jemi konkurentë, u ka pëlqyer jashtë mase. Neve na kanë thënë që ta dhjetëfishojmë punën sepse produkti ynë flet vetë dhe është shumë i mirë” thotë ai.

Certifikimet i japin vlerë të shtuar produktit që rritet në bjeshkët shqiptare.

Inspektimi i boronicave(Foto Facebook))

Inspektimi i boronicave(Foto Facebook))

“Ne kemi filluar eksportin me certifikimin bio, sepse është shumë e rëndësishme për llojin e klientelës që kërkon bio e paguan dhe më shtrenjtë. Kjo na jep mundësinë që të jemi konkurentë me vende si Polonia, Ukraina, e cila edhe pse ishte në konflikt, nuk e priste askush që do të grumbukllonin sivjet aq shumë boronica. Madje dhe tregu i Evropës filloi çmimin e lartë pastaj pati një rënie, pikërisht sepse nuk e priste askush. Me firmën time kam hasur vështirësi. Certifikatën e radioaktivitetit në Shqipëri nuk kam arritur që ta bëj tek asnjë lloj laboratori dhe jam detyruar që të shkoj ta bëj në Kosovë në qytetin e Pejës sepse vetëm aty bëhet. Fati deshi që mua klienti ma pranoi këtë lloj certifikate sepse pa certifikatën e radioaktivitetit nuk është e mundur që të bëhet eksporti, sidomos ai i boronicës” tregon fermeri.

Boronica (Foto  nga A. Çitozi fb)

Boronica (Foto  nga A. Çitozi fb)

Boronicat ne Bjeshkët e Tropojës mblidhen në lartësi nga 800 deri në 2500 metra. Boronicat nuk kërkohen thjeshtë si fruta për shijen e tyre pakëz të athët, por mbi të gjitha për vlerat e tyre medicinale. Ato kërkohen në masë nga tregu farmaceutik për shkak të vlerave të mëdha mjekësore që kanë.